Presidenti Meta: Krenar për kontributin e jashtëzakonshëm dhe humanitar të Aleancës për Dhurimit e Gjakut në këtë përvjetor të parë të saj

423
Sigal

Në kuadër të 1-vjetorit të themelimit të Aleancës për Dhurimin e Gjakut të ndërmarrë me nismën e Tij, Presidenti i Republikës Sh.T.Z. Ilir Meta ishte i pranishëm në seancën e dhurimit të gjakut nga punonjësit e fabrikave “MANITALIA” dhe “TIME 10 shpk” në Xhafzotaj.

Presidenti Meta falënderoi drejtuesit italianë Carmine Qipro dhe Antonio Sabato dhe punonjësit e “MANITALIA-s” dhe “TIME 10 shpk” (ish-Filanto) për aktin humanitar e fisnik të dhurimit të gjakut, dhe vuri në dukje se kjo seancë e mbajtur pikërisht më 18 korrik, ka një rëndësi të veçantë, sepse përkon me 1-vjetorin e themelimit të Aleancës.

“Seanca e sotme ka edhe një vlerë tjetër shumë të madhe meqë organizohet në korrik, periudhë jo vetëm shumë e nxehtë, por edhe me mungesa më të mëdha në dhurimin e gjakut.” – nënvizoi Presidenti Meta, duke shprehur një mirënjohje të dyfishtë me këtë rast, sepse të sëmurët talasemikë, por jo vetëm ata, kanë nevojë të vazhdueshme për dhurimet tona vullnetare të gjakut.

Duke falënderuar të gjithë qytetarët dhe institucionet që i janë përgjigjur thirrjes për të dhuruar gjak e për të shpëtuar jetë, Presidenti Meta nënvizoi se ndihet krenar për punën e jashtëzakonshme që ka bërë Aleanca në vetëm një vit të jetës së saj, duke bërë një ndryshim të dukshëm në rritjen e numrit të dhurimeve vullnetare të gjakut.

“Jam i bindur që me impenjimin e të gjitha institucioneve publike dhe private, por veçanërisht të rinisë, do të arrijmë të sigurojmë një dhurim të qëndrueshëm e të përhershëm të gjakut” – vuri në dukje Presidenti i Republikës.