Presidenti Meta pret fëmijët me rastin e festës së tyre, 1 Qershorit

647
Sigal

Me rastin e 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Presidenti i Republikës Sh. T. Z. Ilir Meta priti sot në Institucion fëmijë të moshave të ndryshme, mes të cilëve edhe nxënësit e shkollës së fshatit Hajmel i Shkodrës. Tema e veprimtarisë festive ishte: “Çdo fëmijë është një lule dhe të gjithë së bashku, e bëjnë këtë botë një kopsht të mrekullueshëm”. Në kujdesin e Presidentit të Republikës fëmijët kaluan një ditë feste në kopshtin e Institucionit të mbushur me veprimtari krijuese duke vizatuar, duke luajtur e argëtuar me bashkëmoshatarët e tyre, në praninë e prindërve dhe mësuesve të tyre. Tema e vizatimeve dhe punimeve të fëmijëve ishin kryesisht lulet me ngjyrat e ndezura pranverore. Punimet dhe krijimet plot fantazi të fëmijëve u ekspozuan më pas në kopshtin e Presidencës. Gjatë bashkëbisedimit me ta, Presidenti Meta theksoi: “Falënderoj fëmijët të cilët janë këtu në këtë ditë të jashtëzakonshme të 1 Qershorit, që është dita e fëmijëve. Këtej kemi festë, kemi gëzim, kemi piktura plot ngjyra, nga ana tjetër kishim një peticion nga organizatat e shoqërisë civile, të cilat kërkojnë një vëmendje më të madhe për të drejtat e fëmijëve në vendin tonë, në mënyrë që çdo fëmijë kudo ku jeton të ketë mundësi të gëzojë, jo vetëm më 1 qershor, por njëkohësisht të ketë mundësi për të përfituar shërbime sa më të mira në të gjithë vendin për të gjithë vitin.