Presidenti Meta u prit nga Presidenti federal gjerman, Frank-Walter Steinmeier

453
Sigal

Sot në Berlin, Presidenti i Republikës, Ilir Meta u prit në një takim të veçantë nga Presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier. Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve dhe shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen 30-vjeçare të Gjermanisë për zhvillimin e Shqipërisë dhe integrimin e saj në strukturat euro-atlantike. Në mënyrë të veçantë, Presidenti Meta vlerësoi vëmendjen e madhe që Presidenti Steinmeier dhe Gjermania u kushtojnë marrëdhënieve me Shqipërinë dhe zhvillimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Duke u ndalur te zhvillimet më të fundit në rajon, të dy Presidentët ndanë të njëjtin vlerësim se arritja e Marrëveshjes së Prespës është një shembull i suksesshëm që inkurajon edhe Kosovën edhe Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve dhe arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme në interesin më të mirë të paqes, stabilitetit dhe integrimit evropian.