Presidenti Nishani përshëndet hapjen e Forumit të 4-t Global të Bakusë

471
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani mori pjesë sot në ceremoninë e hapjes së Forumit të 4-t Global të Bakusë të organizuar nga Qendra Ndërkombëtare “Nizami Ganjave”, duke përshëndetur me një fjalë të veçantë, krahas shumë krerësh të tjerë shtetesh dhe qeverish si dhe një numër i konsiderueshëm akademikësh nga vende të ndryshme të botës: si Presidenti i Republikës së Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, Presidenti i Bullgarisë, Rosen Plevneliev, Presidenti i Republikës së Gjeorgjisë, Giorgi Margvelashvili, ish-Presidentja e Letonisë, Vaira Vike-Freiberga, Drejtorja e Përgjithshme e UNESCO-s, Irina Bokova. Gjithashtu, Forumin e përshëndeti me një mesazh të shkruar edhe Kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron.
Gjithashtu Presidenti Nishani ishte pjesë e panelit të parë të këtij forumi, me temë: “Gjendja e botës sot dhe për çfarë kemi nevojë që të trajtojmë çështjet më të mprehta për nesër”, ku folësit kryesorë ishin gjithashtu edhe: Anëtari i Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Mladen Ivaniç; Presidenti i Republikës së Gjeorgjisë, Giorgi Margvelashvili; Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç; Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov; ish-Kryeministrja e Norvegjisë, Gro Harlem Brundtland; dhe ish-Presidentja e Finlandës, Tarja Halonen.
Në fjalën e tij përshëndetëse Presidenti Nishani u ndal në ndryshimet që ka pësuar bota në 25 vitet e fundit, pas rënies së perdes së hekurt dhe mbarimit të Luftës së Ftohtë, duke theksuar se liria, zhvillimi teknologjik dhe kibernetik, shfrytëzimet e koordinuara të burimeve natyror, ekonomia e tregut dhe tregtia e lirë, intensifikimi i shkëmbimeve ekonomike e kulturore, e shumë aspekte të tjera, kanë sjellë një zhvillim të panjohur më parë për mbarë njerëzimin. Presidenti Nishani vlerësoi se këto zhvillime e kanë bërë imperative nevojën e adoptimit të qëndrimeve dhe të veprimeve të organizatave rajonale dhe ndërkombëtare.
Kreu i Shtetit duke iu referuar këtyre ndryshimeve që ka pësuar bota, si dhe kërcënimeve dhe sfidave të reja me të cilën përballet shoqëria njerëzore sot, theksoi se falë këtyre ndryshimeve tendenca e zhvillimit po shkon drejt një bote shumëpolare. “Pyetja që shtrohet është: Sa kanë vullnet dhe sa janë të gatshme këto fuqi në rritje të bëjnë aleanca dhe të ndajnë përgjegjësi për të ardhmen e përbashkët të planetit?” – u shpreh Presidenti Nishani.
Ndërsa në ndërhyrjen e Tij në panel, Kreu i Shtetit u ndal në sfidat me të cilat përballet bota në përgjithësi dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht nga terrorizmi, ekstremizmi i dhunshëm dhe radikalizmit, ndryshimet klimaterike, si dhe flukset e paprecedenta migratore, për të cilat u shpreh se: “Këtyre sfidave duket se nuk po i shpëton asnjë rajon i botës dhe praktikisht çdo vend mbetet i rrezikuar”.
Në mënyrë të veçantë Presidenti i Republikës u ndal në kërcënimet me të cilat po përballet edhe Ballkani Perëndimore prej terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, duke theksuar rolin e rëndësishëm që luajnë jo vetëm institucionet shtetërore, por edhe komunitetet lokale dhe ato fetare në përballimin e këtyre kërcënimeve. Presidenti Nishani e njohu auditorin me eksperiencën e shkëlqyer të bashkëjetesës dhe tolerancës fetare që ekziston prej shekujsh në Shqipëri, duke theksuar se falë kësaj eksperience, por edhe si anëtare e NATO-s dhe vend kandidat për në BE, sot Shqipëria është një aktore aktive në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Duke iu referuar sfidave të përbashkëta në nivel rajonal, Presidenti Nishani evidentoi edhe vëmendjen e veçantë që Shqipëria i kushton bashkëpunimit rajonal, përmes një kontributi të qenësishëm për paqen dhe sigurinë e rajonit të Ballkanit Perëndimor, por jo vetëm. Duke iu referuar eksperiencës së hidhur të së kaluarës së afërt, me konflikte të armatosura dhe urrejtje e spastrime etnike e fetare, Presidenti Nishani u shpreh se: “Rajoni i Ballkanit Perëndimor më shumë se kurrë sot ka nevojë për dialog dhe mirëkuptim”. Presidenti theksoi gjithashtu se Shqipëria është e vendosur dhe e përkushtuar për të vijuar politikën e saj të pandryshuar në dobi të fqinjësisë së mire, dialogut dhe mirëkuptimit.
Kreu i Shtetit vlerësoi kontributin e të gjitha vendeve të rajonit dhe frymën e re të bashkëpunimit që po demonstrohet në vitet e fundit, veçanërisht në kuadër të nismave rajonale si Procesi i Brdo-Brijunit, Iniciativa e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) dhe të Procesit të Berlinit.
Presidenti Nishani në ndërhyrjen e Tij trajtoi shkurtimisht edhe çështjen e flukseve të paprecedenta migratore, dhe krizën që po përballojnë shumë vende ballkanike dhe fqinje të Shqipërisë, përmes së ashtuquajturës “Rrugë Ballkanike”. Presidenti i Republikës u shpreh se kjo situatë ka ndikuar ndjeshëm edhe në sigurinë dhe stabilitetin social të këtyre vendeve dhe të rajonit në përgjithësi. Gjithashtu, Presidenti Nishani theksoi se “nisur nga eksperienca e hidhur me mbi 1 milionë refugjatë nga Kosova si rezultat i regjimit të Millosheviçit, por edhe nga kriza aktuale që vendet fqinje po kalojnë, duhet që zgjidhja të gjendet tek burimi i kësaj krize. Sa më shpejt aq edhe më mirë.”
Në vijim fjala e plotë e Presidentit të Republikës në ceremoninë e hapjes së Forumit të 4-t Global të Bakusë:
“I nderuar zoti President Aljev,
I nderuari zoti Serageldin,
E nderuara Presidente Vike-Freiberga,
I nderuari zoti Muradov,
Të nderuar kolegë,
Zonja dhe zotërinj!
Është kënaqësi e veçantë që marr pjesë në këtë edicion të 4 të Forumit Global të Bakusë. Ndaj dhe dëshiroj që në fillim të shpreh një falënderim të veçantë për drejtuesit e Qendrës Ndërkombëtare Nizami Ganjavi, për ftesën dhe mundësinë që më dhanë për të qenë i pranishëm e të jap kontributin tim këtu. Mirënjohje dëshiroj të shpreh edhe për mikpritjen e ngrohtë e miqësore që po na ofron Presidenti Aljev dhe Azerbajxhani në përgjithësi, në këto ditë qëndrimi në Baku.
E pranova me shumë kënaqësi ftesën pasi ky edicion i 4-t dhe tematika e tij zhvillohen në kohën e duhur dhe në një moment kyç për zhvillimet rajonale dhe ato globale. Që në momentin që mësova për temën “Drejt një bote shumë polare” , mendja menjëherë më shkoi tek ndryshimet që ka pësuar bota në 25 vitet e fundit, pas rënies së perdes së hekurt dhe mbarimit të luftës së ftohtë, por edhe tek sfidat e reja të cilat kanë lindur më pas. Në këto dy dekada e gjysmë, bota ka ndryshuar me shpejtësi marramendëse. Të gjithë kemi ndryshuar.
Liria, zhvillimi teknologjik e kibernetik, shfrytëzimet e koordinuara të burimeve natyrore, ekonomia e tregut dhe tregtia e lirë, intensifikimi i shkëmbimeve ekonomike e kulturore, e shumë aspekte të tjera, kanë sjell një zhvillim të panjohur më parë për mbarë njerëzimin. Vende e rajone të veçanta kanë marrë një zhvillim ekonomik e social të jashtëzakonshëm, duke u bërë fuqi të konsiderueshme konkurruese në botën aktuale. Janë bërë pole të fuqishme tërheqëse për aleanca ekonomike dhe sigurie.
Por ky zhvillim, ashtu si dhe ana tjetër e medaljes, është shoqëruar edhe me sfida të panjohura e shumë të rrezikshme. Gjatë Luftës së Ftohtë, llogoret ishin të qarta. Kufijtë dhe kërcënimet gjithashtu por në realitetin e sotëm, kërcënimet janë të një lloji tjetër. Kufijtë po bëhen gjithnjë e më virtualë. Konfliktet lokale janë shtuar dhe bashkë me to të shpërngulurit dhe refugjatët nga vendet në konflikt. Terrorizmi me sfond fetar, por që lidhje me fenë nuk ka, po kërcënon të gjitha vendet tona. Ideologjitë ekstremiste dhe radikaliste po përhapen me shpejtësi kibernetike mes të rinjve e adoleshentëve. Krimi i organizuar nuk njeh kufij, shtete apo kombësi. Ndryshimet klimaterike po kërcënojnë ekzistencën tonë. E shumë sfida e kërcënime të tjera.
Kur i liston të gjitha këto, duket sikur nuk ka vend për optimizëm. Por ashtu si edhe në periudhat e mëhershme të zhvillimit, shoqëria njerëzore dhe lidershipi i saj do të gjejnë mençurinë dhe kurajën e nevojshme për të vepruar në kohë e kapërcyer ato. Sot është bërë imperative trajtimi i këtyre sfidave e kërcënimeve në mënyrë gjithëpërfshirëse, si në nivel lokal ashtu edhe në nivel rajonal e global. Ndaj dhe qëndrimet e veprimet tona, por edhe organizatat e ndryshme rajonale dhe ndërkombëtare, ku vendet tona bëjnë pjesë, kanë nevojë të adaptohen në funksion të përballimit të këtyre zhvillimeve e këtyre sfidave.
Bota ka ndryshuar dhe tendenca duket se po shkon drejt një konfiguracioni shumëpolësh. Por pyetja që shtrohet është: Sa kanë vullnet dhe sa janë të gatshme këto fuqi në rritje të bëjnë aleanca dhe ndajnë përgjegjësi për të ardhmen e përbashkët të planetit? Kjo mbetet për t’u diskutuar e për t’u parë! Ajo që është e qartë sot është se, për përballimin e sfidave e kërcënimeve të përbashkëta, bota ka më shumë se kurrë nevojë për dialog, mirëkuptim e bashkëpunim. Ndaj dhe e vlerësoj shumë organizimin e këtij Forumi, që në frymën e filozofit pers-azerbajxhanas të shekullit të 12-të, Nizami Ganjavi, po kontribuon për ndërtimin e dialogut dhe mirëkuptimit në nivel global, kaq të nevojshme për të përballuar të tashmen e siguruar të ardhmen.
Faleminderit dhe ju uroj diskutime të mbara në Forum!”
Sigal