Presidenti Meta reagon për universitetet: Sfidat e arsimit të lartë kërkojnë reflektim pozitiv e jo arrogancë

687
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, ka reaguar në lidhje me situatën e universiteteve në vendin tonë dhe problematikat me arsimin e lartë. Duke folur gjatë analizës vjetore të KLSH-së, Presidenti Meta është shprehur se problemet e arsimit të lartë i takojnë të gjithë shoqërisë dhe se nevojitet një reflektim pozitiv, larg komunikimit arrogant, për të konsoliduar reformat. 
“Të gjithë duhet të jemi më të vëmendshëm ndaj universiteteve! Duhet të jemi edhe më mbështetës, pasi problemet e arsimit të lartë nuk u takojnë vetëm universiteteve, qeverisë apo institucioneve, por i takojnë të gjithë shoqërisë. Dhe ne e dimë se arsimi i lartë ndeshet ende me sfida mjaft të vështira. Njëkohësisht edhe me vështirësi dhe sfida për zbatimin e ligjit të arsimit të lartë, por jam i bindur që të gjitha këto zgjidhen përmes një reflektimi vetëm pozitiv nga të gjithë aktorët, larg çdo komunikimi arrogant, i cili nuk na ndihmon për t’i konsoliduar reformat dhe për të përmirësuar impaktin e tyre në shoqëri, aq më tepër te të rinjtë dhe te fëmijët tanë”, – tha Presidenti Meta, duke theksuar se standardet e autonomisë universitare e lirive akademike janë jetike për demokracinë.
“Dua të shpreh bindjen time që respektimi i autonomisë universitare dhe lirive akademike është një standard i rëndësishëm për demokracinë e një vendi që dëshiron të jetë anëtar i barabartë me gjithë vendet e tjera në Bashkimin Evropian”, – deklaroi ndër të tjera Presidenti i Republikës gjatë fjalë së tij.
Sigal