Presidenti Meta: Na duhen strategji dhe politika ekonomike afatgjata e të qarta. Vlerësim, figurës së Skënderbeut

751
Meta: Na duhen strategji dhe politika ekonomike afatgjata e të qarta
Presidenti i Republikës merr pjesë në veprimtarinë e Fondacionit “Illyricum Sacrum” me temë: “Gjergj Kastrioti në ekonominë shqiptare”
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, mori pjesë në veprimtarinë e Fondacionit “Illyricum Sacrum” me temë: “Gjergj Kastrioti në ekonominë shqiptare” të përqendruar sidomos te marketimi i simbolit të Skënderbeut në ekonominë shqiptare. Në këtë takim, në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ishin të pranishëm albanologë, historianë, studiues, përfaqësues të shoqërisë civile e të medias dhe sipërmarrës nga Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, të cilët kishin ekspozuar edhe prodhimet e tyre.

Fjala e Presidentit Meta
“Në këtë vit jubile të kremtimit të 550-vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, kemi nevojë jo vetëm të përkujtojmë dhe vlerësojmë veprën, jetën dhe kontributin e pashlyeshëm historik të kësaj figure emblematike të kombit tonë, por ndër të tjera të reflektojmë me vetëdijen tonë kombëtare se si këto vlera dhe trashëgimi historike të mishërohen dhe të përjetësohen edhe në promovimin e ekonomisë sonë dhe potencialin eksportues të produkteve autoktone shqiptare. Dua të përgëzoj në mënyrë të veçantë organizatorët e këtij aktiviteti kaq të veçantë, fondacionin “Illyricum Sacrum”, i cili ka dhënë një kontribut të spikatur në promovimin e vlerave të identitetit shqiptar edhe në arenën ndërkombëtare, por edhe për faktin e thjeshtë që ne kemi hyrë në një ambient, në një sallë kaq simpatike që është pagëzuar me emrin “Gjergj Kastriot Skënderbeu”. Duke ardhur në aktivitet, m’u rizgjua në memorien time, ballina e kopertinës së të famshmes britanike ‘The Economist’, përpara dy vitesh, ku ishte foto e ‘Mark Zuckerberg’, në kryeartikullin me titull ‘Ambiciet Perandorake, ku ndër të tjera citohej se Facebook i ‘Perandorit Zuckerbeg’ brenda një dekade u kthye në një perandori gjigante, më një vlerë pasurore të jashtëzakonshme në treg, si dhe me një “popullsi-përdoruesish” prej 1.6 miliardë njerëzish në të gjithë botën. Kjo është në fakt fuqia e globalizimit që po përjetojmë sot, ku “perandoritë ekonomike” nuk themelohen më mbi koncepte dhe entitete territoriale dhe as si rezultat thjesht i luftërave të përgjakshme mes shteteve, por mbi idetë inovatore të biznesit të inspiruar nga “heronjtë modernë të tregut global”. Pavarësisht se globalizimi ka zbehur rëndësinë e kufijve gjeografik dhe politikë sikurse ka rrëzuar edhe barrierat kulturore mes vendeve dhe popujve, bashkimi ekonomik që ai krijon nuk përbën kërcënim për ekzistencën e identiteve dhe simbolikave kombëtare apo për promovimin e produkteve me “marketing identitar”. Përkundrazi, unë besoj se proceset integruese të globalizimit dhe identitetet kombëtare, si simbolikë Ekonomike, mund të bashkëjetojnë në realitetin e tregut global dhe si të tillë nuk janë mohim i njëri-tjetrit. Gjithsesi, integrimi i tregjeve rajonale dhe globale mund të përkthehet në kërcënim ose oportunitet në varësi të aftësive konkurruese të ekonomisë dhe produkteve tona. Historia e ekonomisë botërore na ka dhënë shembuj pafund suksesi të “patentimit”, të “komercializimit” dhe promovimit të produkteve dhe shërbimeve ekonomike përmes përdorimit të emrave dhe simbolikave të figurave historike kombëtare dhe ndërkombëtare. Figura e Aleksandrit të Madh është etiketuar si “markë” në produkte verash ashtu sikurse edhe heroi kombëtar i Italisë, Garibaldi ka frymëzuar dhjetëra prodhime verash të njohura në të gjithë botën. Gjithashtu, babai themelues i SH.B.A-së, George Uashington, njihet ndër të tjera edhe për uiskin e famshëm me emrin e tij ashtu si dhe në rastin e Churchillit.

Në këtë drejtim, edhe ne nuk kemi mbetur prapa me simbolikën e emrit të heroit tonë kombëtar, në krijimin e konjakut të famshëm “Skërnderbeu”, i cili tashmë është shumë i pëlqyer edhe në tregjet ndërkombëtare dhe është pikërisht ky konjak që shërben shpesh si një suvenir i vyer dhe i kërkuar dhe nga turistët e huaj, të cilët e marrin me vete si një kujtim të veçantë kur largohen nga Shqipëria. Historia e suksesit të konjakut ‘Skënderbeu’, duhet të na frymëzojë për krijimin e produkteve të tjera origjinale me të njëjtin “brandim – Made in Albania” që mund të tregtohen ndërkombëtarisht duke shfrytëzuar emrin e përbotshëm, figurën dhe simbolikën e Skënderbeut tonë – historia e të cilit nuk njeh kufi.

Të nderuar miq!
Personaliteti dhe kjo figurë e Gjergj Kastriot Skënderbeut nuk do të ishte i plotë nëse nuk do të vlerësonim misionin dhe kontributin e tij të pashlyeshëm për mbrojtjen ekzistenciale të identitetit dhe vlerave evropiane. Sikurse e dini, 7 dekada më parë projekti i Evropës së Bashkuar, të cilin sot e quajmë Bashkimi Evropian, u ngjiz si e vetmja zgjidhje Ekonomike, por edhe politike për t’i dhënë fund konflikteve në Evropën e shkatërruar të pas Luftës së Dytë Botërore. Ndërsa sot, Shqipëria po synon të hedhë një hap tjetër të rëndësishëm drejt Bashkimit Evropian, atë të çeljes së negociatave duke pasur parasysh se ky është një moment vendimtar për vendin tone, jo thjesht në planin strategjik politik apo të reformave shtet-formuese që janë një domosdoshmëri për të konsoliduar demokracinë tonë ende të brishtë dhe për të forcuar sundimin e ligjit, por mbi të gjitha për ta integruar plotësisht ekonominë shqiptare në tregun e përbashkët evropian. Pa dyshim që ky udhëtim do të jetë i gjatë dhe i vështirë, por transformues për ekonominë shqiptare dhe biznesin tonë. Në planin ekonomik, negociatat me BE-në do të jenë sfiduese, sepse do të shërbejnë si një test disipline tregu dhe konkurrence për biznesin dhe produktet tona. Ne duhet të fokusohemi në avantazhet tona krahasuese për nxitjen e prodhimit vendas dhe eksportit të produkteve “Made in Albania”, të cilat përmes një marketingu të zgjuar dhe efikas mund të “internacionalizohen” si marka në tregun rajonal dhe botëror. Për të përmbushur këtë ambicie na duhet një konsensus mbarë-kombëtar politik në përzgjedhjen e modelit të duhur të zhvillimit ekonomik sikurse na duhen strategji dhe politika ekonomike afatgjata dhe të qarta në funksion të rritjes së konkurrueshmërisë së biznesit shqiptar sidomos në tregjet evropiane dhe ato ndërkombëtare. Dua të theksoj se është detyra jonë që në procesin e këtyre negociatave të vendosim rëndësinë e këtij procesi mbi çdo agjendë të njëanshme duke ndërgjegjësuar qytetarët dhe bizneset shqiptare për sfidat dhe për oportunitetet, për kostot dhe përfitimet e këtij procesi kaq historik. Së dyti, mendoj që duhet të nxisim kërkimet e mëtejshme për figurën e Skënderbeut, sepse sa më shumë të kërkohet, aq më shumë do të gjejmë vlera, fakte të cilat e ridimensionojnë dhe e bëjnë më të gjallë këtë figurë. Së treti, kam përshtypjen që Skënderbeun më mirë se Fan Noli askush nuk mund të bëjë, askush nuk mund të bëjë një përcaktim, që në çdo kohë do të jetë më i gjallë se çdo shqiptar. Mendoj që kjo është tepër aktuale po të kemi parasysh që gjithmonë kombi ynë ia detyron ekzistencën e tij, ekzistencën e shtetit tonë edhe ekzistencës e shtetit më të ri të Evropës, të Kosovës, e cila festoi dje 10-vjetorin pikërisht kësaj figure të jashtëzakonshme dhe tepër frymëzuese. Është një privilegj i madh për një komb relativisht modest si i yni, që ka krijuar një figurë kaq të madhe dhe të përbotshme. Në fund, do të theksoja rëndësinë për edukimin tek fëmijët të dashurisë për Skënderbeun, sepse dashuria për Skënderbeun është dashuri për Shqipërinë. Ne e dimë shumë mirë se kësaj figure i është kushtuar shumë rëndësi në të kaluarën. Ne do t’i kushtojmë akoma më rëndësi sot sepse sot flasim për globalizimin dhe globalizimi siç është një mundësi, është dhe një kërcënim sidomos për identitetin tonë kombëtar. Ndaj pa ndonjë nostalgji për të kaluarën, por për vitet e fëmijërisë, nuk do ta recitoj poemën e Henry Longfellow të plotë, dua të përshkruaj dy momente; të parin kur Skënderbeu, sipas tij, braktis ushtrinë osmane dhe niset për në Krujë, dhe të dytën kur mbërrin në Krujë:

Nisja:
‘In the darkness of the night
Iskander, the pride and boast
Of that mighty Othman host,
With his routed Turks, takes flight
From the battle fought and lost.’

Ndërsa mbërritja është:
‘The city Croia called,
The city moated and walled,
The city where he was born,
And above it the morning star.’

Mendoj që është shumë pozitive dhe hyjnore dhe ai yll mëngjesi që thotë Longfellow, ka qenë fati i kombit tonë dhe ne duhet ta mbajmë fort këtë figurë dhe duhet t’i ushqejmë fort rrënjët e dashurisë për Skënderbeun sepse ato janë rrënjët e dashurisë për Shqipërinë edhe për mbarë kombin tonë. E fundit, nuk duhet të harrojmë kurrë mësimin më të madh që na ka dhënë Skënderbeu: ‘Bashkimi bën fuqinë!’”
Sigal