Presidenti Meta merr pjesë në Konferencën Ndërqeveritare të Nivelit të Lartë të OKB-së “Kompakti Global për migrim të sigurt, të organizuar dhe të rregullt”

504
Sigal

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta mori pjesë sot dhe përshëndeti Konferencën Ndërqeveritare të Nivelit të Lartë, të organizuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara në Marrakesh, Marok për të adaptuar “Kompaktin Global për migrim të sigurt, të organizuar dhe të rregullt”.

Duke iu drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së António Guterres si dhe 150 krerëve të shteteve dhe qeverive pjesëmarrës, Presidenti Meta u shpreh:

“Kompakti Global është rezultat i trendit gjithnjë në rritje të migrimit. Është rezultat i shqetësimit tonë të përbashkët. Por është gjithashtu rezultat i domosdoshmërisë për një reagim kolektiv e të përbashkët në partneritet dhe solidaritet brenda një kuadri shumëpalësh.

Kompakti Global është përgjegjësi ndaj jetës dhe dinjitetit të njerëzve.

Të gjitha vendet tona, qoftë ato të origjinës, të tranzitit apo të vendmbërritjes, preken nga migrimi. Dhe me përvojën që kemi pasur kemi mësuar se mund ta trajtojmë këtë dukuri vetëm në partneritet, sepse është një proces shumë i vështirë dhe kompleks.

Bëhet fjalë për të drejtat e njeriut; ka të bëjë me menaxhimin e kufijve; ka të bëjë me kostot financiare; ka të bëjë me kohezionin social; me sovranitetin dhe kështu mund të vazhdoj pafund.

Ne nuk duhet të lejojmë që të dobësohemi nga lëvizshmëria njerëzore. Përkundrazi, ne duhet të fuqizohemi duke krijuar një mekanizëm më human, më dinjitoz dhe të sigurt për të qeverisur migracionin.

Kompakti Global reflekton në masë të madhe këtë mendim, duke përfshirë objektivat dhe parimet e Kombeve të Bashkuara, Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut dhe traktatet përkatëse mbi refugjatët dhe emigrantët.

Unë gjithashtu e ndaj plotësisht pikëpamjen e atyre që paralajmërojnë se Kompakti Global nuk duhet të shihet si një instrument investimi për të inkurajuar migracionin.

Përkundrazi, ne e shohim atë si një udhërrëfyes që njeh dhe pranon se respektimi i të drejtës ndërkombëtare, i sovranitetit kombëtar, i shtetit ligjor dhe menaxhimit të kufijve, janë thelbësore për të trajtuar me sukses të gjitha aspektet e këtij fenomeni.

Shqipëria dhe migrimi nuk janë të panjohura për njëri-tjetrin. Prandaj ne i kushtojmë rëndësi të veçantë kësaj çështjeje, duke mbetur plotësisht e angazhuar me angazhimet tona ndërkombëtare dhe duke u zotuar të respektojmë objektivat e Paktit Global të Kombeve të Bashkuara.

Si një vend kandidat për në Bashkimin Europian, Shqipëria ka përafruar politikat e azilit dhe migracionit me rregullat dhe ligjet komunitare të BE-së dhe me Konventën e Gjenevës.

Ne jemi duke punuar ngushtësisht me vendet europiane dhe vendet e tjera fqinje për t’u përballur dhe kapërcyer sfidat e migracionit. Kohët e fundit kemi nënshkruar një Marrëveshje për Statusin me Agjencinë Europiane të Kufitarit dhe të Bregdetit. Kjo marrëveshje parashikon një bashkëpunim më të mirë dhe më të koordinuar operacional midis Shqipërisë dhe shteteve anëtare të Bashkimit Europian për çështjet e migracionit.

Po bashkëpunojmë ngushtë edhe me Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin për të përgatitur një plan emergjence duke pasur parasysh zhvillimet aktuale.

Do të prezantojmë dhe nisim Strategjinë e re Kombëtare për Qeverisjen e Migracionit në një ditë simbolike, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Emigrantëve më 18 dhjetor.

Jemi të vetëdijshëm për përgjegjësitë e mëdha që kemi si një partner ndërkombëtar, si dhe për kapacitetet tona modeste e të kufizuara. Kjo është arsyeja pse Shqipëria beson se vetëm nëpërmjet partneriteteve të sinqerta dhe të fuqishme mund ta trajtojmë migracionin si një fenomen, në çdo formë që ai paraqitet.

Ne jemi në solidaritet me të gjitha vendet e prekura nga migrimi dhe Kompakti Global i sotëm mund të nënshkruajë vetëm këtë partneritet mëse të nevojshëm.

Shqipëria plotësisht e pranon Kompaktin Global Global për migrim të sigurt, të organizuar dhe të rregullt.

Ju faleminderit!