Presidenti Meta: Kreu i KED s’mund të bëjë lojëra. Kjo është e turpshme dhe sjellje mafioze

532
Sigal

Presidenti Ilir Meta në një konferencë për mediat ka sqaruar sot procedurën ligjore që ka ndjekur për përzgjedhjen e dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Kreu i shtetit deklaroi se ka respektuar Kushtetutën dhe ligjin për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Menjëherë pas kthimit nga vizita në Paris kam firmosur emërimin e gjyqtares Marsida Xhaferrllari duke ndjekur procedurën”,- tha Presidenti.

Lidhur me akuzat e PS se kreu i shtetit shkeli afatin 30 ditor me këtë dekretim, Presidenti tha se nuk ka shkelur asnjë fat.

“Nuk ka një afat të përcaktuar në Kushtetutë për Presidentin e Republikës. Kushtetuta është një dhe e ka parashikuar procedurën”,- tha Meta.

Në konferencën e dhënë për mediat, kreu i shtetit Ilir Meta ka reaguar për mënyrën sesi institucionet e reja të drejtësisë kanë zbatuar ligjin për emërimet e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.  Kreu i shtetit shpjegoi se roli i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) nuk duhet të mbivlerësohet.  “KED merret vetëm me menaxhimin administrativ të procesit, për të garantuar zbatimin e ligjit për Gjykatën Kushtetuese”,- tha Presidenti.

Ai shtoi se “nuk është normale që KED, që është organ kolegjial, apo akoma më keq, kryetari i KED (Adrian Dvorani) të bëjë lojëra procedurale”. Presidenti shtoi se interpretimi i njëanshëm i ligjit nga KED është i turpshëm dhe sjellje mafioze.