Presidenti Meta merr pjesë në përurimin e shtatores së luftëtarëve të lirisë Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit në Drenas

525
Sigal

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta mori pjesë dhe përshëndeti përurimin në Drenas të shtatores së dy patriotëve e veprimtarëve të paepur në luftën çlirimtare të Kosovës, bashkëshortët Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, të cilët ranë heroikisht për çlirimin e Kosovës.

Në prani të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministrit Ramush Haradinaj, Kryetar i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, si dhe shumë ish-luftarëve të UÇK-së, përfaqësues nga trojet shqiptare në Maqedoni, Mal të Zi, Lugina e Preshevës, Presidenti Meta u shpreh: “Le t’i themi faleminderit heroit Fehmi Lladrovcit dhe heroinës Xhevë Krasniqi-Lladrovcit që na bashkuan të gjithëve sot këtu për t’u uruar rikthimin në bronz në Drenas, në Drenicë e në Kosovë, pasi ata janë jo vetëm nderi i historisë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por janë nder i mbarë kombit shqiptar

Sepse janë një shembull i jashtëzakonshëm i sakrifikimit më sublim në emër të lirisë dhe të emër të idealeve më të mëdha të cilat sollën Kosovën e lirë dhe Kosovën e pavarur.

Trashëgimia më e madhe që Fehmi Lladrovci, Xhevë Krasniqi-Lladrovci, por edhe Jasharajt, Haradinajt dhe mbarë heronjtë e Kosovës kanë lënë është “Kosova e lirë, Kosova e pavarur, Kosova europiane dhe Kosova në NATO”.

Padyshim, që Kosova ka mjaft sfida të cilat ne besojmë se do t’i përballojë me sukses, nga liberalizimi i vizave që shpresojmë se do të ndodhë shumë shpejt, te ecja përpara e proceseve integruese në BE, padyshim edhe sa i takon anëtarësimit të saj NATO.

Nuk duhet të harrojmë që një nga veprat e këtyre heronjve ishte pikërisht që e sollën NATO-n në Kosovë, në emër të lirisë së këtij populli, por edhe të sigurisë së Kosovës dhe të mbarë rajonit tonë.

Vlera e këtyre dy monumenteve madhështore që vendosen sot këtu nuk është vetëm në nderim të veprës së Fehmi Lladrovcit dhe Xhevë Lladrovcit, por veçanërisht për këdo që do të kalojë përpara këtyre monumenteve, jo vetëm të përkulet me nderim, por asnjëherë të mos harrojë amanetin e tyre që duhet të çohet akoma më përpara.

Liria dhe pavarësia nuk janë të dhëna një herë e përgjithmonë, ashtu sikurse kemi të gjithë një rrugë të madhe përpara për t’i dhënë Kosovës, Shqipërisë dhe rajonit tonë edhe më shumë paqe, edhe më shumë siguri edhe më shumë begati, edhe më shumë rini.

Kjo është shumë e rëndësishme dhe unë besoj se mesazhi që ata kanë lënë pas me sakrificën e tyre më sublime do të na bashkojë të gjithëve për të punuar bashkë për të mirën e Kosovës, Shqipërisë, të rajonit tonë e sidomos për t’i edukuar fëmijët tanë, të rinjtë tanë, me ndjenjat e atdhedashurisë dhe të sakrificës në emër të lirisë dhe të atdheut.

Lavdi përjetë për këto dy personalitete të luftës heroike të popullit të Kosovës, por edhe të mbarë kombit tonë.
Lavdi të përjetshme Fehmi Lladrovcit dhe Xhevë Krasniqi-Lladrovcit!”

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta vendosi një kurorë me lule në shtatoren e përuruar të dy atdhetarëve Fehmi dhe Xhevë Lladrovci dhe u përul me nderim e respekt para veprës dhe heroizmit të tyre.