Presidenti Meta: Prokuroria të hetojë dosjet, media të mos intimidohet nga urdhrat për ndalimin e publikimeve

470
Sigal

Presidenti Ilir Meta reagon ndaj urdhrit arbitrar të Prokurorisë, pas audio-përgjimeve në “Bild”

 Prokuroria të hetojë dosjen, media të mos intimidohet nga urdhrat për ndalimin e publikimeve

Pas publikimeve të përgjimeve ditën e djeshme nga gazeta gjermane Bild ka reaguar Presidenti i Republikës Ilir Meta. Kreu i shteti në deklaratën e tij për mediat shpreh shqetësimin për publikimet e bisedave telefonike të funksionarëve politikë me persona publikë. “Presidenti i Republikës Ilir Meta ka ndjekur me shumë vëmendje dhe shqetësim të thellë publikimet e gazetës së njohur gjermane “Bild”, të interceptimeve të bisedave telefonike mes disa funksionarëve publikë në Qarkun e Durrësit me persona me precedentë kriminal gjatë procesit të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017”-thuhet në deklaratë. “Presidenti i Republikës shprehu shqetësim edhe me urdhrin të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda thekson se: Referencat ligjore të nenit 104 të Kodit të Procedurës Penale, nenit 295/a, paragrafi i 3-të të Kodit Penal, të përdorura nga organi i Prokurorisë përcaktojnë detyrime ligjore që i adresohen për zbatim punonjësve të shtetit dhe nxjerrja e një urdhri të tillë, indirekt intimidon median e lirë, ç’ka është e papranueshme për një shoqëri demokratike. Reagimi: Presidenti i Republikës Ilir Meta ka ndjekur me shumë vëmendje dhe shqetësim të thellë publikimet e gazetës së njohur gjermane “Bild”, të interceptimeve të bisedave telefonike mes disa funksionarëve publikë në Qarkun e Durrësit me persona me precedentë kriminal gjatë procesit të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017. Presidenti i Republikës gjithashtu është njohur edhe me reagimin e organit të Prokurorisë ndaj publikimit të këtyre interceptimeve, që nëpërmjet një urdhërese kërkon ndalimin e publikimit të tyre në media. Presidenti i Republikës duke shprehur shqetësim të thellë në lidhje me këtë urdhër të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda thekson se: Referencat ligjore të nenit 104 të Kodit të Procedurës Penale, nenit 295/a, paragrafi i 3-të të Kodit Penal, të përdorura nga organi i Prokurorisë përcaktojnë detyrime ligjore që i adresohen për zbatim punonjësve të shtetit dhe nxjerrja e një urdhri të tillë, indirekt intimidon median e lirë, ç’ka është e papranueshme për një shoqëri demokratike. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, mbron të drejtën themelore të qytetarëve për informim.

Neni 22 i Kushtetutës sanksionon qartë se:

  1. Liria e shprehjes është e garantuar.
  2. Liria e shtypit, e radios dhe e televizionit është e garantuar.
  3. Censura paraprake e mjeteve të komunikimit ndalohet.

Ndërsa neni 23, pika 1 sanksion qartë se: E drejta e informimit është e garantuar. Asnjë urdhër nuk mund të ketë autoritet mbi këtë të drejtë themelore kushtetuese të medias së lirë e të pavarur. Presidenti i Republikës, inkurajon organin e Prokurorisë të hetojë me përparësi, paanësi dhe profesionalizëm këtë dosje të bërë publike por edhe çdo dosje tjetër që ka të bëjë me manipulimin e zgjedhjeve apo intimidimin e qytetarëve me qëllim deformimin e vullnetit te tyre të lirë dhe shtrembërimin e rezultatit të zgjedhjeve. Çdo vonesë në hetimin dhe zbardhjen e së vërtetës nga ana e organit të Prokurorisë, nuk i shërben interesit publik të përgjithshëm. Presidenti i Republikës mbështet reagimin e sotëm të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë lidhur me këtë çështje dhe inkurajon të gjithë gazetarët kurajozë në denoncimin e fakteve dhe të dhënave kriminale. Rikthimi i besimit tek zgjedhjet e lira dhe të ndershme është vendimtar jo vetëm për bashkëjetesën tonë të shëndetshme demokratike si shoqëri, por edhe për çeljen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian sa më parë.