Presidenti Meta: Kushtëzimi i vizave për Kosovarët me demarkacionin, vendim i padrejtë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, i cili nisi sot vizitën zyrtare dy ditore në Prishtinë. Pas ceremonisë ushtarake të mirëseardhjes të zhvilluar në sheshin “Ibrahim Rugova” nga Forcat e Sigurisë së Kosovë, dy presidentët Thaçi dhe Meta kanë zhvilluar një takim mes tyre.

Pas takimit dypalësh mes delegacioneve, Meta dhe Thaçi kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për shtyp.

Presidenti Meta u ndal tek çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Ai tha se kushtëzimi i vizave për Kosovarët me demarkacionin është vendim i padrejtë. Meta tha se qytetarët e Kosovës janë të vetmit në Ballkanin Perëndimor që nuk gëzojnë këtë të drejtë.

“Është i padrejtë vendimi për të kushtëzuar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, me çështjen e demarkacionit. BE të qartësojë perspektivën rueopiane të Kosovës. Politika e zgjerimit duhet të vazhdojë. Duhet t’i jepet fund izolimit të qytetarëve të Kosovës, pasi Kosova ka plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave”, tha Presidenti Meta.

Ndërsa Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, vlerësoi mbështetjen e Shqipërisë, ndërsa vuri theksin në rritjen e bashkëpunimit.

“Shqipëria ka dhënë mbështetje të vazhdueshme ndaj Kosovës. Duhet të forcohet bashkëpunimi mes dy vendeve”, u shpreh Presidenti Thaçi.

Presidenti Meta do të vijojë axhendën me takimin me kryeministrin Ramush Haradinaj, me Kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli dhe Zëvendëskryeministrin e Parë dhe Ministrin e Jashtëm Behxhet Pacolli.

Gjatë vizitës Meta do të takohet edhe me krerët e partive parlamentare, si dhe do të bëjë homazhe te varri i Presidentit Ibrahim Rugova dhe në Kompleksin e Memorialit “Adem Jashari” në Prekaz-Skënderaj.