Presidenti Meta në Berat, me “Aleancën për Dhurimin e Gjakut”: Asnjë qytetari, asnjë fëmije apo të aksidentuari të mos i mungojë gjaku

516
Sigal

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta ishte sot në qytetin e Beratit në kuadër të nismës së ndërmarrë nga “Aleanca për Dhurimin e Gjakut” në bashkëpunim me Kryqin e Kuq Shqiptar.

Presidenti Meta së bashku me Kryebashkiakun e Beratit, zotin Petrit Sinaj morën pjesë në një seancë të dhurimit të gjakut nga dhjetëra qytetarë, por edhe punonjës të administratës së Bashkisë.

Presidenti Meta duke falënderuar qytetarët beratas të cilët iu përgjigjën me vullnetarizëm apelit të “Aleancës për Dhurimin e Gjakut”, u shpreh se:

“Dëshiroj të shpreh kënaqësinë për solidaritetin e qytetarëve të Beratit me këtë kauzë humane.

Qarku i Beratit është ndër qarqet e veçanta përsa i përket kërkesës për dhurimin e gjakut, por konstatoj se ka arritur ta menaxhojë shumë mirë e me përgjegjësi këtë proces në saje të bashkëpunimit shumë të mirë mes institucioneve vendore dhe komunitetit.

Ishte kënaqësi për mua të merrja pjesë dhe të përshëndesja këtë solidaritet.

Dhe po kështu që kam marrë sigurinë që institucionet vendore të Beratit do të kenë bashkëpunim edhe më të mirë jo vetëm me njëri-tjetrin, por edhe me të gjithë komunitetin në mënyrë që në Qarkun e Beratit asnjë qytetari, dhe asnjë fëmije apo të aksidentuari të mos i mungojë gjaku që ka nevojë.” – vuri në dukje Presidenti i Republikës.