Presidenti Meta rrëfen raportet me Dritëro Agollin: Si ka ndikuar personaliteti i tij tek unë

463
Sigal

Presidenti Meta i ftuar sot në emisionin “Opinion” ka rrëfyer raportet e tij me shkrimtarin e madh Dritëro Agolli, i cili sipas tij ka patur një ndikim të madh në fillimet e karrierës së tij si politikan.

PJESË NGA INTERVISTA

BLENDI FEVZIU: Në moshën 22-vjeçare kur ju hytë në Partinë Socialiste që të gjithë ishin të rinj në politikë. Nuk është se kishin ndonjë karrierë të madhe, me përjashtim të dikujt që mund të kishte bërë një lloj karriere në Partinë e Punës, por edhe ajo nuk mund të quhej karrierë, sepse ishte një parti e vetme. Kush ka qenë nga më të moshuarit, por i quaj tani, që ka ndikuar më shumë në fillimet tuaja?

PRESIDENTI META: Mendoj se një ndikim të veçantë ka pasur Dritëro Agolli, për arsye se ishte një figurë shumë e madhe dhe unë duke qenë se isha edhe deputeti më i ri dhe rrija pranë tij…

BLENDI FEVZIU: Një figurë që ishte më e relaksuar për politikën se sa të tjerët?

PRESIDENTI META: Jo, jo! Ishte një figurë që kishte një filozofi krejt tjetër dhe ishte sa i mençur e i ditur, aq edhe “lojtar”, në kuptimin e përshtatjes me të gjitha palët, me situatat e reja. Kishte një pragmatizëm të paparë dhe thellësi mendimi, gjykimi. Në mandatin e parë 1992-1996 pothuajse të gjithë kohën rrinim bashkë, jo vetëm në Parlament, por edhe jashtë Parlamentit. Dilnim bashkë nëpër rrethe, kudo nëpër takime, në Sarandë, në Skrapar, në Korçë, në mbarë Shqipërinë, dhe me Dritëroin mësoje në çdo moment, edhe kur rrije në makinë. Mënyra se si bisedonte me njerëzit, se si këndonte, se si e ç’tensiononte situatën…

BLENDI FEVZIU: E kishte të mirë komunikimin?

PRESIDENTI META: Ai ishte brilant në të gjitha komunikimet. Domethënë edhe me gangsterin dinte si të sillej. Me intelektualë, me fshatarë, me ekstremistë politikë të njërit krah apo të tjetrit. Ishte një figurë jashtëzakonisht krijuese, ishte spontan, ishte i jashtëzakonshëm.

BLENDI FEVZIU: Pra ky ishte po e quajmë një nga personat që luajti një rol ndikimi në fillimet e juaja?

PRESIDENTI META: Po. Ka pasur një rol të veçantë për arsye sepse edhe emri i tij, plus që unë kur kam qenë i ri kam qenë shumë i dhënë edhe pas letërsisë dhe ai ka qenë një shkrimtar e një poet shumë i dashur për mua. Dhe shpesh unë i recitoja poezitë e tij. Ai kënaqej, por nga ana politike për mua ai ishte një shkollë e veçantë.