Presidenti Meta në forumin “Gratë në shërbimin publik, zbatimi i të drejtave, realitete e sfida në vendimmarrje”

643
Presidenti Meta në forumin “Gratë në shërbimin publik, zbatimi i të drejtave, realitete e sfida në vendimmarrje”: Angazhimi i grave e vajzave në administratën publike, politik-bërje apo vendimmarrjen politike, kontribut i çmuar për një shoqëri 
Presidenti i Republikës Sh. T. Z. Ilir Meta mori pjesë në forumin “Gratë në shërbimin publik, zbatimi i të drejtave, realitete dhe sfida në vendimmarrje”. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm ish-Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Ahtifete Jahjaga, deputete, përfaqësuese të institucioneve të ndryshme, shoqëria civile, etj.

Gjatë fjalës së mbajtur në këtë forum Presidenti Meta tha se reforma në administratën publike ka një rëndësi madhore në procesin e integrimit europian dhe është “gur themeli” në krijimin e shtetit të së drejtës, në përmbushjen e reformave strukturore dhe në garantimin e mirëqeverisjes.

Gjithashtu, Presidenti i Republikës theksoi se angazhimi i grave në administratën publike, fakt i pamohueshëm emancipimi social në Shqipëri, ndërsa bëri një apel për institucionet, Parlamentin, shoqërinë civile, botën akademike, median apo sektorin privat, që t’i japin prioritet më shumë në punën e tyre respektimit të lirive dhe të drejtave të grave dhe vajzave.
Fjala e plotë e Presidentit Meta 
E pranova me kënaqësi pjesëmarrjen në këtë Forum me një tematikë të dedikuar Zonjave dhe Zonjushave të përkushtuara në shërbimin e tyre në administratën publike.

Personalisht, kam qenë me fat që gjatë eksperiencës time të gjatë në karrierën politike kam punuar dhe bashkëpunuar me shumë gra dhe vajza me integritet profesional dhe me një përkushtim shembullor për përgjegjësitë e tyre mjaft superior në raport me burrat. 

Duhet ta pranoj me sinqeritet që këtë aftësi nuk e kanë pasur të gjithë bashkëpunëtorët e mi burra.

Reforma në administratën publike ka një rëndësi madhore jo vetëm si një “detyrë shtëpie” përsa i përket procesit të integrimit europian në BE, por mbi të gjitha sepse i shërben “memories institucionale” dhe është “gur themeli” në krijimin e shtetit të së drejtës, në përmbushjen e reformave strukturore dhe në garantimin e mirëqeverisjes, në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë.

Prandaj investimi në krijimin e një administratë publike të depolitizuar dhe profesionale duhet të jetë prioriteti numër një dhe përmirësimi i saj duhet të jetë sfida e përditshme e mirëqeverisjes. 

Kualifikimi dhe trajnimi i vazhdueshëm i burimeve tona njerëzore, të administratës publike në mënyrë të veçantë, por edhe të sektorit privat, duhet të jetë i vazhdueshëm dhe në funksion të progresit dhe sfidave aktuale të globalizimit.

Në finale, administrata publike duhet të ofrojë shërbime utilitare më cilësore që kënaqin pritshmëritë e qytetarëve.

Nëse barazia gjinore është akoma një betejë e papërfunduar, për mijëra gra dhe vajza që akoma dhunohen në liritë dhe të drejtat e tyre, angazhimi i tyre në administratën dhe shërbimin publik në të gjitha nivelet e saj, tashmë është një fakt i pamohueshëm emancipimi social në Shqipëri. 

Statistikat flasin se kemi më shumë vajza dhe gra në administratën publike dhe për këtë duhen përgëzuar vetë ato sepse në radhë të parë është një meritë e tyre dhe kërkesat e larta që kanë për edukimin dhe trajnimin e vazhdueshëm .

Më shumë sesa barazia gjinore apo diskriminimi pozitiv, sidomos në politik-bërje dhe në politikë, duhet të vlerësojmë asetet intelektuale dhe profesionale të grave dhe vajzave në karriere, të cilat kanë qenë në lartësinë e përgjegjësive të pozicioneve të larta publike që kanë mbajtur.

Në diskursin tonë të ekzagjeruar politik dhe në mjedisin tonë social me doza maskiliste, nuk është e lehtë për një zonjë, për një nënë në karrierë, të angazhohet në jetën politike apo në shërbimin publik, pa çeduar nga përgjegjësitë dhe barrën familjare që ka ndaj bashkëshortit dhe fëmijëve.

Duke shfrytëzuar rastin, më lejoni të bëj një apel për të gjitha institucionet shtetërore, për Parlamentin, për shoqërinë civile, për botën akademike, për mediat apo për sektorin privat të biznesit – që t’i japin prioritet më shumë në punën e tyre respektimit të lirive dhe të drejtave të grave dhe vajzave, sidomos të kontribuojnë në fuqizimin social dhe ekonomik të tyre.

Gjithashtu, nuk mund të lë pa përmendur rëndësinë që ka promovimi i sa më shumë modeleve të suksesit të grave dhe vajzave në politikën aktive, përfshirë edhe zgjedhjet e ardhshme vendore ku shpresoj të kemi më shumë kandidate të zonja për të garuar si Kryetare Bashkish apo për të qenë në drejtimin e këshillave bashkiake. 

Në mbyllje, dëshiroj t’iu përgëzoj për këtë iniciativë dhe t’iu uroj që panelet e forumit të kenë diskutime frytdhënëse për ta çuar këtë “axhendë” të angazhimit të grave dhe vajzave në administratën publike, në politik-bërje apo në vendimmarrjen politike në një nivel akoma më përfaqësues dhe më dinjitoz në respekt të rolit dhe kontributit të pazëvendësueshëm që ato kanë në një shoqëri të vërtetë evropiane. Ju faleminderit!
Sigal