Presidenti Nishani pret Ministrin e Jashtëm të Polonisë, Witold Waszczykowski

481
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në një takim të veçantë Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Polonisë, zotin Witold Waszczykovski, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Shqipëri. Presidenti Nishani bisedoi me Ministrin Waszczykowski mbi përgatitjet e Samitit të ardhshëm të NATO-s, në Varshavë, si dhe për çështje të tjera me interes dy dhe shumë palësh. Presidenti Nishani përshëndeti iniciativën e ndërmarrë nga Polonia për mbajtjen e Samitit të NATO-s në Varshavë, më 8-9 korrik të këtij viti, si dhe besimin se kontributi i Polonisë, krahas vendeve të tjera anëtare, do të jetë përcaktues në realizimin me sukses të pritshmërive.
Kreu i Shtetit theksoi se Shqipëria do të jetë prezente në këtë Samit me vullnetin e palëkundur për të mbështetur çdo iniciativë dhe përpjekje të Aleancës për t’u modernizuar dhe përshtatur me ndryshimet e ambientit të sigurisë. Presidenti Nishani e vlerësoi rajonin e Ballkanit Perëndimor me rëndësi strategjike për Aleancën dhe theksoi mbështetjen e politikës së dyerve të hapura të Aleancës nga Shqipëria.
Presidenti i Republikës u ndal edhe në çështjet e bashkëpunimit dypalësh, duke i vlerësuar ato shumë të mira dhe të një rëndësie të veçantë, por që ende janë larg pritshmërisë dhe mundësive reale të bashkëpunimit, veçanërisht në aspektin ekonomik. Presidenti Nishani shprehu bindjen se, falë vullnetit të përbashkët Qeveritë dhe institucionet e specializuara të të dy vendeve do të intensifikojnë kontaktet dhe bashkëpunimin, veçanërisht në fushën e infrastrukturës, energjisë së rinovueshme, turizmit e mjedisit.
Presidenti i Republikës shfrytëzoi rastin të falënderonte dhe shprehte mirënjohjen për mbështetjen e dhënë nga Polonia, veçanërisht në fushën e arsimit, sportit, kulturës, administratës publike, si dhe në proceset euroatlantike dhe në kuadrin e procesit të integrimit evropian. Për këtë të fundit, Kreu i Shtetit theksoi se Shqipëria është e vendosur për të vijuar me rrugën e reformave dhe përmbushur detyrimet për hapjen në një kohë sa më të shkurtër të negociatave të aderimit në Bashkimin Evropian, si dhe shprehu bindjen se mbështetja e Polonisë nuk do të mungojë edhe në këtë aspekt. “Pas anëtarësimit në NATO, objektivi më strategjik i Shqipërisë është Integrimi i vendit në BE.” – u shpreh Presidenti Nishani.
Të dy bashkëbiseduesit ndanë mendime edhe për zhvillimet më të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, politikën e fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit, si dhe sfidat e lindura nga kriza e refugjatëve dhe kërcënimet terroriste dhe ekstremiste. Presidenti Nishani theksoi se Shqipëria është shumë e angazhuar në aleancat ndërkombëtare në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm me baza fetare dhe njëkohësisht e predispozuar për të promovuar eksperiencën e saj të kulturës së bashkëjetesës dhe harmonisë fetare në vend. Në fund të takimit, Presidenti Nishani adresoi përmes Ministrit të Jashtëm polak një ftesë për Presidentin e Polonisë për të zhvilluar një vizitë zyrtare në Shqipëri, në një kohë sa më të përshtatshme.
Sigal