Presidenti Meta përshëndet promovimin e librit të Presidentit Xi Jinping “Qeverisja e Kinës”

429
Presidenti i Republikës, Sh. T.Z. Ilir Meta mori pjesë dhe përshëndeti veprimtarinë e Ambasadës kineze të zhvilluar në Muzeun Historik Kombëtar me rastin e 68-vjetorit të themelimit të Republikës Popullore të Kinës si dhe promovimit të botimit në shqip të librit të Presidentit Xi Jinping, të titulluar “Qeverisja e Kinës”. Gjatë fjalës së tij Presidenti Meta u shpreh botimi në shqip i librit të Presidentit Xi Jinping është një mundësi për të njohur dhe kuptuar më mirë Kinën e sotme, filozofinë dhe vizionin e lidershipit të saj, reformat e ndërmarra dhe ndryshimet e thella, ambiciet e saj ekonomike dhe hapjen ndaj investimeve të huaja, rolin e saj të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare, jo vetëm për studiuesit, diplomatët, por edhe për lexuesit e thjeshtë. “Presidenti Xi Jinping thekson në librin e tij nevojën e ndërveprimit të Kinës me vende e rajone të tjera, që reflektohet qartë edhe në iniciativën dhe projektin madhor të lancuar prej tij “Një Brez, Një Rrugë”, që në kushtet e shekullit XXI, revokon brezin ekonomik të Rrugës së Mëndafshit së para dymijë vjetëve, e që lidh Kinën e sotme dhe rajonin e Azisë Lindore me Evropën. Kina është jo vetëm një vend i madh. Ajo përfaqëson edhe një qytetërim të lashtë e trashëgimi kulturore mbi 5 mijëvjeçare. Për ne shqiptarët ajo mbetet një vend mik me të cilin kemi ndërtuar marrëdhënie të veçanta miqësie e bashkëpunimi. 

Ashtu sic shprehet Presidenti Xi Jinping edhe unë do t’i referohesha në këtë rast proverbit të vjetër kinez që thotë: “Miqtë që kanë të njëjtat qëllime dhe ideale, nuk i ndajnë, as male e as oqeane”. Kjo miqësi e lidhur thuajse shtatë dekada më parë, në momente të vështira për të dy vendet kur Shqipëria ishte ndër vendet e para që shprehu vullnetin, jo vetëm për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Republikën Popullore të Kinës, por edhe mbështeti si rrallë ndonjë vend tjetër që Kina të fitonte pozitën ndërkombëtare që ajo e meritonte”, tha Presidenti Meta. 
Sigal