Presidenti Meta takon një grup studentësh dhe profesorësh amerikanë

44
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta takoi një grup studentësh dhe profesorë amerikanë të “Thornton Donovan School” të New York, që gjatë vitit akademik 2017/18, e ka vendosur Shqipërinë, shtet të studimit në kurikulën e saj shkollore.
Në një bashkëbisedim të hapur e të ngrohtë me studentët amerikanë, Presidenti Meta iu përgjigj interesimit të tyre për Shqipërinë, duke i njohur në veçanti me të kaluarën e vendit tonë, nga një vend komunist i izoluar, në një demokraci të re, shtet anëtar i NATO-s dhe në rrugën për anëtarësim në BE.
Presidenti Meta, gjatë bashkëbisedimit, theksoi rëndësinë që ka për Shqipërinë, aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, partnerin dhe aleatin strategjik të vendit tonë dhe kombit shqiptar.
“Shqipëria është e vendosur për të forcuar edhe më tej partneritetin e saj strategjik me SHBA-të. Shqipëria dhe kombi shqiptar do t’i jenë përherë mirënjohës SHBA-ve. Shqipëria është një vend shumë i bukur dhe ndjej kënaqësi tek shoh kaq shumë energji pozitive mes jush, rinisë amerikane, për ta njohur vendin tonë. Uroj që përshtypjet pozitive që keni krijuar nga kjo vizitë, kaq mbresëlënëse për ju, të shërbejnë si pikë referemi edhe për bashkëmoshatarët tuaj në SHBA, për ta vizituar vendin tonë dhe për të forcuar akoma më shumë marrëdhëniet mes dy popujve”, – theksoi ndër të tjera Presidenti Meta gjatë bashkëbisedimit me studentët amerikanë.