Presidenti Meta: Pret përfaqësues të Parlamentit Çek dhe ambasadorin e Zvicrës për pranimin e letrave kredenciale

468
Sigal

Presidenti Meta priti Kryetarin e Komisionit të Bujqësisë në Parlamentin e Çekisë, Jaroslav Faltýnek

Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti në një takim një delegacion të Parlamentit të Çekisë, të kryesuar nga Jaroslav Faltýnek, Kryetar i Komisionit të Bujqësisë. Presidenti Meta vlerësoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë e Çekisë janë shumë të mira dhe theksoi se bashkëpunimi mes dy vendeve është intensifikuar ndjeshëm në vitet e fundit në të gjitha fushat. Zhvillimi dhe modernizimi i sektorit të bujqësisë, agro-turizmit dhe industrisë ushqimore ishin disa nga çështjet kryesore në fokus të takimit. “Ne ju jemi shumë mirënjohës të rinjve dhe të rejave çekë të cilët kanë treguar një lidership të shkëlqyer për eksplorimin dhe promovimin ndërkombëtar të shumë bukurive të rralla dhe të panjohura të turizmit tonë malor. Ka ardhur koha që të kemi një linjë ajrore direkte mes Pragës dhe Tiranës, funksionale gjatë gjithë vitit, që do t’i fuqizonte akoma më tepër marrëdhëniet mes dy vendeve dhe popujve tanë”, – tha Presidenti Meta.

Ambasadori i ri i Zvicrës, Adrian Maître, i paraqiti Letrat Kredenciale Presidentit Meta

Presidenti i Republikës, Ilir Meta pranoi dje Letrat Kredenciale nga Ambasadori i ri i Konfederatës Zvicerane, Andre Maître. Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe asistencën teknike zvicerane, për Shqipërinë, që nga viti 1992. Duke u ndalur në mundësitë e forcimit të bashkëpunimit ekonomik, Presidenti Meta nënvizoi se numri i investimeve dhe pranisë së kapitaleve dhe kompanive zvicerane në Shqipëri, është rritur ndjeshëm në vitet e fundit. “Krijimi para një viti i Dhomës së Tregtisë Zvicër-Shqipëri është shumë pozitiv dhe mundësitë për bashkëpunim në këtë drejtim janë të shumta”, – u shpreh Presidenti Meta. Në mënyrë të veçantë, Presidenti Meta, vlerësoi vijimin nga Zvicra të Strategjisë së Zhvillimit për Shqipërinë, për periudhën 2018-2021, të cilën e konsideroi si një mundësi shumë të mirë për të mbështetur pushtetin vendor dhe luftuar varfërinë në zonat e thella të vendit. Një vlerësim të veçantë Presidenti Meta e bëri edhe për mbështetjen që Zvicra i ka dhënë e po i jep arsimit profesional në Shqipëri, duke kontribuar kështu për një formim profesional më të mirë të të rinjve shqiptarë. Presidenti Meta, shprehu mirënjohjen për lehtësirat që autoritetet qendrore dhe vendore zvicerane kanë krijuar për integrimin e komunitetit shqiptar në jetën sociale të vendit, si dhe mbështetjen e tyre për të shpalosur aftësitë në fusha të ndryshme, kulturore, sportive apo ekonomike.

Presidenti Meta vlerëson rekordmenin e atletikës Sadik Demiraj (pas vdekjes) me Titullin “Mjeshtër i Madh”

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi gjatë një ceremonie solemne, ku ishin të pranishëm familjarë, kolegë dhe anëtarë të Shoqatës Kombëtare “Skënderbegasi”, rekordmenin e atletikës shqiptare, Sadik Demirajn (pas vdekjes) me Titullin “Mjeshtër i Madh”: “Për kontributin e njohur shumëvjeçar si atlet kampion dhe rekordmen në vite; për rolin e tij si studiues e drejtues i sportit shqiptar, si dhe për përfaqësimin dinjitoz të sportit në arenën ndërkombëtare”. Presidenti Meta vuri në dukje se: “Shembulli i jetës, veprimtarisë dhe rezultateve të Sadik Demirajt, të cilin sot nuk e kemi midis nesh, ka qenë dhe mbetet një shembull sportiv, sidomos për të rinjtë e sotëm dhe atletët e së ardhmes. Ai ishte një nga atletët më të shquar të sportit shqiptar si dhe një nga pionierët e rekordmenët më të njohur në Shqipëri. Sadik Demiraj mbetet një specialist i fushës së atletikës, i cili gjatë gjithë jetës iu përkushtua këtij sporti të bukur, i palodhur dhe i papërtuar, duke ndihmuar edhe në organizimin e aktiviteteve të veteranëve të atletikës. Titulli ‘Mjeshtër i Madh’ që i akordohet sot njërit prej përfaqësuesve më të spikatur të atletikës shqiptare, Sadik Demiraj, është një vlerësim i punës, sakrificave, rezultateve, respektit, miqësisë, thjeshtësisë dhe korrektësisë, që e karakterizonte këtë figurë të sportit shqiptar, vlera të cilat duhet të kthehen në shembull dhe frymëzim për të gjithë sportistët tanë, sidomos për më të rinjtë”, – u shpreh Presidenti i Republikës Ilir Meta.