Presidenti Meta pritet nga Presidenti francez Macron në Pallatin Elysee

544
Sigal

Presidenti Meta merr pjesë në Ceremoninë e 100-vjetorit të Armëpushimit të Luftës së Parë Botërore Paris, Francë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë, me ftesë të Presidentit të Republikës Franceze, Emmanuel Macron në përkujtimin festiv të 100-vjetorit të Armëpushimit të Luftës së Parë Botërore, të zhvilluar me ceremoni simbolike dhe paradë ushtarake në Harkun e Triumfit në Paris. Në nisje të këtij aktiviteti zyrtar, ku ishin të pranishëm edhe Presidenti i SHBA, Donald Trump, Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres e liderë të tjerë botërorë, Presidenti Meta u prit në një ceremoni shtetërore në Pallatin Elysee nga homologu i tij francez Emmanuel Macron dhe Zonja e Parë Brigitte Macron.

Presidenti Meta në Pallatin Elysee: Në nderim të paqes e lirisë dhe në respekt të sakrificave

Kreu i shtetit, Ilir Meta është pritur sot nga Presidenti i Francës Emmanuel Macron në Pallatin Elysee. Vizita e Metës në Francë bëhet me rastin e 100-vjetorit të Armëpushimit të Luftës së Parë Botërore dhe Forumit të Paqes, ku marrin pjesë shumë liderë botërore. “Kënaqësi të pritesha sot në Pallatin Elysee nga Presidenti Emmanuel Macron dhe Zonja e Parë Brigitte Macron në kuadër të ceremonisë madhështore të organizuar me rastin e 100-vjetorit të Armëpushimit të Luftës së Parë Botërore dhe Forumit të Paqes. Në nderim të paqes e lirisë dhe në respekt të sakrificave dhe të rënëve gjatë Luftës së Parë Botërore, si një mësim për të qëndruar së bashku rreth vlerave morale të popujve, vlera që na detyrojnë të punojmë me përgjegjësi për një botë në paqe dhe një shoqëri në themel të cilës të qëndrojnë harmonia, miqësia e respekti i ndërsjellë”, – shkruan Presidenti Meta në rrjetin e vet social.

Presidenti Ilir Meta takon në Paris edhe Presidentin e Italisë Mattarella

Presidenti Ilir Meta, është takuar në Paris, edhe me Presidentin e Italisë, Sergio Mattarella. Presidenti Meta, shkruan: Edhe në Paris me Presidentin e Italisë, Sergio Mattarella duke ndarë mbresat e paharruara dhe emocionet e takimit historik me arbëreshët në Kalabri.

Presidenti Meta me kryeministrin Rasmussen: Ke ç‘mëson nga Danimarka

Presidenti i Republikës, Ilir Meta gjatë qëndrimi në Francë me ftesë të Presidentit, Emanuel Macron, ka pasur takime me krerë të lartë shtetesh nga Evropa, por edhe më gjerë. Kreu i shtetit shqiptar gjatë takimit me kryeministrin e Danimarkës, Lars Lokke Rasmussen shkruan, se gjithmonë ke çfarë të mësosh nga ky vend, i cili siç thekson Meta, është modeli i demokracisë dhe i respektimit të të drejtave të njeriut. Meta pohon gjithashtu se gjatë takimit kanë biseduar për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe përmirësimin e tyre akoma më tej në të ardhmen. “ Bisedë e përzemërt me Lars Lokke Rasmussen, Kryeministrin e Danimarkës, këtij vendi model të demokracisë e të drejtave të njeriut. Kënaqësi të bisedonim për të ardhmen e marrëdhënieve tona. I lumtur të dëgjoja prej tij fjalët më të mira për oponentët e tij kryesorë, të cilët janë ndër miqtë e mi më të mirë por edhe të Shqipërisë. Nga Danimarka ke gjithmonë për të mësuar”, – shkruan Presidenti Meta.

Presidenti Meta takon Netanyahun: Një marrëdhënie unike mes dy popujve

Presidenti i Republikës, Ilir Meta është takuar në Paris me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu. Meta shprehet përmes një postimi në Facebook se mes dy vendeve ekziston një marrëdhënie unike. “Kënaqësi të takohesha në Paris me Kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu. Një marrëdhënie unike mes popujve tanë në respekt e mirënjohje të historisë dhe të dëshirës për një marrëdhënie edhe më të ngushtë në të ardhmen. ”- shkruan Presidenti Meta. Presidenti Meta ndodhet në Paris me rastin e një ceremonie për 100 vjetorin e mbarimit të Luftës së Parë Botërore.