Presidenti Meta: Për bektashinjtë tanë Shqipëria ngelet mbi gjithçka!

617
Presidenti i Republikës, Meta mori pjesë dje në simpoziumin e organizuar nga Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve, me temë “Imam Aliu midis traditës dhe modernitetit”. Në këtë simpozium ishin të pranishëm Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar Skënder Bruçaj, Ambasadori i OSBE-së, Bernard Borchardt, Kryetarja e Komitetit Shtetëror për Kulteve, Loreta Aliko, Koordinatori i Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve për veprimtaritë ndërkombëtare, Aziz Vardar, klerikë dhe studiues të bektashizmit, etj. Duke iu drejtuar të pranishmëve, Presidenti i Republikës u shpreh: “Jam i lumtur që jemi bashkë në këto momente feste të Sulltan Novruzit! E prita me kënaqësi të veçantë ftesën Tuaj për të marrë pjesë në Simpoziumin me temë: 

“Imam Aliu midis traditës dhe modernitetit”. Në këto ditë gjithë vëmendja, përkushtimi dhe dashamirësia shkojnë për ju dhe besimtarët Tuaj, pasi besimi që përfaqësoni dhuron përherë shpresë mirëkuptim, paqe dhe harmoni! Vlerësoj lart idenë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane për të trajtuar në simpoziume të përvitshme tema dhe ide rreth doktrinës bektashiane, rolit të udhëheqësve të saj të ndritur dhe raportit të fesë dhe shoqërisë shqiptare. Tema të cilën keni përzgjedhur këtë vit është mjaft domethënëse. Kontributi filozofik dhe personaliteti i Imam Aliut vazhdon të inspirojë dhe të ngelet i qenësishëm edhe pse kanë kaluar rreth 15 shekuj nga aktiviteti i Tij, Në thelb të veprës së vet Imam Aliu predikoi dhe lartësoi dijen dhe drejtësinë, sepse vlerat e vërteta njerëzore, paqja shpirtërore dhe progresi shoqërisë e kanë burimin te dituria dhe te drejtësia. Bektashizmi përfaqëson një besim tradicional, dije dhe kulturë të konsoliduar në Shqipëri. Shumë personalitete të shquara, shqiptarë dhe të huaj, kanë shkruar studime për bektashizmin dhe bektashianët, për besimin dhe cilësitë, për vlerat dhe kontributet që ata i dhanë kulturës sonë. Do të doja të përmendja – Naim e Sami Frashërin, Gjysh Ali Gjirokastrën, Abdyl Frashërin, Mit’hat Frashërin, Evlia Çelebiun, Natali Klerë, Hafëz Ali Korçën, Syrja Vlorën, Edvin Zhak, Faik Konicën, Musine Kokalarin e shumë personalitete të shquara . Në këtë udhëtim shekullor, në mënyrë të veçantë do të vlerësoja kontributin, sakrificat dhe mundin e shumë bektashinjve të ndritur me në krye Dede Reshat Bardhin të cilët ringritën nga hiri Kryegjyshatën tonë Bektashiane. Figura të tilla nuk i përkasin vetëm bektashizmit shqiptar, por dhe atij botëror, duke na bërë krenarë. Për bektashinjtë tanë Shqipëria ngelet mbi gjithçka! Për lirinë, shkollën dhe kulturën kombëtare ata nuk kanë kursyer as jetën, pasi Atdheu është për ta edhe gjuhë, edhe identitet, edhe besim, edhe fe. Besimi bektashian u përqafua prej shqiptarëve për vetë mesazhin dhe mistikën hyjnore që përfaqësonte. Ky besim u shndërrua gjatë shekujve në një burim jo vetëm dialogu e tolerance, por edhe në një faktor të rëndësishëm kulture, patriotizmi, edukate dhe filozofie optimiste. Duhet theksuar se kjo fe dhe erë e re besimi gjeti gjithashtu tek shqiptarët një komb mendjehapur, me tradita të shëndosha të burrërisë, nderit dhe krenarisë. 
Sigal