Presidenti Meta: Një vend që nuk ka Gjykatë Kushtetuese funksionale, nuk ka Kushtetutë

495
Sigal

Mosfunksionimi i Gjykatës Kushtetuese duket se përbën një shqetësim të madh për Presidentin e Republikës, Ilir Meta. Në intervistwn me  gazetarin Ilir Babaramo, Presidenti Meta është shprehur qartë duke theksuar se ‘Më problematike është fakti që nuk kemi Gjykatë Kushtetuese funksionale sepse një vend që nuk ka një Gjykatë Kushtetuese funksionale pothuajse nuk ka Kushtetutë, në kuptimin e garancisë së zbatimit dhe respektimit të të drejtave kushtetuese.’

– Duket sikur keni një lloj tërheqjeje, që kur jeni zgjedhur si kryetar shteti, nga jeta e përditshme aktive politike. Opinioni publik ju shikon herë duke ngjitur majën e Jezercës, herë duke shkuar në Tropojë, herë duke shkuar nëValbonë. Përse keni zgjedhur të mbani këtë profil, zoti President?

Presidenti Meta: Në radhë të parë dua të rikonfirmoj edhe njëherë tjetër vendosmërinë time për të bërë me përgjegjshmëri maksimale detyrën e Presidentit, pavarësisht nga vështirësia, e juaj si gazetar apo si analist apo e gjithë të tjerëve, për të më parë në pozicionin e Presidentit, duke pasur parasysh të kaluarën time tepër aktive politike dhe partiake.

Gazetari: Përse e keni zgjedhur? Keni mesazhe? Domethënë që daljet tuaja, rasti më i fundit i fundjavës nga Tropoja…?

Presidenti Meta: Daljet e mia janë mjaft të studiuara në kuadër të disa nismave, të cilat po përpiqem t’i konsolidoj. Njëra prej të cilave, që lidhet edhe me pyetjen tuaj, është pikërisht promovimi i Alpeve, i maleve, i natyrës sonë, që kanë në vetvete pasuri dhe potenciale të jashtëzakonshme, që duhet të shfrytëzohen më mirë për promovimin e vendit, por njëkohësisht edhe për të rritur mirëqenien e këtyre zonave dhe banorëve. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se nuk mund t’ua lëmë turistëve çekë zbulimin dhe promovimin e bukurive të vendit tonë. Është detyra jonë në radhë të parë që ta bëjmë këtë gjë.

Gazetari: Po përtej promovimit unë do të doja që biseda jonë të përqëndrohej te zhvillimet më të fundit politike në vend, te debatet që zhvillohen jo vetëm në Tiranë, por edhe ato në Prishtinë. Sot kemi një fjalim që ka mbajtur Kryeministri i vendit, z.Edi Rama me strukturat drejtuese të Ministrisë së Brendshme, ku ai me tone tejet të ashpra kundër opozitës, kundër mediave gjithashtu, u shpreh për një ofensivë politiko-mediatike, e cila kërkon që të nxijë realitetin shqiptar. Dhe gjithnjë, sipas kryeministrit, të krijojë një perceptim se Shqipëria po dominohet nga kriminaliteti. Dhe kriminaliteti, gjithmonë sipas kryeministrit, është në shifra shumë më të ulëta se sa ato, le të themi, të katër apo pesë viteve më parë. Për ju si kryetar shteti, cili është perceptimi për kriminalitetin aktualisht?

Presidenti Meta: Natyrisht që kriminaliteti është një dukuri, që ekziston në çdo shoqëri, por ka shumë rëndësi raporti i tij me shtetin dhe me funksionimin e shtetit të së drejtës. Pra dallimi mes një vendi tërësisht demokratik apo ligjor është që krimi përpiqet të bëjë punën e tij, pra punën e krimit, por shteti gjithmonë është në goditje, në parandalim, në ofensivë kundër tij. Kjo do të thotë që siguria publike, aq më tepër siguria kombëtare, nuk janë të cenueshme.

Është tepër e rëndësishme të theksojmë se kjo është një betejë jo e thjeshtëdhe sigurisht që polarizimi i kësaj dukurie nuk ndihmon në forcimin e institucioneve të shtetit dhe forcimin e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë dhe ligjzbatuese. Në vend që të përqendrohet energjia pozitive e të gjithëve, pra qoftë e mazhorancës, qoftë e opozitës, në lokalizimin dhe goditjen serioze të krimit, për shkak të polarizimit, dëmtohet besueshmëria e kësaj lufte dhe në këtë mënyrë, nuk ndihmohet në forcimin e autoritetit, as të shtetit, as të ligjit.

Është tepër e rëndësishme gjithashtu që të funksionojë shtetit i së drejtës. Është shumë e rëndësishme që të ketë reagime të shpejta e transparente për çdo ngjarje, që mund të ketë dyshime për ndikim të politikës ndaj institucioneve ligjzbatuese apo të drejtësisë.

Përndryshe, me mungesën e reagimeve të shpejta, padyshim që çon në tejzgjatje të këtyre debateve, që nuk ndihmojnë qytetarët në radhë të parë.

Sidoqoftë më e rëndësishme është ajo që mendojnë qytetarët. Kuptohet që na duhet shumë punë për të pasur besim edhe më të fortë te institucionet ligjzbatuese, pasi nuk është ndonjë gjë e re ta them se në zona të caktuara të vendit ndihet shqetësimi i qytetarëve apo sipërmarrësve përsa i takon garancisë te funksionimi i shtetit ligjor në raport me ‘të fortët’ apo me njerëzit e krimit.

Gazetari: Zoti President, që prej dy javësh opinioni publik shikon se si dy individë me të kaluar të dyshimtë, po i bëjnë publikisht ankand kryeministrit dhe shefit të opozitës, se cili ofron më shumë për ta. Si dilet nga kjo situatë e pakëndshme?

Presidenti Meta: E theksoj se është e domosdoshme të kemi një qasje më transparente nga ana e qeverisë dhe qasje më racionale nga ana e opozitës.

Gazetari: T’i marrim me radhë: Çfarë do të thotë secila?

Presidenti Meta: Në rast se nga ana e qeverisë do të ketë reagime më të shpejta, për rastet kur ka shqetësime, denoncime nga qytetarët, ngjarje kriminale, pra kur del dikush përpara përgjegjësisë në kohën e duhur, atëhere lihet më pak hapësirë për opozitën apo për opinionin dyshues.

Së dyti, është tepër e rëndësishme që edhe opozita të jetë racionale, që do të thotë se nismat apo edhe denoncimet të saj të jenë sa më të mirëfaktuara, me qëllim goditjen e këtyre dukurive, parandalimin e tyre, dhe jo thjesht zgjedhjen e tyre si një mënyrë për të dëmtuar qeverinë apo institucionet, te të cilët ajo nuk ka besim.

Gazetari: Opozita akuzon Prokurorinë se po bëhet palë në këto hetime, për të cilat sapo ju pyeta. A është e besueshme Arta Marku si Prokurore e Përgjithshme?

Presidenti Meta:  Këto çështje që ju ngritët janë në hetim. Ne kemi kërkuar nga ana jonë sqarimet tona në drejtim edhe  të Prokurorisë dhe institucioneve të tjera, sipas rastit, prej kohësh dhe në vazhdimësi për të krijuar një bindje më të plotë dhe një informacion më gjithëpërfshirës rreth këtyre fenomeneve apo rreth këtyre ngjarjeve.

Këto janë çështje në proces dhe shpresojmë që edhe Prokuroria, edhe Policia e Shtetit, edhe institucionet e tjera të cilat janë të përfshira në hetimin e këtyre çështjeve të mos kenë asnjë ndikim politik dhe të japin vendime të drejta dhe transparente, cilado qoftë kostoja e tyre, pavarësisht se kush mund të preket apo cenohet sepse kjo do të rriste kredibilitetin e këtyre institucioneve dhe së dyti, do të jepte mesazhe tepër pozitive për qytetarët për funksionimin e shtetit ligjor, njëkohësisht edhe mesazhe të qarta për të gjithë ata persona politikë apo pranë politikës të cilët dëshirojnë të kenë një pozicion të privilegjuar në raport me ligjin.

Gazetari: Kur do të ketë Shqipëria një Prokurore ose Prokuror të Përgjithshëm të zgjedhur sipas ndryshimeve kushtetuese, jo të Përkohshëm? Shumica qeverisëse na garantoi, kur u votua në Parlament në dhjetor të vitit të kaluar, që kjo Prokurore do të jetë 1 deri në 2 muaj, ndërkohë që po mbush muajin e 10-të.

Presidenti Meta: Kemi disa elementë të rëndësishëm të reformës në drejtësi, të zbatimit të saj dhe krijimit të institucioneve të reja ku mungesa e çdo institucioni në parashikim me ndryshimet kushtetuese është problematike.

Më problematike është fakti që nuk kemi Gjykatë Kushtetuese funksionale sepse një vend që nuk ka një Gjykatë Kushtetuese funksionale pothuajse nuk ka Kushtetutë, në kuptimin e garancisë së zbatimit dhe respektimit të të drejtave kushtetuese.

Ashtu sikurse janë dhe çështjet e tjera të krijimit të KLP-së, KLGJ-së. Më emergjente që duhet të ishte krijuar prej dy vitesh KED-ja, e cila ka të bëjë edhe me Gjykatën Kushtetuese, dhe me Inspektorin e Përgjithshëm të drejtësisë.

Natyrisht shpresojmë që të ketë një ndërgjegjësim të të gjithë faktorëve të përfshirë për realizimin dhe zbatimin e kësaj reforme për të kontribuuar për një zgjidhje sa më të shpejtë, sa më transparente dhe plotësisht kushtetuese në krijimin e gjithë këtyre institucioneve. Unë si President mund të them që kam qenë, jam dhe mbetem gjithnjë i hapur për të përmbushur me transparencë maksimale të gjitha detyrimet e mia kushtetuese apo institucionale dhe të jap kontributin tim gjithnjë të përgjegjshëm, të drejtë dhe transparent vetëm në interes të forcimit të shtetit ligjor dhe të pavarësisë  së këtyre institucioneve në vendin tonë.