Presidenti Meta viziton fshatrat Mexhitli dhe Nakolec në Maqedoni: Vëllezërit dhe motrat shqiptare, po e mbajnë gjallë identitetin tonë kombëtar e gjuhën e mrekullueshme shqipe

624
Sigal

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta, pas vizitës në Manastir me rastin e 110-vjetorit të Kongresit historik të Gjuhës Shqipe, vizitoi sot edhe fshatrat e banuara nga shqiptarët në Maqedoni: Mexhitli dhe Nakolec.

Kreu i shtetit shqiptar, gjatë vizitës në fshatin me shumicë banorësh shqiptarë të Mexhitlis, u takua përzemërsisht dhe bashkëbisedoi ngrohtësisht me autoritetet vendore dhe banorët e zonës.

“Shteti shqiptar do të qëndrojë gjithmonë pranë jush, sepse ju jeni krenaria shqiptare e zonës së Manastirit. Ju falënderoj që mbani gjallë e trashëgoni vlerat dhe traditat më të mira të shqiptarëve!”, – iu drejtua Presidenti Meta banorëve të fshatit, duke shtuar se në historinë e kombit tonë Kruja, Prizreni, Manastiri dhe Vlora janë qytetet më të rëndësishme për ne, shqiptarët.

Autoritetet vendore dhe banorët e zonës i shprehën mirënjohjen dhe falënderuan Presidentin e Republikës për vëmendjen dhe kujdesin e vazhdueshëm që tregon ndaj shqiptarëve në Maqedoni.

Ndërsa në fshatin Nakolec, buzë liqenit të Prespës, Presidenti Meta u ndal në Teqenë “Dervish Ali”, duke vënë në dukje se kjo është një vatër e rëndësishme, jo vetëm fetare,  por edhe e ruajtjes së vlerave, traditave, gjuhës dhe identitetit tonë kombëtar.

“Është kënaqësi e veçantë të vizitoj sot Nakolecin e Prespës, dhe të ndodhem mes vëllezërve e motrave shqiptare, që po e mbajnë gjallë identitetin tonë kombëtar e gjuhën e mrekullueshme shqipe.

Diaspora shqiptare e Nakolecit asnjëherë nuk e ka harruar vendlindjen dhe kombin, duke dhënë kontribut të çmuar e të jashtëzakonshëm për ruajtjen e traditave tona kombëtare”, – nënvizoi Presidenti i Republikës.