Presidenti Meta: Shoqëria jonë ka nevojë të nxisë vullnetarizmin në kauzën e dhurimit të gjakut

420
Sigal

Kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu: Është vizita e parë e një Presidenti Republike në këtë bashki

Presidenti i Republikës, Ilir Meta u ndodh dje në Bashkinë e Kamzës për seancën e radhës të fushatës ndërgjegjësuese të dhurimit të gjakut, i pritur nga Kryetari i Bashkisë, Xhelal Mziu dhe përfaqësuesit vendorë. Në kuadër të nismës së ndërmarrë së bashku me “Aleancën për Dhurimin e Gjakut”, Presidenti Meta shprehu kënaqësinë lidhur me seancën e dhurimit të gjakut dhe falënderoi kryebashkiakun Mziu dhe qytetarët e Kamzës, të cilët iu përgjigjën me dëshirë apelit dhe thirrjes ndërgjësuese dhe humaniste. “Kjo seancë e dhurimit të gjakut ishte e shkëlqyer, për sa i takon pjesëmarrjes dhe kontributit. Ishte një surprizë mjaft e këndshme për mua që kjo vizitë e sotme të lidhej edhe me vendosjen, të njërës prej rrugëve kryesore të Bashkisë së Kamzës, të emrit të atdhetarit të madh, themeluesit të shtetit modern shqiptar, Ismail Qemalit, me rastin e 100-vjetorit të kalimit të tij në përjetësi. Duke u përulur me nderim dhe duke nderuar gjithmonë figura të tilla që kanë bërë kaq shumë për shtetin dhe për kombin tonë, ne përçojmë mesazhin e forcimit të shtetit dhe vendosjes së interesit kombëtar mbi gjithçka tjetër. “Gjithashtu jam i lumtur që Bashkia Kamëz ka shfrytëzuar shumë mirë mundësinë e jashtëzakonshme që kanë aq shumë të rinj e të reja për t’i orientuar në fushën e sportit dhe mendoj se ky është një shembull i shkëlqyer për të gjitha bashkitë e tjera.” – theksoi Presidenti Meta.

Kryebashkiaku Mziu: Qytetarët t’i bashkohen kauzës humane

Kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu, duke vënë në dukje se kjo është vizita e parë e një Presidenti Republike në këtë bashki, falënderoi Presidenti Meta për nismën e ndërmarrë në kuadër të “Aleancës për Dhurimin e Gjakut”, duke i ftuar qytetarët që t’i bashkohen kësaj kauze humane.