Presidenti Meta vizitë tek Instituti Bujqësor: Bujqësia dhe turizmi, prioritete për zhvillimin e vendit

795
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta zhvilloi sot një vizitë në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare të Universitetit Bujqësor të Tiranës, me rastin e 65-vjetorit të krijimit të saj. Ky fakultet është një nga qendrat më të vjetra të mësim-dhënies dhe të kërkimit shkencor në Shqipërinë e pas Luftës së Dytë Botërore. 

Presidenti Meta u prit nga Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës si dhe Dekani i Fakultetit të Mjekësisë Veterinare.

Presidenti i Republikës, në fjalën e Tij drejtuar të pranishmëve, theksoi se në sajë të përkushtimit dhe punës së palodhur të pedagogëve dhe shkencëtarëve të këtij fakulteti si dhe përgatitjes së brezave të tërë të mjekëve veterinarë, Fakulteti i Mjekësisë Veterinare ka mundur të realizojë me sukses edukimin dhe arsimimin profesional të specialistëve të kësaj fushe të ekonomisë për ruajtjen e shëndetit të kafshëve dhe më tej për shëndetin publik.

“Ju të dashur pedagogë dhe studentë”, – u shpreh Presidenti – “duhet të jeni krenarë dhe njëkohësisht të kujtoni me respekt dhe mirënjohje të veçantë 14 studentët e parë të kursit të veterinarisë, të cilët me përgjegjësi ndërtuan themelet e këtij fakulteti të rëndësishëm për ekonominë e Shqipërisë dhe përgatitën breza të tërë të mjekësh veterinarë, dhe kjo bëri që të mbrohej me sukses blegtoria nga sëmundjet e rrezikshme infektive dhe parazitare duke u kthyer në një fushë jo vetëm ndihmëse të ekonomisë, por edhe në një terren të rëndësishëm të kërkimit shkencor.”

“Është më shumë se e domosdoshme që brezat e studentëve që mbarojnë këtë fakultet të kontribuojnë në zhvillimin e blegtorisë në tërësi, e veçanërisht në prodhimin e qumështit, mishit, vezëve, mjaltit. Ajo është baza e zhvillimit të bujqësisë. Edhe industria jonë agro-përpunuese e cila i jep vlerë të shtuar prodhimeve tona bujqësore dhe blegtorale dhe siguron punësim të qëndrueshëm për popullatën është shumë e rëndësishme, sepse ajo është e lidhur drejtpërdrejt me prodhimin vendas, sasinë dhe cilësinë e tij konkurruese dhe kërkon kontributin shkencor të stafit tuaj akademik.” – theksoi Presidenti Meta. 

Gjithashtu Presidenti i Republikës, duke nënvizuar se ekonomia shqiptare ndodhet përballë sfidës së madhe të integrimit në Bashkimin Evropian, vuri theksin tek domosdoshmëria për të rritur prodhimin blegtoral, për punësimin dhe për eksportet shqiptare, por mbi të gjitha plotësimin e standarteve të kërkuara nga Bashkimi Evropian dhe tregu i vendeve të tij anëtare. 

“Këto nuk mund të arrihen pa një brez të mirë edukuar dhe të kualifikuar të specialistëve veterinarë, të cilët janë me fat që kanë si vatër të përgatitjes dhe formimit të tyre këtë qendër unikale universitare në shkallë vendi dhe pse jo edhe rajonale, Fakultetin e Mjekësisë Veterinare” – u shpreh Presidenti.

Gjithashtu Presidenti Meta përgëzoi studentët e këtij fakulteti për zgjedhjen e mençur të profesionit të tyre dhe i ftoi edhe të rejat dhe të rinjtë e tjerë të zgjedhin shkencat bujqësore dhe veterinare si pjesë të formimit të tyre profesional, sepse bujqësia, blegtoria dhe industria agro-përpunuese është mundësia më e madhe e punësimit në shkallë vendi. Kjo edhe sepse në procesin e integrimit Evropian të vendit, mbi 70% e fondeve mbështetëse do të shkojnë për bujqësinë dhe agrobiznesin.

Presidenti Meta uroi dhe të përgëzoi Dekanin e Fakultetit Prof. Dr. Luigj Turmalaj dhe rektorin Prof. Bahri Musabelliun për këtë transformim të jashtëzakonshëm të Fakultetit të Veterinarisë me infrastrukturë moderne dhe bashkëkohore në shërbim të studentëve dhe specialistëve të veterinarisë dhe nënvizoi se: “Jam shumë i sigurt se i gjithë stafi juaj akademik së bashku me studentët do të jenë të aftë t’u përshtaten ndryshimeve të diktuara nga zhvillimi i shkencës dhe teknologjisë së lartë të kohëve tona dhe do t’ ia dalin me sukses të përballojnë sfidat e kohës, duke u kujdesur dhe promovuar prodhimet shqiptare bio, bujqësore dhe blegtorale, jo vetëm në tregun e brendshëm por edhe jashtë Shqipërisë.” 

Presidenti Meta në mbyllje të fjalës së Tij theksoi se mbështetja e Institucionit që ai përfaqëson nuk do t’u mungojë asnjëherë. 
Fjala e plotë Presidentit të Republikës, Sh. T. Z. Ilir META
I dashur Rektor i Universitetit Bujqësor të Tiranës, 
I dashur Dekan i Fakultetit të Mjekësisë Veterinare, 
Të dashur profesorë dhe studentë të Fakultetit të Mjekësisë Veterinare, 

Duke pasur në konsideratë përvojën e bashkëpunimit shumë të mirë që unë kam pasur edhe në të kaluarën në pozicion e mëparshëm si Kryetar i Kuvendit me Universitetin Bujqësor të Tiranës, nuk doja të mungoja në këtë përvjetor të këtij fakulteti kaq të rëndësishëm, jo vetëm për Universitetin Bujqësorë të Tiranës. 

Ky fakultet përfaqëson jo vetëm një nga qendra më të vjetra të mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor në vendin tonë, por njëkohësisht lidhet me një kontribut të jashtëzakonshëm që një plejadë e tërë shkencëtarësh kanë dhënë për zhvillimin e shkencës në vendin tonë. 

Që nga themelimi i shërbimit veterinar në vitin 1928, prej patriotit dhe shkencëtarit të shquar Dr. Bilal Golemi, hapja e këtij Fakulteti pikërisht 65 vite më parë, shënoi një ngjarje tjetër historike në këtë fushë, duke hedhur baza të qëndrueshme të zhvillimit të këtij shërbimi në Shqipëri.

Në sajë të përkushtimit dhe punës së palodhur të pedagogëve dhe shkencëtarëve të këtij fakulteti si dhe përgatitjes së brezave të tërë të mjekëve veterinarë, Fakulteti i Mjekësisë Veterinare ka mundur të realizojë me sukses edukimin dhe arsimimin profesional të specialistëve të kësaj fushe të ekonomisë për ruajtjen jo vetëm të shëndetit të kafshëve, por ajo që është po kaq e rëndësishme dhe më shumë, për shëndetin publik dhe në kushtet e sotme për garantimin e sigursë uhsqimore që është jnë priortitet kyç për vendin tonë. 

Ju të dashur pedagogë dhe studentë duhet të jeni krenarë dhe njëkohësisht të kujtoni me respekt dhe mirënjohje të veçantë 14 studentët e parë të kursit të veterinarisë të vitit 1952 si dhe pedagogët themelues të këtij kursi: Metush Luli, Aleko Xoxa, Bajazit Shehu, Robert Papajani, Enver Babameto, Masar Dervishi, Vasil Tagari, Stavro Gjollma, Nexhmedin Misiri, të cilët me përgjegjësi ndërtuan themelet e këtij fakulteti të rëndësishëm për ekonominë e Shqipërisë.

Në sajë të përkushtimit dhe punës së palodhur të këtyre pedagogëve dhe të shkencëtarëve të këtij fakulteti si dhe përgatitjes së brezave të tërë të mjekëve veterinarë, u mbrojt me sukses blegtoria nga sëmundjet e rrezikshme infektive dhe parazitare, duke u kthyer në një fushë jo vetëm ndihmëse të ekonomisë, por edhe në një terren të rëndësishëm të kërkimit shkencor.

Ky fakultet është bërthama shkencore që prodhoi me sukses biopreparate dhe vaksina shqiptare me të cilat u zhdukën sëmundje të rrezikshme, jo vetëm për kafshët, por edhe për jetën e njerëzve.

Është më shumë se e domosdoshme që brezat e studentëve që mbarojnë këtë fakultet të kontribuojnë në zhvillimin e Blegtorisë në tërësi, e veçanërisht në prodhimin e qumështit, mishit, vezëve, mjaltit. Ajo është baza e zhvillimit të bujqësisë. 

Edhe industria jonë agro-përpunuese, e cila i jep vlerë të shtuar prodhimeve tona bujqësore dhe blegtorale dhe siguron punësim të qëndrueshëm për popullatën, është shumë e rëndësishme sepse ajo është e lidhur drejtpërdrejt me prodhimin vendas, sasinë dhe cilësinë e tij konkurruese dhe kërkon kontributin shkencor të stafit tuaj akademik.

Të dashur pedagogë dhe studentë, 
Ekonomia shqiptare ndodhet përballë sfidës së madhe të integrimit në Bashkimin Evropian. Sfidat tuaja mbeten të hapura për të rritur prodhimin blegtoral, për rritjen e punësimit dhe sidomos për rritjen e eksporteve shqiptare.

Shembulli i suksesit të prodhimit të vezëve shqiptare, ku jo vetëm plotësohen nevojat e vendit, por eksportohen sasi të konsiderueshme të tyre edhe në vendet e Bashkimit Evropian, duhet të shtrihet edhe në të gjithë sektorët e tjerë të prodhimit blegtoral, në atë të qumështit, mishit, mjaltit, peshkimit, etj.

Për këtë nuk mjafton vetëm rritja e prodhimit, por mbi të gjitha plotësimi i standarteve të kërkuara nga Bashkimi Evropian dhe tregu i këtyre vendeve në fushën e cilësisë dhe sigurisë ushqimore, që mbetet ende një sfidë shumë e madhe.

Këto nuk mund të arrihen pa një brez të mirë edukuar dhe të kualifikuar të specialistëve veterinarë, të cilët janë me fat që kanë si vatër të përgatitjes dhe formimit të tyre këtë qendër unikale universitare, jo vetëm në shkallë vendi dhe pse jo edhe rajonale, Fakultetin e Mjekësisë Veterinare.

Përgëzoj veçanërisht studentët të pranishëm për këtë zgjedhje të mençur të profesionit të tyre dhe ftoj edhe të gjithë të rejat dhe të rinjtë e tjerë të zgjedhin shkencat bujqësore dhe veterinare si pjesë të formimit të tyre profesional, sepse bujqësia, blegtoria dhe industria agro-përpunuese është mundësia më e madhe e punësimit në shkallë vendi në ta ardhmen. Kjo edhe sepse në procesin e integrimit Evropian të vendit, mbi 70% e fondeve mbështetëse do të shkojnë për bujqësinë dhe agrobiznesin.

Pa specialistë të mirëformuar dhe të përgatitur me njohuritë dhe dijet shkencore bashkëkohore përthithja dhe menaxhimi i këtyre fondeve në të mirë të ekonomisë sonë do të jetë i vështirë.

Dua të përgëzoj Dekanin e Fakultetit Prof.Dr. Luigj Turmalaj dhe rektorin Prof. Bahri Musabelliun për këtë transformim të jashtëzakonshëm të Fakultetit të Veterinarisë me infrastrukturë moderne dhe bashkëkohore në shërbim të studentëve dhe specialistëve të veterinarisë.

Jam shumë i sigurt se i gjithë stafi juaj akademik së bashku me studentët do të jenë të aftë t’i përshtaten ndryshimeve të diktuara nga zhvillimi i shkencës dhe teknologjisë së lartë të kohëve tona dhe do t’ ia dalin me sukses të përballojnë sfidat e kohës, duke u kujdesur dhe promovuar sidomos prodhimet shqiptare bio, bujqësore dhe blegtorale, jo vetëm në tregun e brendshëm por edhe jashtë Shqipërisë.

Dua t’ju siguroj se mbështetja ime në këtë sipërmarrje të vështirë, por jo të pamundur nuk do t’ju mungojë asnjëherë. 

Dua të theksoj edhe një herë mirënjohjen më të potë për të gjithë ata pedagog dhe shkencëtare të cilët e kthyen dekada më parë Universitetin Bujqësor të Tiranës në një universitet lider. Dua të shpreh keqardhjen për goditjen e jashtëzakonshme dhe traumatike që pësoi ky universitet në dy dekadat e para të tranzicionit, ku u godit dhe vetë zhvillimi i bujqësisë dhe blegtorisë, pasoja të cilat i ndjejmë edhe sot po të shohim sidomos bilancin import-eksport. 

Por dua të përgëzoj punën e jashtëzakonshme të stafit akademik për rindërtimin e këtij universiteti, progresin e jashtëzakonshëm të shënuar në vitet e fundit dhe jam i bindur që ato vlerësime që ju i keni merituar me të drejtë sa i takon akreditimit të këtij universiteti t’i çoni akoma dhe më larta sepse në këtë mënyrë ne do të kemi mundësi të zhvillojmë atje ku duhet bujqësinë, blegtorinë, agrobiznesin. Të rrisim ekonominë kombëtare, të rrisim mirëqenien e familjeve shqiptare, sepse nuk ka asnjë sektor tjetër përveç bujqësisë dhe turizmit nga rritja e të cilëve mund të përfitojnë shumica e familjeve shqiptare.

Çdo sektor tjetër, padyshim që mund të ketë impakt shumë të rëndësishëm në terma të përgjithshëm sa i takon zhvillimit të ekonomisë shqiptare, por impakti më i drejtpërdrejtë që përfshin më shumë familje, që përfshin më shumë të punësuar dhe të vetëpunësuar se sa zhvillimi i bujqësisë dhe turizmit, nuk mund të ketë. Jam i lumtur që gjithnjë e më shumë studentë të ekselencës kërkojnë dhe vijnë të studiojnë për mjekësi veterinare dhe në Universitetin Bujqësor. Ky është një tregues i mrekullueshëm i një mendësie të re e cila ndihmon zhvillimin e vendit, zhvillimin e bujqësisë, agrobiznesit që janë jetik për një të ardhme të qëndrueshme ekonomike dhe të shëndetshme për vendin tonë. 

Mirënjohje për punën tuaj dhe mbështetje sidomos për aspiratat e studentëve. 
Sigal