Presidenti Meta priti Ambasadorin e Mbretërisë së Norvegjisë, Per Strand Sjaastad

667
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, priti sot në një takim të veçantë Ambasadorin e Mbretërisë së Norvegjisë, zotin Per Strand Sjaastad.
Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera politike midis dy vendeve dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen teknike dhe asistencën financiare që Norvegjia i ka dhënë Shqipërisë ndër vite. 
Në mënyrë të veçantë Presidenti Meta vlerësoi rolin dhe kontributin e kompanive të mirënjohura norvegjeze si Statoil dhe Statkraft në fushën e energjisë në Shqipëri.
Presidenti Meta nënvizoi nevojën e një bashkëpunimi më të ngushtë në funksion të shfrytëzimit më të mirë të burimeve të mëdha hidrike dhe detare që dy vendet kanë.
Duke iu referuar bashkëpunimit në fushën e turizmit Presidenti Meta përshëndeti vendimin për të filluar fluturimet e drejtpërdrejta ajrore, mes Oslos dhe Tiranës, në sezonin veror dhe shprehu besimin se kjo do të ndikojë ndjeshëm në rritjen e shkëmbimeve turistike midis dy vendeve.
Presidenti Meta, vlerësoi në mënyrë të veçantë mbështetjen politike dhe financiare që Norvegjia ka dhënë për njohjet ndërkombëtare dhe zhvillimin e Kosovës, si dhe për angazhimin dhe kontributin për stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Sigal