Presidenti Meta viziton Akademinë e Studimeve Albanologjike

481
Në kuadër të përmbylljes së veprimtarive të Edicionit VIII “Ditët e Albanologjisë”, Presidenti i Republikës, Ilir Meta vizitoi Akademinë e Studimeve Albanologjike, ku u prit nga Rektori Prof. Dr. Marenglen Verli dhe u takua me akademikë, studiues dhe albanologë. Pasi vizitoi Muzeun Arkeologjik dhe bibliotekën, në bashkëbisedimin me drejtuesit dhe anëtarët e Akademisë, Presidenti Meta u njoh nga afër me problemet dhe ecurinë e punës së këtij institucioni kaq të rëndësishëm për shkencën sa të vjetër, aq edhe bashkëkohore, të Albanologjisë. “Jam shumë krenar që ndodhem sot këtu për të bërë homazh veprave dhe studimeve të palodhura të paraardhësve tuaj, shqiptarë dhe të huaj, të cilët hodhën themelet e shkencës së Albanologjisë, duke e bërë atë të njohur edhe në arenën botërore. Kjo është një shkencë që kërkon jo vetëm përgjegjësi dhe përgatitje profesionale, por mbi të gjitha dashuri për atdheun dhe kombin tonë. Albanologjia ka rol thelbësor e të jashtëzakonshëm në lindjen, formimin e konsolidimin e shtetit dhe kombit shqiptar”, – theksoi Presidenti Meta. Presidenti i Republikës vuri në dukje rëndësinë e jashtëzakonshme që ka përparimi i mëtejshëm i albanologjisë dhe studimeve e botimeve që lidhen me të për evidentimin e historisë dhe tipareve të veçanta të kombit shqiptar, si një komb evropian me rrënjë të lashta dhe kontribute të vyera. “Viti që vjen është një vit i rëndësishëm për të gjithë shqiptarët, pasi i kushtohet 550-Vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar. Evidentimi i figurës përbashkuese të Gjergj Kastriot Skënderbeut nëpërmjet veprimtarive brenda dhe jashtë Shqipërisë duhet të vendosë në krye Akademinë e Studimeve Albanologjike, për të evidentuar itinerarin evropian, diplomatik, historik, gjeografik dhe kontributin e tij unik e të pazëvendësueshëm”, – theksoi Presidenti Meta.
Sigal