Presidenti Nishani dekoron Laura Boldrinin me medaljen “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”

429
Sigal

 

Gazeta Telegraf/

Presidenti i Republikës,
Sh.T.Z.Bujar Nishani, priti sot në një takim të veçantë Kryetaren e Dhomës së
Deputetëve të Parlamentit italian, Sh.S.Znj. Laura Boldrini, e cila po zhvillon
një vizitë zyrtare dy ditore në Shqipëri, me ftesë të Kryetarit të Kuvendit të
Shqipërisë.

 

Presidenti Nishani, i
sapo kthyer nga një vizitë zyrtare në Itali, shprehu kënaqësinë për takimin me
zonjën Boldrini në Tiranë, duke e vlerësuar këtë takim si pjesë të agjendës
shumë intensive dhe në nivelet më të larta të bashkëpunimit mes dy vendeve.
Presidenti Nishani e konsideroi shkëmbimin e këtyre vizitave si shprehje të
qartë dhe shumë domethënëse të nivelit të shkëlqyer e të partneritetit të
veçantë strategjik të bashkëpunimit mes dy vendeve.

 

Kreu i Shtetit
përshëndeti kontributin personal të zonjës Boldrini në ndihmë të popullit
shqiptar, në Shqipëri dhe Kosovë, veçanërisht përgjatë viteve 1997-1999, si dhe
për forcimin e marrëdhënieve mes dy parlamenteve. Gjithashtu, Kreu i Shtetit
vlerësoi edhe rolin e dhënë në përgjithësi nga Parlamenti italian në mbështetje
të politikave të bashkëpunimit dhe të proceseve të integrimit të Shqipërisë në
strukturat euroatlantike dhe ato evropiane, ku sigurisht zonja Boldrini ka
luajtur një rol të veçantë. 

 

Të dy bashkëbiseduesit i kushtuan një vëmendje të veçantë
krizës së refugjatëve dhe implikimit të saj në politikat dhe sigurinë e
Evropës, si dhe domosdoshmërisë për të ridimensionuar sensin e solidaritetit së
pari mes vendeve të Bashkimit Evropian por edhe të Unionit me vendet e
Ballkanit Perëndimor.

 

Kreu i Shtetit
përshëndeti gjithashtu vendimin e marrë mes drejtuesve të të dy parlamenteve
për të arritur një marrëveshje ndërinstitucionale për forcimin e bashkëpunimit
dhe të koordinimit mes tyre, në funksion edhe të mbështetjes së afrimit sa më
të shpejtë të Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të Ballkanit me Bashkimin
Evropian.

 

Pas takimit, Kreu i
Shtetit në një ceremoni të veçantë i akordoi, me sugjerim të Kr
yetarit
të Kuvendit
 të Shqipërisë,
dekoratën e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, me motivacionin: 
“Për
kontributin e jashtëzakonshëm dhënë në çaste të vështira për kombin shqiptar
gjatë viteve 1997-1999 si përfaqësuese e UNHCR-së në viset verilindore të
Shqipërisë: në Kukës, Has, Tropojë si dhe në Kosovë; për bashkëpunimin e suksesshëm
dhe shembullor me autoritetet vendore si dhe ato ndërkombëtare të UNHCR-së, në
përballimin e pasojave katastrofike të krizës së të shpërngulurve shqiptarë, të
cilët u shpëtuan nga spastrimi etnik i regjimit të Milosheviçit; si dhe për
kontributin e çmuar në përparimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Republikës së
Italisë dhe Republikës së Shqipërisë, në mënyrë të veçantë në atë të
dimensionit parlamentar, të cilat përfaqësojnë denjësisht modelin e
marrëdhënieve tradicionalisht të shkëlqyera mes dy fqinjëve në brigjet e detit
Adriatik dhe Jon”
.

 

Në vijim fjala e plotë e Presidentit të Republikës,
Sh.T.Z.Bujar Nishani, mbajtur në ceremoninë e dekorimit të zonjës Boldrini:

 

E nderuar Shkëlqesia Juaj, Zonja Boldrini,

I nderuar Kryetar  i Kuvendit të Shqipërisë, Zoti
Meta,

Shkëlqesi Ambasadorë,

Të nderuar Deputetë të Kuvendit të Shqipërisë,

Zonja dhe zotërinj të pranishëm!

 

Sot kam kënaqësinë dhe nderin e veçantë të mikpres mes
nesh, në këtë sallë të mirënjohjes së shtetit dhe popullit shqiptar për miqtë e
vet më të shquar, një zonjë shumë të nderuar e të respektuar, një italiane me
zemër të madhe, një misionare të guxishme të jetës dhe  paqes,
Kryetaren  e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Italisë, 
Shkëlqësinë e Saj Laura Boldrini. 

 

Në përfundim të këtij takimi mjaft të frytshëm me zonjën
Boldrini, pata mundësinë të konstatoj personalisht dashamirësinë dhe lidhjen e
saj, do ta quaja mjaft të veçantë me kombin shqiptar, duke kontribuar fort me
detyrën e lartë që mban për çimentimin e marrëdhënieve tradicionalisht të
shkëlqyera mes Italisë dhe Shqipërisë si dhe duke promovuar plotësisht e bindur
të ardhmen e vendit tonë në Bashkimin Evropian.

 

Zonja Boldrini na është gjendur përkrah si rrallë kush në
ditë shumë të vështira për popullin shqiptar si në Shqipëri, ashtu edhe në
Kosovë, atëherë kur regjimi i Sllobodan Milosheviçit u vërsul çnjerëzisht duke
kryer dëbimin dhe shpërnguljen  barbare të shqiptarëve të Kosovës nga
vatrat dhe trojet e tyre etnike gjatë viteve 1997-1999. 

 

Ato ishin vitet e tmerrit për qindra mijëra familje
shqiptare, viktima të  politikës së Millosheviçit të spastrimit etnik të
Kosovës; ishin vitet e solidaritetit të jashtëzakonshëm të botës së qytetëruar
me familjet shqiptare e me vëllezërit e tyre  kosovarë; ishin vitet e
luftës në disa fronte të NATO-s dhe komunitetit ndërkombëtar për të shpëtuar
një popull të pafajshëm, për të çliruar Kosovën, për të mundësuar kthimin e refugjatëve
në shtëpi, për të vendosur në këtë pjesë të  rajonit një paqe të themeluar
mbi të drejtën e Kosovës për të qenë e lirë dhe e pavarur.

 

Në këto zhvillime komplekse, që fatmirësisht prodhuan dhe
vijojnë të prodhojnë paqe e demokraci në rajonin tonë, zonja Boldrini ishte në
vijën e parë të asaj zone delikate të frontit ku luftohej për të shpëtuar jetë
dhe për të rrënjosur shpresën, si përfaqësuese e UNHCR-së në viset verilindore
të Shqipërisë, në rrethet Has, Kukës dhe Tropojë.

 

Përkushtimi  juaj në menaxhimin e kampeve të
refugjatëve dhe spitaleve emergjente të ndërtuara nga UNHCR-ja në këto rrethe,
humanizmi, mirësia, vendosmëria dhe sakrificat tuaja në shërbim të njerëzve të
thjeshtë kanë lënë gjurmë të  pashlyeshme  në  kujtesën dhe
gëzojnë edhe sot e kësaj dite mirënjohjen e shqiptarëve në të dyja anët e
kufirit shtetëror.

 

Qoftë të atyre që u ndihmuan drejpërsëdrejti prej vetë
zonjës Boldrini dhe strukturave të drejtuara prej saj,  qoftë  edhe
të  shumë e shumë të  tjerëve, të cilët  patën rastin të shihnin
me sy apo të  dëgjonin për  italianen e rrallë e me zemër aq të
madhe.

 

Ky është kontributi që bashkon shpirtin e madh të një
Nënë Tereze me humanizmin dhe guximin e një gruaje moderne, personifikimi i së
cilës është vetë zonja  Boldrini.

 

E nderuar  zonja Boldrini,

 

Mike e mirë në ditë të vështira!

 

Jam mëse i lumtur, madje fort i privilegjuar që po më
ofrohet mundësia dhe rasti t’i jap jetë falënderimit të shqiptarëve për ju dhe
t’i bashkëngjis atij gjithashtu mirënjohjen zyrtare të shtetit shqiptar duke ju
akorduar në emrin tim dhe atë të të gjithë qytetarëve shqiptar Dekoratën e
lartë dhe shumë domethënëse ‘Gjergj Kastrioti Skënderbeu’.

 

Punë
të mbarë dhe suksese të mëtejshme në misionin tuaj sa fisnik, aq edhe të
përgjegjshëm e njerëzor për vendin dhe popullin tuaj, për shpirtin evropian,
por edhe për miqësinë shqiptaro-italiane!