Presidenti Meta në Poreç të Kroacisë, përurohet shtatorja e Nënë Terezës

688
Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, së bashku me Kardinalin Ernest Simonin (Troshani), me Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë Talat Xhaferi, ish-presidentin e Kroacisë Stjepan Mesi?, Kryegjyshin Botëror të Bektashinjve Baba Edmond Brahimaj dhe shumë personalitete të tjera nga të gjitha trevat shqiptare, morën pjesë në ceremoninë e përurimit e të bekimit të shtatores së Shenjtores dhe bamirëses shqiptare Nënë Tereza, me autor Anto Jurki?, të realizuar nga Kryetari i Këshillit organizativ Idriz Sulejmani dhe mbarë bashkësia shqiptare në bashkëpunim me Bashkinë e Pore?it. Me këtë rast solemn u mbajt edhe mesha e shenjtë në Bazilikën Eufrazjane.
Gjatë kësaj vizite Presidenti Meta dhe të ftuarit e tjerë u pritën edhe nga Kryetari i Bashkisë së Pore?it, zoti Loris Peršuri?, të cilin e falënderuan dhe e përgëzuan për këtë veprim që dëshmon dhe reflekton ndjenjat e miqësisë së vjetër dhe të shëndoshë mes popullit shqiptar dhe atij kroat.
Në përshëndetjen e tij drejtuar të pranishmëve, Presidenti Meta u shpreh:
“Jam i nderuar që sot, së bashku me ju, po marr pjesë në përurimin e shtatores së Shën Nënë Terezës, këtu në Poreç të Kroacisë.
Kroacia, ky vend mik i shqiptarëve, çdoherë ka treguar mikpritje të mrekullueshme për ne. Lidhjet tona miqësore dhe vëllazërorë me kroatët janë shekullore, janë lidhje gjaku dhe shpirti, të cilat i vazhdoj kryetrimi ynë Skënderbeu me Raguzën e dikurshme e Dubrovnikun e sotëm, por, janë edhe ura jonë lidhëse shpirtërore Arbanasit e Zarës dhe diaspora jonë nga të gjitha trojet shqiptare që jeton në Kroaci.
Nga sot, lidhja e shqiptarëve me Kroacinë do të jetë edhe më e fortë, edhe më shpirtërore, sepse Poreçi, ky qytet i bukur do të ketë në gjirin e vet, si simbol të paqes, humanizmit, dashurisë, lidhjes dhe miqësisë, shtatoren e Shën Nënë Terezës.
Nënë Tereza, u bë nënë e njerëzve të pashpresë, e nevojtarëve që ishin më së shumti në nevojë, e jetimëve dhe e të gjithë njerëzve që kanë nevojë për dashuri dhe ngrohtësi njerëzore. Ky humanizëm dhe kjo devotshmëri e paparë e Nënë Terezës, bëri për vete personalitetet më të rëndësishme botërore.
Madhështisë shpirtërore dhe humane të Nënë Terezës, ju përulën më respekt mbretër e mbretëresha, lider politikë e shpirtërorë, që nga Papa Gjon Pali i Dytë e deri tek Nelson Mandela, që nga Mbretëresha e Mbretërisë së Bashkuar deri tek presidentët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të mbarë botës demokratike.
Nënë Tereza ishte krenare për origjinën e saj shqiptare, as atëherë kur ishte në fillim të shërbimit si murgeshë e re, por as atëherë kur botërisht iu pranua kontributi si humaniste, duke u vlerësuar me Çmimin Nobel të Paqes.
Prandaj sot, ashtu si dje, por edhe në të ardhmen, kombi shqiptar do të mburret gjithmonë me emrin dhe veprën e Shën Nënës Terezës.
Nëna Tereza është simbol i vlerave të larta humane, i bujarisë, mëshirës, shpirtmadhësisë, flijimit për të tjerët, bashkëvuajtjes dhe vënies së interesit të përgjithshëm mbi atë personal.
Vlerat shpirtërore dhe humaniste të Nënës Terezës janë bashkim i vlerave më të mira të civilizimit shqiptar, dhe shpjeguesi më i saktë i frymës tolerante dhe kulturës së unitetit tonë kombëtar, edhe pse popull me përkatësi të ndryshme besimesh.
Shën Nënë Tereza, është përfaqësuesja me dinjitoze e të gjithë shqiptarëve, qofshin ata myslimanë, bektashinj, ortodoksë, katolikë apo evangjelistë.
Vepra e Nënë Terezës duhet të na udhëheqë edhe më tej, në punën tonë për një shoqëri tolerante, mirëkuptuese, me respekt të ndërsjellë dhe solidaritet pa dallime sociale, etnike, kulturore apo religjioze. Kjo vlerë e madhe e Shën Nënë Terezë, bëri që ajo të bëhet qytetare e botës, mike e popujve, e besimeve dhe qytetërimeve të ndryshme.
Të nderuar pjesëmarrës,
Sot, qyteti i bukur i Poreçit, me vendosjen e shtatores së Shën Nënë Terezës, po i bashkohet Zagrebit, Sarajevës, Shkupit, Prishtinës, Tiranës, Neë Yorkut, e dhjetëra e dhjetëra qyteteve në mbarë botën që, në qendrat e tyre, kanë vendosur shtatoret e Shën Nënë Terezës.
Urimet më të mira dhe mirënjohje për këtë gjest human dhe shumë fisnik që po bëni sot të dashur bashkatdhetar, si dhe ju drejtues të pushtetit vendor të Poreçit!
Këtë fjalë timen të shkurtër, do dëshiroja ta mbyllja me një thënie të Shën Nënë Terezës: “Ne nuk kemi nevojë për armë dhe bomba për të sjellë paqe në botë, ne kemi nevojë për dashuri dhe dhembshuri”.
Le të jetë vepra e Shën Nënë Terezës udhërrëfyes për të gjithë ne!”
Sigal