Presidenti Meta vlerëson ekipin e futbollit “Flamurtari” të viteve 1986-87 dhe ish-futbollistët e spikatur vlonjatë

610
Sigal

“Kalorës i Urdhrit të Flamurit” ekipi i Flamurtarit. “Mjeshtër i Madh”: Sokol Kushta, Kreshnik Çipi, Rrapo Taho, Latif Gjondeda, Petro Ruci

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi dje në një të ceremoni të veçantë të mbajtur në teatrin “Petro Marko”, arritjet e ekipit të futbollit “Flamurtari” në vitet 1986-87 si dhe disa nga futbollistët më të spikatur vlonjatë të asaj periudhe.

Dekorimi dhe motivacioni

Gjatë ceremonisë në kujtesë së ndeshjeve të paharrueshme me “Partizanin” e Beogradit dhe “Barcelonën”, Presidenti Meta dekoroi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” ekipin e futbollit “Flamurtari” të vitit 1986-87: “Për rezultatet historike në futbollin shqiptar, veçanërisht në përballjet për kupat e Evropës (1986-1987), duke manifestuar vlerat më të mira të sportit tonë, në arenën ndërkombëtare”. Presidenti i Republikës vlerësoi gjithashtu me Titullin “Mjeshtër i Madh” ish-qendërmbrojtësin e shquar vlonjat Kreshnik Çipi me motivacionin: “Për talentin dhe personalitetin e tij të gjithanshëm të treguar në lojën e futbollit, duke dëshmuar cilësi të rralla si protagonist e kapiten i skuadrës së ‘Flamurtarit’ dhe titullar i ekipit kombëtar.”; ish-sulmuesin Sokol Kushta: “Për talentin dhe përkushtimin në arritjen e rezultateve të larta në kampionatet kombëtare dhe përfaqësimin dinjitoz në arenën ndërkombëtare të futbollit tonë.”; ish-mbrojtësin Rrapo Taho: “Për profesionalizmin në lojën e suksesshme të tij, duke u bërë një fortesë e pakalueshme e mbrojtjes vlonjate, si dhe për kontributin në ekipin kombëtar.”; ish-mesfushorin Latif Gjondeda: “Për aftësitë e tij drejtuese në lojën e futbollit si mesfushor i spikatur i skuadrës ‘Flamurtari’, duke treguar cilësi të larta menaxhimi si një lojtar profesionist i suksesshëm.” dhe ish-mbrojtësin Petro Ruci (pas vdekjes): “Për aftësitë e treguara dhe këmbënguljen, në mbrojtjen e skuadrës vlonjate me lojën e spikatur prej profesionisti, ku u shqua për pasionin, përkushtimin dhe suksesin gjatë gjithë karrierës si futbollist.”

Presidenti Meta: Legjendat dhe ikonat e futbollit shqiptar

Ceremonitë e dekorimit për legjendat dhe ikonat e futbollit shqiptar, gjithmonë i përjetoj me emocione të veçanta dhe me kujtime të pashlyeshme, ashtu si çdo shqiptar që jeton me dashurinë dhe magjinë këtij sporti kaq popullor. Ekipi i Flamurtarit dhe ‘heronjtë e tij’ në fushë, pa asnjë mëdyshje, kanë bërë epokë në historinë e futbollit shqiptar. Ndeshjet e mrekullueshme dhe rezultatet fantastike të Flamurtarit në vitet 1986-1987, na bëjnë edhe sot pas më shumë se 30 vitesh, krenar duke lartësuar jo vetëm emrin e qytetit të Vlorës, por edhe të futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare. Rezultatet e suksesshme të Flamurtarit përballë ‘skuadrave titane’, më të mira të kohës, siç ishte Barcelona, kanë lënë gjurmë të thella në krenarinë tonë kombëtare. Të gjithë i kujtojmë me nostalgji ndeshjet në Vlorë dhe golat magjikë të të mëdhenjve, Vasil Ruci e Sokol Kushta, me të cilat u trondit Barcelona e yjeve të futbollit botëror, si Zubizarreta, Shuster e Geri Lineker. Vetëm kaq do të mjaftonte për një falënderim, mirënjohje dhe respekt të madh për të gjithë ju, futbollistët e Flamurtarit, të cilët ndër vite keni falur kaq shumë emocione për dhjetëra mijëra tifozë dhe qindra mijëra shqiptarë, këtu dhe jashtë vendit.

Presidenti Meta i dërgon letër kryeparlamentarit Ruçit: Ja pse Kuvendi duhet të hedhë shortin e KED

Presidenti Ilir Meta nuk e ka hedhur shortin, pasi nuk e ushtron këtë kompetencë dhe përmes një shkrese drejtuar kryeparlamentarit Gramoz Ruçi, informon se ia ka kaluar Kuvendit kompetencat për përzgjedhjen e anëtarëve të KED. Në letrën drejtuar Ruçit, kreu i shtetit shpjegon edhe arsyet se pse duhet që shorti të hidhet nga parlamenti. “Me përgjegjësinë e lartë dhe vullnetin e mirë për të mos humbur kohë, Presidenti i Republikës vlerëson se i takon Kuvendit të Shqipërisë, si institucion ligjbërës në Shqipëri të realizojë procesin e përzgjedhjes së anëtareve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, në frymën e Kushtetutës. Presidenti i Republikës, në cilësinë e Kreut të Shtetit, dhe njëkohësisht Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, garanton dhe i ofron Kuvendit të Shqipërisë, të gjithë mbështetjen e nevojshme me qëllim zgjidhjen e kësaj situatë të krijuar dhe kapërcimin e saj”, thuhet ndër të tjera në letrën e Metës. Në letër, kreu i shtetit shpreh shqetësim për mosfunksionimin e Gjykatës Kushtetuese për shkak të mungesës së anëtareve dhe vonesën në ngritjen e institucioneve të reja nga reforma në drejtësi. Meta kërkon nga parlamenti që “jo vetëm të sigurojë përzgjedhjen e anëtareve të KED-së së re, por duhet të sigurojë njëkohësisht edhe vazhdimësinë dhe funksionalitetin e këtij organi përgjatë gjithë vitit 2019”.

Presidenti Meta priti në një takim lamtumire Ambasadoren e Republikës Popullore të Kinës, Jiang Yu

Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti dje në një takim lamtumire Ambasadoren e Republikës Popullore të Kinës, zonjën Jiang Yu, në mbyllje të misionit të saj diplomatik në Shqipëri. Presidenti Meta vlerësoi kontributin e spikatur të Ambasadores Yu, për forcimin e gjithanshëm të bashkëpunimit dypalësh mes Shqipërisë dhe Kinës, në traditën më të mirë të tyre, gjatë mandatit të saj. Në mënyrë të veçantë, Presidenti Meta vlerësoi angazhimin e Ambasadores Jiang Yu për nxitjen e bashkëpunimit ekonomik dhe atë kulturor dypalësh.