Presidenti Meta: Rikthen mbrapsht për herë të dytë ligjin “Për Teatrin”. Ka të njëjtat probleme kushtetuese

569
Sigal

Ligji i ri paraqet të njëjtat probleme kushtetuese të evidentuara në dekretin e parë, duke e bërë atë të padekretueshëm për shpallje

Presidenti Meta: Ky ligj nuk ka arritur të zgjidhë në thelb asnjë prej 9 çështjeve dhe problematikave kushtetuese dhe ligjore të evidentuara në dekretin e parë

Kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 37/2018, datë 20.09.2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”. Nr. Dekretit 10908, “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt `Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar`”. Në rastin konkret ndërmjet dy akteve të miratuara nga Kuvendi, ligjit me nr.37 të miratuar më datë 05 korrik 2018 dhe ligjit nr.37 të miratuar në datë 20.09.2018, megjithëse numri i ligjit ka qëndruar i njëjtë, konstatohen ndryshime, qoftë në parashikimet e qëllimit dhe objektit, por dhe në procedurat e mjetet e parashikuara në secilin prej tyre. Pra praktikisht jemi përpara një ligj të ri, i cili përcakton mjete dhe procedura të reja për realizimin e objektit dhe qëllimit të tij. Këto gjetje, besojmë se kanë qenë dhe arsyet që kanë bindur Kuvendin që me shkresën nr. prot 2288/3 datë 24.09.2018, të kërkojë sërish shprehjen e vullnetit të Presidentit për dekretimin dhe shpalljen e ligjit të ri të miratuar më datë 20.09.2018. Në shqyrtim të kërkesës së Kuvendit, Presidenti i Republikës, vlerësoi përputhshmërinë e këtij ligji të ri në raport me Kushtetutën e vendit, interesin publik, ruajtjen e vlerave historike të trashëgimisë kulturore dhe identitetit kombëtar, krahasuar dhe në raport edhe me arsyet e dhëna nga Presidenti i Republikës në dekretin nr. 10 849, datë 27.07.2018 dhe të pranuara nga Kuvendi. Në përfundim të shqyrtimit të ligjit nr. 37/2018, të miratuar nga Kuvendi më datë 20.09.2018, Presidenti i Republikës, ka arritur në konkluzionin se, ky ligj nuk ka arritur të zgjidhë në thelb asnjë prej 9 (nëntë) çështjeve dhe problematikave kushtetuese dhe ligjore të evidentuara në dekretin e Presidentit të Republikës nr. 10849, datë 27.07.2018, edhe pse ky dekret rezulton të jetë miratuar në tërësi nga Kuvendi. Kuvendi megjithëse është përpjekur që të plotësojë vetëm 1 (një) prej konstatimeve kushtetuese të Presidentit të Republikës dhe që kishte të bënte me trajtimin preferencial dhe jo të barabartë të një subjekti privat, sërish edhe me ligjin e ri të miratuar, Kuvendi rezulton se nuk ka arritur ta zgjidhë edhe këtë çështje. Ligji i ri nr. 37, dt 20.09.2018, paraqet sërish probleme kushtetuese, në tërësi ligji i ri nr.37, datë 20.09.2018, paraqet të njëjtat probleme kushtetuese të evidentuara nga Presidenti i Republikës në dekretin e tij, duke e bërë atë të padekretueshëm për shpallje.

Së pari, veprimtaria parlamentare e zhvilluar për miratimin e ligjit të ri nr.37, datë 20.09.2018, ka shmangur sërish zbatimin e parimeve kushtetuese. Kuvendi nuk ka shqyrtuar 8 (tetë) nga 9 arsyet e dhëna nga Presidenti i Republikës në dekretin nr. 10 849, dt 27.07.2018, duke shmangur kështu zgjidhjen e çështjes dhe duke krijuar sërish një normë të re ligjore antikushtetuese. Nga shqyrtimi i praktikës parlamentare, rezulton se Kuvendi nuk ka argumentuar ndonjë pretendim kundër dekretit të Presidentit, si dhe nuk ka rrëzuar asnjë prej arsyeve të mësipërme, por në seancën plenare të datës 20 shtator 2018, me Vendim nr. 96/2018”, ka vendosur për: “Miratimin e dekretit nr.10849, datë 27.07.2018, të Presidentit të Republikës `Për kthimin e ligjit nr.37/2018 (të datës 05.07.2018). Në të njëjtën seancë plenare Kuvendi ka miratuar, një ligj të ri, i cili është numërtuar sërish me nr.37, por me datë 20.09.2018 dhe me titull “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt `Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar`”, duke pretenduar se tashmë me këtë ligj të ri gjejnë zgjidhje çështjet e ngritura nga Presidenti i Republikës në dekretin e tij. Në thelb ky ligj i ri nuk ka arritur të zgjidhë asnjë prej çështjeve dhe problematikave kushtetuese dhe ligjore të evidentuara nga Presidenti në dekretin nr. 10849, datë 27.07.2018, edhe pse ky dekret rezulton të jetë miratuar në tërësi nga Kuvendi. Praktika e shqyrtimit parlamentar të këtij ligji të ri, evidenton faktin se Kuvendi nuk ka kryer ndonjë studim, shqyrtim apo vlerësim krahasues dhe të thelluar midis, dispozitave të reja ligjore që po shqyrtonte për miratim, me arsyet e dekretit të Presidentit nr. 10849, datë 27.7.2018, që tashmë po vetë Kuvendi kishte votuar për pranimin e tij. Në këtë mënyrë rezulton se, veprimtaria e Kuvendit, është e pambështetur në ndonjë vlerësim tekniko-ligjor, për çështjet e ngritura nga Presidenti i Republikës në dekretin e tij. Kuvendi ka votuar sërish një projekt të ri ligjor, të pajustifikuar dhe që në realitet nuk ofron asnjë zgjidhje për problematikat kushtetuese të konstatuara nga Presidenti i Republikës në dekretin e tij. Kuvendi, me miratimin e dekretit të Presidentit të Republikës, ka pranuar të gjitha arsyet që e shoqërojnë atë.

Së dyti, edhe ligji i ri nr.37/2018, datë 20.09.2018, sërish nuk garanton zbatimin e parimeve të “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve”, parime këto të cilat gëzojnë një mbrojtje të veçantë nga Kushtetuta. Edhe pse kjo është e vetmja çështje e shqyrtuar nga Kuvendi, sërish parashikimet e reja ligjore nuk e kanë zgjidhur situatën antikushtetuese të konstatuar nga Presidenti i Republikës në dekretin e tij të mëparshëm. Pikërisht shkelja e parimeve kushtetuese të barazisë përpara ligjit dhe lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve, ishte një nga arsyet, por jo e vetmja, që Presidenti i Republikës, me dekretin nr.10 849, datë 27.07.2018, vendosi ta kthente ligjin për rishqyrtim në Kuvend. Kuvendi me ligjin e ri të paraqitur për shpallje është përpjekur të përcaktojë se për realizimin e këtij projekti, do të kemi tashmë një garë të hapur ku do të mund të përzgjidhet personi fizik apo juridik, me të cilin shteti do të negociojë për nënshkrimin e një kontrate bashkëpunimi. Konkretisht në nenin 3, pika 4, 5, 11 të ligjit parashikohet: “4.“Palë private” është çdo subjekt privat që paraqet një propozim për zhvillimin e projektit te? zhvillimit te? zonës se? Teatrit Kombëtar, duke përfshirë? projektimin, ndërtimin dhe dorëzimin e godinës se? re te? Teatrit Kombëtar. 5.“Palë private e përzgjedhur” është pala private, propozimi i së cilës ka rezultuar në përputhje me kërkesat e këtij ligji, më i favorshmi në raport të interesit publik, si dhe është klasifikuar e para nga komisioni. Në pamje të parë, duket sikur tashmë do të kemi një procedurë konkurrimi të lirë dhe që respekton kërkesat kushtetuese për veprimtari të lirë ekonomike dhe trajtim të barabartë, por nëse shqyrtojmë dispozitat e mëtejshme ku përcaktohen kërkesat, mjetet dhe kriteret sesi kjo garë realizohet, arrijmë në konkluzionin logjik se sërish edhe kjo normë ligjore paraqet elementë që cenojnë drejtpërdrejt konkurrencën e lirë, trajtimin e barabartë dhe nuk garanton që procesi do të jetë objektiv dhe i ndershëm. Pra në thelb vendosja e këtij parashikimi ligjor përbën një kusht parakualifikues për të marrë pjesë në garë, duke e bërë kështu një proces selektiv konkurrimi. Për këtë është me rëndësi të evidentohet se: Është fakt që, Kuvendi i Shqipërisë, me propozimin e Kryetarit të Bashkisë Tiranë dhe më pas të qeverisë, u investua me procedurë të përshpejtuar në shqyrtimin e propozimit dhe miratimin e ligjit nr. 37, datë 05.07.2018, duke përzgjedhur me ligj bashkëpunimin me shoqërinë propozuese “Fusha” sh.p.k, si një nga pronarët e pasurive prone private në këtë zonë. Gjithashtu është fakt i bërë publik, që në zonën e përcaktuar për realizimin e këtij projekti ndërmjet rrugëve “Abdi Toptani” dhe “Murat Toptani”, shoqëria propozuese “Fusha” sh.p.k. ka në pronësi pasuri të paluajtshme truall dhe ndërtesa. Në këtë situatë faktike, ku shoqëria “Fusha”, sh.p.k, rezulton pronare në zonën objekt zhvillimi, vendosja e këtij kushti nëpërmjet ligjit dhe mosparashikimi në ligj i rolit të shtetit si garant për një proces të hapur dhe transparent konkurrimi, sjell si rezultat të vetëm realizimin e një procesi selektiv konkurrimi në kushte aspak të barabarta. Kjo sepse ligji i ri në fakt parashikon se çdo subjekt që dëshiron të konkurrojë, është i detyruar që të lidhë, apo të ketë lidhur marrëveshje me pronarët e truallit, ku një prej tyre rezulton të jetë propozuesi i parë i këtij projekti, me të cilin Kuvendi me procedurë të përshpejtuar kishte përcaktuar për të bashkëpunuar me të, me trajtim preferencial nëpërmjet një ligji të veçantë, tashmë të rrëzuar. Kuvendi nuk ka parashikuar asnjë zgjidhje për rolin garantues të shtetit në kushtet kur të drejtat e pronësisë private të një, apo disa pronarëve mund të diktojnë pjesëmarrjen në konkurrim. Referuar gjithë sa u parashtrua më sipër, duke vlerësuar me shqetësim situatën e krijuar dhe në kushtet kur;

– Kuvendi ka miratuar një ligj të ri nr. 37, datë 20.09.2018, i cili në thelb paraqet të njëjtat problematika kushtetuese dhe nuk ka reflektuar dhe korrigjuar problematikat e konstatuar në ligjin e mëparshëm;

– Dekreti i Presidenti nr.10849, datë 27.07.2018, është miratuar nga Kuvendi dhe nuk e ka humbur kështu fuqinë e tij;

– Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, nuk është funksionale për t’u shprehur përfundimisht mbi këtë çështje;

– Si dhe në respekt të parimeve kushtetuese që garantojnë identitetin kombëtar dhe trashëgiminë kulturore, me vullnetin që interesi publik të mos cenohet nga tjetërsimi jo objektiv i pasurisë publike, si dhe për të garantuar që rendi juridik i normave të legjislacionit shqiptar është i njëjtë dhe i barabartë për të gjithë;

Presidenti i Republikës, në bindje të Kushtetutës së Shqipërisë, dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në nenin 84 dhe 85 pika 1 të saj, ka vendosur kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit të ri nr.37/2018, datë 20.09.2018. Presidenti i Republikës, bazuar në nenin 85 pika 1, 86 pika 1, 92/a, 93, të Kushtetutës, i përcjellë Kuvendit rekomandimin që kjo çështje duhet të marrë kohën dhe vëmendjen e duhur, në mënyrë që ligji nr.37/2018, datë 20.09.2018 të rishqyrtohet, bazuar në argumentet mësipërme dhe atyre të dhëna në dekretin nr. 10849, datë 27.07.2018, që paraqiten, si më poshtë :

  1. Ligji shkel parimet e “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve”, parime këto që gëzojnë një mbrojtje të veçantë nga Kushtetuta;
  2. Ligji nr. 37/2018 nuk është në harmoni me parimet themelore kushtetuese të identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kombëtare, mbi të cilat qytetarët e Republikës së Shqipërisë kanë vendosur të ngrenë dhe zhvillojnë shtetin e tyre;
  3. Ligji nr. 37/2018 bie ndesh me parimet e Konventës Evropiane të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, miratuar në Paris në vitin 2003, duke bërë kështu që veprimtaria legjislative të bjerë ndesh edhe me të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për zbatim;
  4. Ligji nr.37/2018 cenon rëndë parimet kushtetuese të ndërtimit dhe funksionimit të organeve të pushtetit vendor të “decentralizimit” dhe “autonomisë vendore”, duke rënë ndesh, njëkohësisht, edhe me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve;
  5. Ligji nr.37/2018 vjen në kundërshtim me standardet dhe vlerat e Bashkimit Evropian dhe parashikimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), plotësimi i të cilave është detyrim parësor për Republikën e Shqipërisë;
  6. Propozimi i projektligjit, por edhe vetë ligji i miratuar nr. 37/2018, nuk mbështetet në një vlerësim gjithëpërfshirës dhe të plotë për tjetërsimin e pronës publike, krahasuar me përfitimet ekonomike të shtetit shqiptar dhe interesin publik;
  7. Ligji nr. 37/2018, nuk është në harmoni me parimet dhe standardet e vendosura tashmë në legjislacionin në fuqi në Republikën e Shqipërisë;
  8. Miratimi i ligjit nr. 37/2018, nuk është bazuar në një verifikim dhe vlerësim të thelluar të statusit të pasurive të paluajtshme që përfshihen në këtë projekt, si dhe dispozitat e këtij ligji krijojnë pasiguri juridike në ushtrimin e të drejtave pronësore qoftë për pasurinë publike, por dhe mbi të drejtat private të pronësisë;
  9. Në kushtet aktuale, kur Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë nuk është funksionale për të verifikuar këto konstatime apo për të zgjidhur çdo mosmarrëveshje kushtetuese që mund të prodhojë hyrja në fuqi e kësaj norme të veçantë ligjore, ftoj Kuvendin e Shqipërisë, të rishqyrtojë në tërësi ligjin nr.37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt: Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”.

 

Meta takon nxënësit arbëreshë: Elita intelektuale, rol të pazëvendësueshëm në ruajtjen e gjuhës e traditave

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka pritur në një takim te veçante një grup nxënësish të Kolegjit arbëresh “Shën Adriano” në Shën Mitër Koronë, institucionin arsimor ku ka dhënë mësim Jeronim de Rada dhe ka studiuar Luigj Gurakuqi. Takimin e ka bërë publik në faqen e tij në facebook vetë kreu i shtetit, i cili shkruan se “Elita intelektuale e arbëreshëve të Italisë, me përkushtimin dhe dashurinë ndaj mëmëdheut të tyre, kanë rol të pazëvendësueshëm në ruajtjen e gjuhës, traditave e riteve të të parëve, si dhe përcjelljen e tyre te brezat e rinj” Ja postimi i plotë i Metës në facebook:

Mirëprita me shumë kënaqësi, një grup nxënësish të Kolegjit arbëresh “Shën Adriano” në Shën Mitër Koronë, institucionin arsimor ku ka dhënë mësim Jeronim de Rada dhe ka studiuar Luigj Gurakuqi. Elita intelektuale e arbëreshëve të Italisë, me përkushtimin dhe dashurinë ndaj mëmëdheut të tyre, kanë rol të pazëvendësueshëm në ruajtjen e gjuhës, traditave e riteve të të parëve, si dhe përcjelljen e tyre te brezat e rinj. I inkurajova, jo vetëm të forcojnë më tej inteligjencën arbëreshe, por edhe të rrisin shkëmbimet kulturore me bashkëmoshatarët e tyre në Shqipëri, si mënyra më e mirë për t’u njohur dhe afruar më shumë me njëri-tjetrin. Ju premtova se shumë shpejt do t’i vizitoj edhe unë në Kolegjin e tyre, shumë të dashur për të gjithë shqiptarët.

Presidenti Meta vlerëson koncertin e sopranos Blerta Zhegu

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka bërë publik në një mesazh në facebook vlerësimin e tij për koncertin e sopranos Blerta Zhegu. Ja postimi i Kreut të Shtetit:

Pata kënaqësinë e veçantë të ndiqja mbrëmë koncertin e sopranos, Blerta Zhegu, e shoqëruar nga Orkestra e Harqeve të Klubit të Artit dhe Kulturës “SIGAL Uniqa”. Ishte një shpalosje e mrekullueshme e talenteve të rralla shqiptare në kuadër të Vitit Evropian të Trashëgimisë Kulturore, të shpallur nga Bashkimi Evropian.

Ish-ministri i Jashtëm Mustafaj: Presidenti po i jep shansin qeverisë që të reflektojë

Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj deklaroi se rikthimi i ligjit për Teatrin Kombëtar nga Presidenti Ilir Meta është një shans që kreu i shtetit po i jep mazhorancës që të tërhiqet nga projekti i saj. Besnik Mustafaj u shpreh se vendimi i kreut të shtetit përmbush pritshmërinë e shumicës së opinionit publik në vend. “Presidenti Meta i ka dhënë dhe një shans tjetër qeverisë për të reflektuar. E përshëndes veprimin e Presidentit Meta!”,- tha Mustafaj. Ish-ministri ka theksuar se kreu i shtetit nuk është përfshirë politikisht në çështjen e Teatrit Kombëtar, por ka mbajtur një qëndrim korrekt ligjor, duke treguar problemet kushtetuese që ka shembja e kësaj godine historike. “Z. Meta ka ditur të ruaj anën parimore dhe të mbaj larg institucionin e Presidencës gjithë kësaj kohe. Presidenti Meta nuk është partizan politik, nuk jam nga ata që mendoj se Meta ka ruajtur këtë ligj për të nxjerrë inatet me Ramën. Meta prej kohësh është në pozicionin e tij institucional larg konflikteve”,- shprehet Besnik Mustafaj. Ish-ministri ka kritikuar dhe qëndrimin e mazhorancës lidhur me shembjen e Teatrit Kombëtar. Ai tha se kontrata mes Qeverisë dhe firmës private është një marrëveshje okulte biznesi. “Qeveria dhe Bashkia janë peng i një marrëveshjeje.”