Presidenti Nishani dekoroi Komunën Kelmend “Nderi i Kombit”

44

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani u prit me entuziazëm në “Logun e Bjeshkëve”, veprimtarinë e përvitshme ku ishin tubuar qindra banorë të Kelmendit, të Malësisë së Madhe, Kosovës, shqiptarë nga Mali i Zi e shumë të tjerë nga diaspora. Kelmendasit përshëndetën dhe evidentuan vizitën e Presidentit Nishani, si të parën vizitë që një kryetar i shtetit shqiptar zhvillon në Kelmend përgjatë gjithë historisë. Prania e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani në festën e këtij viti në “Logun e Bjeshkëve” kishte për qëllim kryesor dorëzimin e dekoratës “Nderi i Kombit” që kreu i shtetit i akordoi Komunës Kelmend me motivacion “ Për kontribut të shquar për identitet kombëtar, për trimëri dhe heroizëm në kryengritjet antiosmane për pavarësi, për qëndresën heroike në ruajtjen e kufijve kombëtarë nga copëtimi shovinist, për kryengritjen e parë antikomuniste (1945), ku gjaku i martirëve u shndërrua në memorie dhe vullnet për të kërkuar demokraci, për prijësit dhe bijtë e saj të shquar që ka nxjerrë në shekuj”. Duke vlerësuar “Logun e Bjeshkëve”, si një markë të etnicitetit, etnografisë dhe kulturës shqiptare, Presidenti Nishani theksoi se në kushtet e globalizmit, identitetet kulturore nëse janë të forta dhe arrijnë të kultivohen, spikasin dhe mund të dalin në pah më shumë se më parë. “Nëse do të kishim për zemër fatet e kulturës shqiptare dhe fatet e formimit të pasardhësve tanë, duhet që jo vetëm t’u bëjmë një jehonë manifestimeve të tilla artistike, etnografike  dhe patriotike si “Logu i Bjeshkëve”, por duhet t’u bëjmë një lexim edukativ, informues dhe tendencë zhbirues”. Në fjalën e mbajtur në “Logun e Bjeshkëve”, Kreu i Shtetit u shpreh gjithashtu se një vlerë e pashuar në shekuj e krahinës së Kelmendit, është edhe respekti gati proverbial ndaj grave dhe lirisë së shprehjes së tyre, si një shembull i përkryer i demokracisë së fiseve shqiptare. “Trashëgimia e kësaj treve është një shembull i gjallë i vlerësimit dhe cilësimit të gruas si një zonjë e vërtetë, që merrte pjesë në kuvende, thoshte  lirshëm fjalën e saj, madje dhe  votonte. Ky është një mesazh i madh qytetarie dhe përparimi që “Logu i Bjeshkëve” duhet t’ia shpërndajë gjithë Shqipërisë dhe gjithë përpjekjeve që ajo sot po bën në betejën e saj kundra padrejtësive dhe pabarazisë gjinore, si një normë bazë e së ardhmes sonë europiane”.