Presidenti Meta pret ministrin e Brendshëm francez: Luftë krimit të organizuar. Takime dhe me Xhafën

630
Meta: Shqipëri-Francë, luftë ndaj krimit të organizuar

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, priti dje ministrin e Shtetit dhe Ministër i Brendshëm të Republikës Franceze, Zherard Kolomb. Presidenti Meta përshëndeti vizitën e ministrit Kolomb në Tiranë dhe e konsideroi atë shprehje të qartë, të vullnetit të përbashkët, për të forcuar dhe intensifikuar edhe më tej bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe çështjet e brendshme. Sipas njoftimit zyrtar, Kreu i Shtetit vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira, tradicionale e të partneritetit strategjik mes dy vendeve dhe shprehu besimin se ky partneritet do të thellohet edhe më shumë, në të gjitha nivelet e bashkëpunimit. Në mënyrë të veçantë, Presidenti Meta u ndal në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, duke theksuar se agjencitë ligj-zbatuese shqiptare e franceze duhet të bashkëpunojnë e koordinojnë më mirë për të goditur me efikasitet grupet kriminale që veprojnë në të dy vendet. “Bashkëpunimi i suksesshëm në këtë drejtim do të forconte sundimin e ligjit në Shqipëri dhe do ta afronte më shumë vendin me Bashkimin Evropian”, nënvizoi presidenti Meta. Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan progresin e bërë në parandalimin e fenomenit të emigrimit të paligjshëm dhe të azilkërkuesve nga Shqipëria, si dhe ndanë të njëjtin mendim se kjo frymë bashkëpunimi duhet të vijojë edhe në të ardhmen. Presidenti Meta vlerësoi gjithashtu vëmendjen e veçantë që Franca po i kushton, gjithnjë e më shumë, rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe bashkëpunimit mesdhetar, si dhe përshëndeti iniciativat franceze për një prezencë më të madhe në Shqipëri e rajon.
Sigal