Presidenti Meta përshëndet Konferencën ndërkombëtare me rastin e krijimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë

512
Presidenti Meta përshëndet Konferencën ndërkombëtare me rastin e krijimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë
Meta: Gjykata Kushtetuese me vendimmarrjen e saj ajo ka arsyetuar qartë parimin e ndarjes së pushteteve, duke krijuar një praktikë shteruese në ushtrimin korrekt të kompetencave të pushteteve, në mënyrë të ndarë, të balancuar, dhe duke shmangur përqendrimin e tepruar të pushtetit në një dorë.
Meta: Përvoja e këtyre 25-viteve të funksionimit të Gjykatës Kushtetuese, ka qenë një ndihmesë e madhe, me ndikim pozitiv në zhvillimet demokratike, ekonomiko, social-kulturore e politike në vend, në drejtim të përmirësimit të qeverisjes së shtetit Shqiptar, në rrugën e nisur drejt Europianizimit
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta përshëndeti dhe mori pjesë sot në Konferencën ndërkombëtare me temë: “Europianizimi i së drejtës kushtetuese dhe konstitucionalizimi i së drejtës europiane – Sfidat e së ardhmes”, ku ishin gjithashtu të pranishëm Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, Presidenti i Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio, Kryetarja e Fondacionit “Hanns Seidel”, Ursula Mäntle, krerë të institucioneve kushtetuese shqiptare, juristë, gjyqtarë e prokurorë. Kjo konferencë u mbajt në kuadër të 25-vjetorit të krijimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.
Fjala e plotë e Presidentit të Republikës:
“I nderuar z. Kryetar i Gjykatës Kushtetuese, 
I nderuar z. Kryetar i Kuvendit,
I nderuar z. Kryeministër,
I nderuar z. Buquicchio,
E nderuar zj. Männle (Kryetare e Fondacionit Seidel)
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Nuk ka aktivitet më të mirë se sa një Konferencë e kësaj natyre që mund të respektojë 25-vjetorin e krijimit të Gjykatës Kushtetuese.

Kushtetuta e vendit tonë parashikon qartë se Republika e Shqipërisë mbron dhe garanton më së miri të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, dhe se modeli demokratik i qeverisjes është i udhëhequr nga zbatimi i parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve. 

Fillimet e punës së Gjykatës Kushtetuese 25 vite më parë, nuk mund të ishin veçse shumë sfiduese, pasi në një shtet demokratik të sapo krijuar, pushteti ekzekutiv, apo dhe ai legjislativ ende nuk kishin konsoliduar në praktikën dhe mentalitetin e tyre se pushtetet duhet të funksionojnë të ndara dhe në mënyrë të pavarur dhe të balancuar.

Gjykata Kushtetuese qëndron në krye të hierarkisë së sistemit dhe misioni kryesor i saj është që të jetë gardiani i përhershëm i Kushtetutës nga çdo orvatje e drejtpërdrejtë, apo e fshehur, në vendimmarrjet legjislative apo ekzekutive që mundohen të anashkalojnë zbatimin e parimeve kushtetuese. 

Pikërisht për këto shkaqe, Gjykata Kushtetuese ka shqyrtuar në këto vite jo pak raste të kësaj natyre dhe me vendimmarrjen e saj ajo ka arsyetuar qartë parimin e ndarjes së pushteteve, duke krijuar një praktikë shteruese në ushtrimin korrekt të kompetencave të pushteteve, në mënyrë të ndarë, të balancuar, dhe duke shmangur përqendrimin e tepruar të pushtetit në një dorë.

Gjykata Kushtetuese është institucioni unik që mbron parimet kushtetuese, por dhe interpreton dispozitat e saj. 

Lidhur me këtë atribut që i njihet kësaj trupe gjyqësore, ajo merr një rol shumë të rëndësishëm në konsolidimin e funksionimit të shtetit të së drejtës, sidomos në vende si Shqipëria me një demokraci të brishtë dhe me një histori jo shumë të largët të qeverisjes së vendit me pushtet të përqendruar e totalitar.

Pikërisht vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese në shqyrtimet e ligjeve, jo vetëm që ka zgjidhur konfliktet, duke rikthyer normalitetin e funksionimit të institucioneve, por ajo nëpërmjet vendimmarrjes së saj ka ndihmuar në rritjen e kulturës demokratike të ushtrimit të pushtetit sipas standarteve më të mira evropiane dhe ndërkombëtare, gjithashtu i ka dhënë leksione të vyera çdokujt, që me kalimin e kohës kanë gjetur vendin e tyre në memorien e veprimtarisë ekzekutive e legjislative.

Sot Gjykata jonë Kushtetuese mbush plot 25-vjet që funksionon, dhe më duhet të theksoj që nga gjithë kjo veprimtari, kjo gjykatë është përballur jo rrallëherë me sfida të vështira, gjykime veçanërisht komplekse, ku më së shumti ja ka dalë të përmbushë misionin e saj.

Në vendimmarrjet e saj Gjykata gjithashtu ka mishëruar unitet, profesionalizëm dhe pavarësi nga ndikimet politike, duke shmangur tensione apo konflikte sociale midis grupimeve të ndryshme shoqërore, si dhe duke korrektuar në disa raste dhe sjelljen përkundrejt ligjit, të individëve anëtarë të zgjedhur të Kuvendit të Shqipërisë, apo të zgjedhurit e pushtetit vendor. 
Të nderuar pjesëmarrës, 
Gjykimi Kushtetues i çdo pretendimi mbi ligjet është gjithmonë vlerë e shtuar për jurisprudencën shqiptare dhe ndikon në përmirësimin e procesit ligjbërës, sepse praktika e gjykimit Kushtetues Shqiptar ka përfshirë brenda saj edhe praktikën e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila pasqyron në mënyrë të qartë standardet e Konventave Evropiane. 

Pa hezitim mund të thuhet se gjykimi kushtetues shqiptar ka ndihmuar në konstitucionalizimin e së drejtës evropiane në praktikën tonë legjislative. 
Gjykata Kushtetuese në këto vite jo vetëm ka rritur autoritetin e saj brenda vendit, por kjo gjykatë ka fituar besimin profesional dhe të Gjykatave partnere Kushtetuese të vendeve të tjera dhe organizmave ndërkombëtarë të dhënies së mendimit të pavarur ligjor.

Angazhimi i Gjykatës Kushtetuese, për të kërkuar dhe për të marrë opinionet e vyera të Komisionit të Venecias në çështje delikate për të ardhmen e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, ka krijuar një traditë të shkëlqyer që duhet të vijojë, por ky veprim ka rritur besimit publik tek kjo trupë gjyqësore.
Të nderuar të pranishëm, 
Tashmë edhe Gjykata Kushtetuese si gjithë institucionet e tjera përballet me problematikën që shfaq faza tranzitore në implementimin e reformës në drejtësi, në drejtim të plotësimit të trupës gjyqësore kushtetuese dhe krijimit të institucioneve të reja që do të vettojnë dhe qeverisin sistemin gjyqësor. 

Gjithashtu ashtu si gjithë trupa e gjyqtarëve dhe prokurorëve në vend, edhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese do të jenë pjesë e një procesi tërësor, mëse të nevojshëm, dhe të detyrueshëm të rivlerësimit kalimtar.

Por më lejoni të nënvizoj diçka shumë të rëndësishme për këtë fazë, pasi është me shumë rëndësi që sistemi gjyqësor në tërësi, përfshi këtu dhe Gjykatën Kushtetuese, duhet të vazhdojë të përmbushë detyrën sipas ligjit, me integritet, përgjegjësi dhe me të njëjtin përkushtim pavarësisht nga sfidat që përmendi dhe kryetari i saj. 

Prandaj, edhe realizimi i misionit nga Gjykata Kushtetuese është më i nevojshëm në këto momente, pikërisht kur i gjithë sistemi i drejtësisë është në fazën tranzitore reformuese të zbatimit të vettingut dhe krijimit të institucioneve të reja dhe ku për këtë shkak vigjilenca në drejtim të zbatimit të parimeve kushtetuese mund të zbehet.

Në përfundim, më lejoni ta mbyll fjalën time me vlerësimin se e gjithë përvoja e këtyre 25-viteve të funksionimit të Gjykatës Kushtetuese, ka qenë një ndihmesë e madhe, me ndikim pozitiv në zhvillimet demokratike, ekonomiko, social-kulturore e politike në vend, në drejtim të përmirësimit të qeverisjes së shtetit tonë në rrugën e nisur drejt evropianizimit, jo vetëm të së drejtës kushtetuese, por gjithë jetës dhe zhvillimeve në tërësi të Shqipërisë.

Ju uroj suksese në këtë 25-vjetor!”
Sigal