Presidenti Meta në veprimtarinë “Java e Fëmijëve pa përkrahje prindërore”

729
Presidenti Meta në veprimtarinë “Java e Fëmijëve pa përkrahje prindërore”: Të bëjmë përpjekje të përbashkëta që fëmijët pa përkrahje prindërore të rriten të shëndetshëm, të edukuar dhe arsimuar, të ndiejnë ngrohtësinë e shtetit dhe të shoqërisë
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta ngriti sot siparin e veprimtarive të Javës Presidenciale kushtuar fëmijëve pa përkrahje prindërore. Në bashkëpunim me Institucionin Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, në Institucionin e Presidentit të Republikës, në prag të Festës së Pavarësisë – 28 nëntorit, u zhvillua veprimtaria ndërgjegjësuese për fëmijët jetimë në prani të përfaqësuesve të qeverisë e të Kuvendit, ambasadorëve të huaj, aktivistëve të shoqërisë civile dhe të organizatave rinore, artistëve të shquar dhe personaliteteve të spikatur nga fushat të ndryshme të jetës, miqve të ardhur nga trevat shqiptare dhe fëmijëve të shumtë. 

Presidenti Meta vlerësoi me Dekoratën “Nënë Tereza”: Rauf Ficon (pas vdekjes) për veprimtarinë, atdhetare dhe intelektuale, me kontribut të çmuar për vendin, si dhe për meritën e veçantë si ideues dhe themelues i “Strehës së Parë Vorfnore” në Shqipëri”; Sheh Abdyrrahman Harasanin (pas vdekjes) për kontributin e çmuar si bamirës, mbrojtës dhe strehues i njerëzve në nevojë, veçanërisht për fëmijët jetimë, duke hapur “Strehën e Parë Vorfnore” në Shqipëri”; Fondacionin “Shpresë për Botën” për kontributin e çmuar humanitar në dobi të fëmijëve jetimë që prej vitit 1991, duke u ofruar atyre përkrahje dhe mbështetje ekonomike, përmes shërbimeve të shumëllojshme në rritjen dhe edukimin në qendrat komunitare të fëmijëve jetimë në të gjithë Shqipërinë”; zotin Ilir Çumani si veprimtar i njohur i shoqërisë civile, misionar i vlerave njerëzore dhe promovues i të drejtave të njeriut. Për kontributin e çmuar në mbrojtje dhe në ndihmë të fëmijëve e të rinjve jetimë, për rolin e shquar në mjaft nisma të rëndësishme kombëtare, duke u siguruar mundësi në drejtim të mirërritjes, shkollimit, punësimit dhe strehimit të tyre, për t’i bërë ata qytetarë të aftë e të denjë të shoqërisë”. 
Gjithashtu Presidenti i Republikës çmoi me Titullin “Mjeshtër i Madh” zotin Kolec Traboini për merita të shquara si personalitet i artit, publicistikës dhe kulturës shqiptare, duke u bërë shembull frymëzimi, në veçanti, për gjeneratat e fëmijëve jetimë, të cilëve ai u përket”.
Fjala e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta në veprimtarinë e organizuar në Presidencë “Java e Fëmijëve jetimë”:
Të dashur fëmijë,
Të nderuara dhe të nderuar përfaqësues të qeverisë dhe të institucioneve,
Të nderuar deputetë dhe shumë të nderuara deputete,
Të nderuar përfaqësues të bashkësive fetare,
Të nderuar përfaqësues të trupit diplomatik,
Personalitete të shquar të artit dhe kulturës,
Të dashur aktivistë të shoqërisë civile dhe organizata rinore,
Miqtë tanë nga trojet shqiptare,
Motra e vëllezër!
Ju uroj nga zemra mirë se keni ardhur në çeljen e “Javës së Fëmijëve Jetimë”, e cila i kushtohet 100-vjetorit të themelimit të Strehës se Parë Vorfnore në Shqipëri!
Plot një shekull më parë, nën kujdesin e atdhetarëve humanë hapi dyert shtëpia e parë e dashurisë, “Streha e Fëmijëve”. 
Historia e rrugëtimit të mbështetjes institucionale dhe shoqërore ndaj fëmijëve pa ngrohtësi prindërore, zuri fill pikërisht në ditët më të vështira të ekzistencës të shtetit të parë shqiptar. 

Njëqind vjet më parë, ishin dy fëmijë të braktisur që do të trokisnin në derën e prefekturës së Tiranës për ushqim dhe strehim. Fati tragjik i tyre do të motivonte bujarinë tradicionale shqiptare për të çelur të parën strehë vorfnore në Tiranën e përzhitur nga flakët e luftës. Ky akt historik shpalosi përpjekjen e gjatë shekullore për ringjalljen e vlerave morale dhe humane të shoqërisë shqiptare. 

Këto vlera humane populli ynë do i shpaloste here pas here në momentet më kritike. 

Solidariteti i jashtëzakonshëm si asnjë popull dhe asnjë komb tjetër në Evropë me hebrejtë në periudhën më të errët të historisë së tyre, mikpritja e jashtëzakonshme e mbi 1 milionë qytetarëve të Kosovës në kulmin e genocidit etnik dhe solidariteti me popuj dhe vende në nevojë dëshmojnë se populli shqiptar ka në thellësi të shpirtit të vet potenciale të pashtershme dashurie, mirësie dhe humanizmi. 

Ne sot përkulemi me respekt të thellë ndaj burrave të kombit, familjeve fisnike të Tiranës, krerëve të bashkësive fetare që kuptuan në ditë të vështira se shqiptarët më shumë se çdo gjë tjetër kanë nevojë për drejtësi njerëzore, ringjallje të vlerave morale, virtyteve njerëzorë dhe solidaritet qytetar. 

Për këtë arsye ne përkujtojmë me përulje sot humanistët e mëdhenj si Rauf Fico, themeluesi i Strehës së Parë Vorfnore, Myrtesi Këlliçi, Sheh Abdyrahman Harasani, Zyber Hallulli, Mehmet Shijaku, Ismail Ndroqi, Xhelal Toptani e shumë fisnikë të tjerë, që vendosën bazat e mikpritjes institucionale për fëmijët në nevojë. Në mënyrë të veçantë, ne i shprehim mirënjohjen gjithë familjeve shqiptare që i kanë hapur dyert e zemrës për të pritur e strehuar fëmijët jetimë, atyre organizatave humanitare të shoqërisë civile që kanë qenë dhe janë pranë fëmijëve pa mbështetje dhe kujdes prindëror.

Dëshiroj të falënderoj në këtë vit jubilar gjithë organizatat e huaja bamirëse, duke filluar nga kontributi i rëndësishëm i Kryqit të Kuq Amerikan, i Qeverisë Austriake dhe i Qeverisë Italiane në vitet e para të shekullit të kaluar, duke vazhduar deri në ditët e sotme me organizatat e UNICEF-it, fshatit SOS, Save the Children, PNUD dhe qeveritë e vendeve mike!

Të nderuar pjesëmarrës,
Çdo shoqëri njerëzore, në çdo kohë dhe në çdo vend, pavarësisht nivelit të zhvillimit të saj ka në gjirin e vet kategori shoqërore vulnerabël me ndjeshmëri të ndryshme. 

Këto ditë ne po përjetojmë si një familje e madhe “Ditët e Fëmijëve Jetimë’’. Po ndajmë me këtë kategori si asnjëherë më parë ndjenja dhe emocione të forta njerëzore, prindërore, familjare dhe mbarë shoqërore. 

Pa dyshim fëmijët jetimë janë shtresa shoqërore më e ndjeshme dhe më vulnerabël e shoqërisë sonë.

Varfëria është plagë e madhe sociale dhe djepi, për fat të keq, që lind dhe rrit jetimë. Përballë varfërisë, shteti dhe mbarë shoqëria jonë duhet të bëjnë përpjekje më të mëdha. Ulja e nivelit të varfërisë, ngritja e minimumit jetik, kërkimi dhe gjetja e rrugëve të reja për të ndihmuar individët, familjet e shtresat më të varfëra si dhe kategoritë me vulnerabël të vendit duhet të jenë në krye të prioriteteve të politikave tona. 

Familja shqiptare me plagët e saj të vjetra dhe të reja është burimi më i madh i fëmijëve jetimë në vendin tonë. Problemet ekonomike dhe papunësia, grindjet, përplasjet dhe dhuna në familje provokojnë çdo ditë divorce dhe krim. Divorci dhe krimi shkatërrojnë themelet e familjes. Shkatërrimi i familjes hedh në rrugë, për fat të keq, fëmijë jetimë. Jetimët bëhen kështu viktimat e para dhe më të pafajshme të divorcit, të dhunës dhe krimit në familje. Prandaj sa më e shëndetshme të jetë familja jonë aq më pak jetimë do kemi në shoqërinë tonë dhe aq më shumë fëmijë të lumtur do rritim në mjediset tona. Kujdesi për familjen është para së gjithash përkushtim për fëmijët tanë, dhe për ardhmërinë e vendit tonë. 

Fuqizimi i familjes shqiptare, rritja e mbështetjes për nënat kryefamiljare në veçanti, ulja e divorceve dhe akteve të dhunës e të krimit kërkojnë zgjidhje social-ekonomike, punë edukative, sensibilizime publike e mediatike, këshillime psiko-sociale, por edhe masa parandaluese, ndërmjetësuese dhe ligjore. 

Emigracioni është një tjetër plagë e hapur e shoqërisë shqiptare, hemorragjia e të cilit duhet të shërohet prej afro tre dekadash. Kjo plagë ka dobësuar në mjaft raste lidhjet familjare dhe ka dobësuar ndjeshëm lidhjet prindër-fëmijë. Emigracioni ka shpërbërë në mjaft raste institucionin tradicional të familjes si dhe ka gërryer kohezionin e shoqërisë shqiptare. Nuk janë të pakta rastet kur emigracioni ka prodhuar fëmijë jetimë si dhe ka provokuar përdorime, shpërdorime dhe abuzime të tyre nga kriminelë dhe trafikantë të paligjshëm brenda dhe jashtë vendit. Frenimi i i emigracionit është para së gjithash përkushtim për ruajtjen e vlerave të familjes dhe të kohezionit të shoqërisë shqiptare.

Në përpjekjet për përkujdesjen ndaj fëmijëve jetimë, pa prindër dhe të sfiduar nga jeta, ne shqiptarët kemi një aleat shumë të fuqishëm. Ky aleat është tradita humanitare, bujare, mikpritëse dhe solidare shqiptare. Në çdo kohë e rrethanë tradita humane, bujare, mikpritëse dhe solidare ka kompensuar me vlerat e familjes se madhe shqiptare atë që u ka munguar fëmijëve jetimë në familjet e tyre më të vogla. Shtëpitë shqiptare kanë qenë streha e tyre. Vatrat shqiptare kanë qenë ngrohtësia e tyre. Sofrat shqiptare kanë qenë ushqimi i tyre. Fisnikëria e familjes shqiptare ka qenë edukimi më i mirë për ta. 

Në këto ditë të fëmijëve jetimë në shoqërinë tonë, si President ndiej përgjegjësi të shumëfishtë që Shteti, qeverisja qendrore dhe vendore, politikat publike dhe iniciativat private si dhe mbarë shoqëria shqiptare të bëjnë përpjekje të përbashkëta për integrimin e fëmijëve jetimë, që të rriten të shëndetshëm, të edukuar dhe arsimuar, të ndjejnë ngrohtësinë e shtetit dhe të shoqërisë, të gëzojnë të sotmen e sigurt dhe të ardhmen e lumtur në Atdheun tonë. 

Për fëmijët jetimë, më shumë se për çdo shtresë tjetër shoqërore mos të lejojmë që historia të përsëritë vetveten. T’i japim fund tranzicionit, të forcojmë institucionet, të parandalojmë krizat politike dhe social-ekonomike, të forcojmë shtetin ligjor dhe rendin, të godasim krimin e organizuar dhe korrupsionin, të luftojmë drogat dhe trafiqet e paligjshme, të ndalojmë punën e detyruar dhe keqpërdorimin e të miturve. 

Edukimi dhe formimi profesional i tyre duhet të jenë prioriteti kryesor për të garantuar integrimin e tyre të suksesshëm dhe afatgjatë në shoqëri dhe në interes të të gjithë shoqërisë. Jo rastësisht e kemi organizuar këtë aktivitet në prag të Festave të Nëntorit. Të gjithë sot shprehim mirënjohje ndaj gjithë brezave jetimë në mënyrë të veçantë ndaj heronjve që sakrifikuan jetën e tyre për çlirimin e vendit si Manush Alimani, Ali Demi, Met Hasa e shumë e shumë të tjerë.

Po sot shpreh nderimin më të thellë për personalitetet e jashtëzakonshme që dolën nga kjo kategori shoqërore me të cilët është nderuar vendi, kombi dhe shoqëria jonë si artistët e shquar: Ibrahim Kodra, Kadri Roshi, Serafin Fanko, Zoica Haxho, Ema Qazimi, Besim Levonja, Qamil Grezha, Kolec Traboini, Eno Koço, Petraq Qafzezi autor i romanit të mirënjohur ‘Bonjakët’, profesor Lek Sokoli, Mimika Luca, e sa e sa personalitete të tjera të çmuara, të cilëve u kërkoj falje që nuk mund t’i përmendim në këtë ceremoni, por që do të mbeten kurdoherë në mendjen dhe në zemrën tonë për kontributet dhe vlerat e çmuara që ata i kanë dhënë shoqërisë. Këto janë modelet më të mirë për fëmijët sot.

Gjithashtu ne përulemi me respekt para edukatorëve fisnikë të shumë brezave si Persi Grabova, Evanthia Ciko, Kristina Kumi, Ollga Dusho, Vangjel Pulla, Ana Shuteriqi, Niko Geci, Lumturi Xhani, Elsa Mitrushi dhe për fëmijët jetimë ndër vite.

Të dashur pjesëmarrës, 
Qëllimi i përbashkët i shtetit dhe i mbarë shoqërisë sonë duhet të jetë mbrojtja e fëmijëve jetimë shqiptarë nga ekspozimi përballë rreziqeve si dhe integrimi i plotë e i suksesshëm i tyre në shoqëri. Në dimensionin njerëzor “Nëna Shqipëri” personifikohet te Nënë Tereza. Shenjtorja jonë e madhe, Nënë Tereza nxiti si askush në botë frymëzimin për dashurinë që buronte nga rrënjët dhe traditat e kombit të saj. Ajo na ka lënë trashëgimi një mësim të madh, për të cilin kemi sot më shumë nevojë se kurrë. Ndoshta secili nga ne nuk mund të bëjë dot gjëra të mëdha, por secili nga ne mund të bëjë gjëra të vogla, por me dashuri të madhe. 

Në fund e besoj këtë gjë, e besoj sepse kam patur fatin të jem dëshmitar i zgjimit të një humanizmi të jashtëzakonshëm të popullit shqiptar. Pikërisht ato javë të para kur qindra mijëra qytetarë të Kosovës mbërritën në qytetin e Kukësit dhe ku qeveria shqiptare e asaj kohe bashkë edhe me UNCHR-në kishin në dispozicion të një krize humanitare të përmasave biblike vetëm 3000 dyshekë. Ishte meritë e popullit të Kukësit, familjeve më të thjeshta, madje dhe më të varfëra të Kukësit të cilët hapën zemrën e tyre, ndanë varfërinë e tyre dhe dhanë kontributin më të madh për kapërcimin e një krize humanitare të jashtëzakonshme, e cila do të kishte çuar në kolaps edhe vende të zhvilluara. Le ta zgjojmë këtë ndjenjë solidariteti jo një javë në vit, dhe jo një ditë në vit, por çdo ditë nga pak me dashuri të madhe të gjithë së bashku. 

Ju faleminderit!” 
Sigal