Presidenti Nishani pret bashkëreporterët e Këshillit të Evropës, Andrej Hunko dhe Joseph O’Reilly

556

Gazeta Telegraf/


 

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani priti sot
në një takim bashkëreporterët e Këshillit të Evropës për Shqipërinë, zotin
Andrej Hunko dhe zotin Joseph O’Reilly, të cilët po zhvillojnë një vizitë
faktmbledhëse në Tiranë.

 

Presidenti Nishani vlerësoi rolin e Këshillit të Evropës
në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe zhvillimin e
demokracisë si shtyllat bazë të misionit të tij, si dhe kontributin e këtij
institucioni prestigjioz ndërkombëtar për përparimin e Shqipërisë në këto fusha.

 

Duke iu përgjigjur interesimit të bashkëreporterëve, Kreu
i Shtetit ndau vlerësimet e tij mbi disa nga sfidat imediate të Shqipërisë, mbi
të cilat varet edhe përparimi i vendit në procesin e integrimit evropian.
Presidenti Nishani vuri në dukje ndryshimet kushtetuese të miratuara
konsensualisht në Parlamentin shqiptar, përfshirë reformën e thellë gjyqësore,
si procese shumë të rëndësishme për vendin. Duke pohuar rëndësinë e përparimit
të këtij procesi, si dhe domosdoshmërinë për të vijuar bashkëpunimin dhe
miratimin gjithëpërfshirës të paketës shoqëruese ligjore, Presidenti theksoi
pritshmërinë e lartë që ka krijuar ky proces tek qytetarët shqiptarë. Në këtë
kontekst Presidenti Nishani theksoi se duhet shmangur me çdo kusht kapja e
këtij procesi dhe institucioneve që krijohen prej tij nga çdo grup interesi,
pasi vetëm kështu do të arrihet zbatimi efikas i tij në lartësinë e
pritshmërive të qytetarëve shqiptarë.

 

Duke u ndalur në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Kreu
i Shtetit vuri në dukje shqetësimin e thellë mbi rrezikun që i kanoset
institucionit të votës së lirë dhe penetrimit gjithnjë e më të hapur të krimit
në manipulimin dhe tjetërsimin e vullnetit të lirë të votuesve. Presidenti
Nishani  theksoi se ky është një rrezik eminent që i kanoset demokracisë
shqiptare, i cili duhet adresuar pa humbur kohë dhe në mënyrë të prerë nga të
gjithë aktorët, përfshirë asistencën nga partnerët ndërkombëtarë.

 

Presidenti Nishani shprehu gjithashtu shqetësimin e
përsëritur mbi trajtimin me dy standarde që iu bëhet trajtimit të pronarëve të
hershëm dhe të rinj në vend, si një akt që cenon rëndë të drejtat e njeriut dhe
krijon hapësira dhe mekanizma nxitës të korrupsionit, duke thelluar më tej
plagët sociale dhe ekonomike që ka në vend në lidhje me këtë çështje thelbësore.

 

Po kështu, duke iu bashkuar shqetësimit të të
persekutuarve politikë prej regjimit komunist, të shprehur përmes shoqatave të
tyre të përfaqësimit, Kreu i Shtetit solli në vëmendje mungesën e përparimit në
plotësimin e angazhimeve që ka marrë Shqipëria në kuadër të dy rezolutave të
miratuara nga Këshilli i Evropës në vitet 1996 dhe 2006, mbi krimet e
komunizmit në Shqipëri, dhe domosdoshmërinë për t’i adresuar menjëherë ato me
vendosmërinë dhe përmasën e merituar.

Sigal