Presidenti Nishani përuron shtatoren e “Nënë Terezës” në Cleveland

465
Sigal

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Odeta Nishani dhe delegacioni zyrtar, në kuadër të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës udhëtoi drejt Clevelandit, me rastin e përurimit të Kopshtit Kulturor Shqiptar “Nënë Tereza”. Ceremonia u zhvillua në Kopshtin multikulturor “Rockefeller”, pjesë e të cilit është edhe Kopshti Kulturor Shqiptar “Nënë Tereza”. Presidenti Nishani, gjatë fjalës së mbajtur me këtë rast u shpreh se Nënë Tereza ka zhdukur kufijtë duke i afruar njerëzit me njëri-tjetrin dhe e vlerësoi shenjtoren si dritën e shpresës dhe respektit. Kreu i Shtetit theksoi se me përmendoren e Nënë Terezës, Kopshti Kulturor Shqiptar e nderon humanisten e shquar shqiptare, e cila mbetet frymëzim për vlerat më të larta njerëzore dhe krenaria e të gjithë shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Cleveland. Gjatë qëndrimit në Cleveland, Presidenti i Republikës Bujar Nishani e nderoi Shoqatën Shqiptaro-Amerikane të Clevelandit me Urdhrin “Naim Frashëri i Artë”, për punën e palodhur në promovimin e kulturës dhe imazhit të Shqipërisë dhe shqiptarëve në Cleveland.

Presidenti Nishani mban një fjalim në mbrëmjen e 16-të vjetore të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC)

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Odeta Nishani, Ambasadori i Shqipërisë pranë OKB-së, Ferid Hoxha dhe pjesëtarë të delegacionit nga Shqipëria, në ditën e parë të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kuadër të pjesëmarrjes në Debatin e Përgjithshëm të Sesionit të 67-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, mori pjesë në mbrëmjen e 16-të vjetore të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan. Presidenti Nishani mbajti një fjalë përshëndetëse ku vuri theksin në rolin e diasporës shqiptare të Amerikës dhe veçanërisht të NAAC-ut në promovimin e paqes dhe demokracisë në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit, në formësimin e imazhit të Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe rolin e shtetit të Kosovës për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon. Zoti Philip Reeker u lexoi të pranishmëve mesazhin përshëndetës të Sekretares së Shtetit, Hillary Clinton.