Presidenti Meta kërkon që kryetari i KLSH të qëndrojë në detyrë, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri

501
Sigal

Presidenti Meta i dërgon Bujar Leskaj një letër, ku i kërkon që të qëndrojë në detyrë, deri sa të zgjidhet kryetari i ri i KLSH-së, duke iu përgjigjur kërkesës të kryetarit të KLSH, për t’u liruar nga detyra, meqë u përmbush afati kushtetues.

Presidenti Meta, në letrën e vet, shkruan: Presidenti i Republikës, u njoh me shkresën tuaj nr.1454 prot, datë 31.12.2018, administruar me nr.2 prot, datë 03.01.2019, nëpërmjet të cilës veç; të tjerash informoni Presidentin, se mandati juaj në detyrën e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit ka përfunduar më datë 23.12.2018, dhe për këtë me Vendim nr.244, datë 22.12.2018, ju keni vendosur delegimin e kompetencave tuaja tek Zëvendëskryetari i KLSH-se dhe Drejtori i Përgjithshëm, znj. Lindita Lati (Milo). Pasi shqyrtova informacionin e përcjellë prej jush, ju bëj me dije se: Institucioni i Presidentit të Republikës në mbështetje të nenit 162 pika 2 të Kushtetutës dhe të ligjit nr. 154/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, që prej datës 12 tetor 2018 ka filluar procedurat e përzgjedhjes së kandidaturës për Kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke shpallur hapjen e procesit për çdo të interesuar, për të shprehur interesin për të qenë kandidat për këtë pozicionin kushtetues. Siç është bërë me dije, në përfundim të këtij procesi, Presidenti i Republikës, me Dekretin nr. 10929, date 05.11.2018, i ka propozuar Kuvendit të Shqipërisë që zonja Vitore Tusha, të zgjidhet Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Kuvendi i Shqipërisë, ka shqyrtuar këtë propozim dhe me Vendimin nr.126, datë 20.12.2018, ka vendosur: “Mosmiratimin e kandidaturës së zonjës Vitore Tusha dhe rrëzimin e dekretit nr. 10929, datë 05.11.2018 të Presidentit të Republikës “Për propozimin e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit”. Ky vendim është përcjellë nga Kuvendi në institucionin e Presidentit të Republikës, me shkresë nr.3553/2 prot, datë 24.12.2018

Në këto kushte, Presidenti i Republikës, është duke vlerësuar përzgjedhjen e një kandidature të re për t’ia propozuar Kuvendit për pozicionin kushtetues të Kryetarit të Kontrollit të Larteë të Shtetit.

Për sa i takon ushtrimit të mandatit si Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit pas përfundimit të afatit 7-vjeçar të tij, kjo çështje është e zgjidhur nga vetë ligji nr.154/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, ku në nenin 24 parashikohet shprehimisht se: ” Pas përfundimit të mandatit të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ky i fundit qëndron neë detyrë deri në zgjedhjen e Kryetarit të ri”. Për më tepër, qëndrimi në detyrë i Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, deri në zgjedhjen e Kryetarit të ri, lidhet edhe me statusin që ka ky pozicion kushtetues. Konkretisht në pikën 1 të nenit 19 të ligjit nr. 154/2014, parashikohet se Kontrolli i Lartë i Shtetit drejtohet dhe përfaqësohet nga Kryetari, ndërkohë që neni 165 pika 2 e Kushtetutës dhe neni 22 i ligjit nr. l54/2014, garantojnë imunitetin dhe mbrojtjen e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit gjatë ushtrimit të funksionit për mendimet dhe vendimet e marra prej tij.

Nëse organi i Kontrollit të Lartë të Shtetit, do të përfaqësohej nga një funksionar tjetër dhe jo nga Kryetari i tij, kjo do ta zhvishte atë nga mbrojtja kushtetuese dhe ligjore që ka ky institucion dhe në këtë mënyrë do të cenohej integriteti dhe pavarësia e tij. Në këto kushte, mbështetur në sa me sipër, Presidenti i Republikës, shpreh vullnetin e tij se, Ju duhet të angazhoheni për të qëndruar dhe ushtruar detyrën e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, deri në zgjedhjen e Kryetarit të ri.

Kjo është jo vetëm një e drejtë e dhënë nga ligji, por dhe një detyrim i parashikuar prej tij, për të garantuar pavarësinë e Kontrollit të Lartë të Shtetit si institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar edhe përgjatë periudhës tranzitore, deri në zgjedhjen e Kryetarit të ri të këtij organi.