Presidenti Meta mesazh për ligjin e censurës: Lexoni argumentet, koha për reflektim

482
Sigal

Pasi vendosi për të kthyer në Kuvend ligjin ”Antishpifja”, Presidenti Ilir Meta, përmes një postimi në facebook, thotë se liria e shprehjes, liria e medias dhe e drejta e informimit, përveç se janë të drejta themelore kushtetuese, janë të lidhura ngushtë me parimin e ndërtimit dhe funksionimit të një shteti demokratik. Kreu i Shtetit, bën thirrje të fortë për reflektim, për të mos ecur me kokëfortësi në rrugën e censurës dhe autoritarizmit, që për të, do të përbënte rrezik për të ardhmen europiane të Shqipërisë. ”I ftoj të gjithë të lexojnë me vëmendje argumentat kushtetuese dhe ligjore të kthimit për rishqyrtim në Kuvend të paketës së ashtuquajtur “anti-shpifje””.

Postimi i plotë nga Presidenti Ilir Meta

Të dashur qytetarë, Liria e shprehjes, liria e medias dhe e drejta e informimit, përveç se janë të drejta themelore kushtetuese, janë të lidhura ngushtë me parimin e ndërtimit dhe funksionimit të një shteti demokratik.

Shqipëria dy vitet e fundit ka një përkeqësim të këtyre treguesve, sipas konkluzioneve të organizatave prestigjoze ndërkombëtare të gazetarëve, si dhe të institucioneve ndërkombëtare që monitorojnë respektimin e lirisë së medias.

Ndaj është koha për të reflektuar dhe për të mos ecur me kokëfortësi në rrugën e censurës dhe autoritarizmit, që do të përbënte rrezik për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Edhe njëherë, i ftoj të gjithë të lexojnë me vëmendje argumentat kushtetuese dhe ligjore të kthimit për rishqyrtim në Kuvend të paketës së ashtuquajtur “anti-shpifje”.