Sigal

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta vizitoi sot në kuadër të Ditës Botërore të Aftësive Rinore, shkollën profesionale “Rogacionistët” në Lezhë, të drejtuar nga At Antonio Leuci.

Gjatë kësaj veprimtarie ku ishin të pranishëm drejtues të pushtetit vendor, deputetë të Kuvendit, përfaqësues diplomatikë të Nunciaturës Apostolike dhe Ambasadës së Italisë dhe Francës, përfaqësues të sipërmarrjes, etj., Presidenti i Republikës u njoh nga afër me zhvillimin e kurseve profesionale për përgatitjen e të rinjve e me rezultatet e punës dhe prodhimet e tyre: punimet dhe qëndisjet me dorë; recetat e shijshme të grupit të kuzhinës si dhe punën e grupit të fotovoltaikëve.

Në bashkëbisedimin që zhvilloi me nxënësit dhe drejtuesit e shkollës, si dhe me të pranishmit e shumtë, Presidenti Meta, pasi falënderoi At Antonio Leuçi, “që është një shqiptar i vërtetë duke thënë se të rinjtë duhet të qëndrojnë në vendin tonë’”,  për përkushtimin e jashtëzakonshme që ka bërë në këtë shkollë për komunitetin e Lezhës e veçanërisht për të rinjtë e të rejat e këtij qarku, theksoi rëndësinë e formimit profesional në përputhje me kërkesat dhe zhvillimet e tregut të punës në vend.

Presidenti i Republikës vuri në dukje se: ‘Një vizion, i pashoqëruar me veprim, mbetet një ëndërr’! Një nga problemet tona më të mëdha është që t’i mbajmë të rinjtë këtu në vendin tonë. Dhe jo vetëm kaq, por t’i mbajmë duke u dhënë një mundësi.

Formimi profesional është mundësia më e mirë që u japim të gjithë të rinjve e të rejave për të filluar jetën me guxim e vetëbesim, me siguri e për ta ndërtuar atë në mënyrë të ndershme e të sigurt.”

Presidenti Meta duke iu drejtuar kryesisht të rinjve, u shpreh se: “Në vitet e fundit është treguar një vëmendje edhe më e madhe për arsimin profesional, por jemi shumë larg asaj që duhet, sepse arsimi fiktiv i të rinjve ka qenë nja nga problemet tona kryesore pas viteve ‘90-të, dhe sidomos pa i orientuar drejt një profesioni të caktuar.

Ndërkohë që është shumë e vlefshme për t’i edukuar e formuar të rinjtë me kurse sikurse ishte grupi për impiantin votovoltaik apo për shumë teknologji të reja, për të cilat ka nevojë dhe për të cilat tregu i punës ka një mungesë të madhe.”

Duke folur për vlerat tradicionale të lezhjanëve dhe atraksionet turistike të zonës, Kreu i shtetit vuri në duke se: “Lezha është një nga qendrat kryesore të kulinarisë në Shqipëri, që spikat për shumëllojshmërinë, për klasin, elegancën, për finesën, traditën dhe ky është një opinion që dëgjojmë nga shumë të huaj, të cilët sidomos kanë shumë përvojë në fushën e turizmit, agro-turizmit, kulinarisë. Ndaj besoj se ky  formim profesional në këtë fushë është një mundësi e shkëlqyer për të gjitha ato të reja e të rinj që të gjejnë punë sa më të mira.

Njëkohësisht është edhe një mundësi shumë e mirë rritja e cilësisë së shërbimit në fushën e kulinarisë e të ushqimit, për të rritur më tej edhe interesin e turizmit të vendit tonë, pasi dihet se edhe ushqimi, përveç bukurive natyrore, përveç trashëgimisë kulturore e historike, ka një rol shumë të rëndësishëm në promovimin dhe në nxitjen e turizmit.”

Apeli i Presidentit të Republikës ishte se megjithatë duhet të bëjmë shumë më tepër për të mbështetur të rinjtë tanë. Duhet të bëjmë shumë më tepër për të investuar në arsimin profesional me baza të forta e konkrete dhe praktike.

“Ne duhet t’iu përshtatemi zhvillimeve të globalizimit në një mënyrë sa më të shpejtë e sa më krijuese duke i informuar të rinjtë, sidomos në ato fusha ku krijohet më shumë vlerë e shtuar, ku puna është më e sigurt, dhe ku gjithmonë ata do të jenë të domosdoshëm në tregun e punës. Përndryshe u krijojmë një iluzion dhe ua bëjmë më të vështirë të ardhmen”.