Presidenti Meta: Ilaçi që shëron krizën e thellë është respektimi i votës së lirë

470
Sigal

Presidenti Ilir Meta nuk ndalet me deklaratat e tij për të gjetur rrugën e zgjidhjes së krizës. Gjatë një takimi me delegacionin e Komitetit Hebreo-Amerikan të kryesuar nga Drejtori i tij Ekzekutiv, zoti David Harris, Meta e njohu me situatën në vend delegacionin zyrtar të AJC-së, krizën e rëndë kushtetuese dhe institucionale që ka përfshirë vendin, si dhe me propozimin e tij si President i Republikës për zgjidhjen e saj nëpërmjet zhvillimit të tri palë zgjedhjeve më 13 tetor 2019: zgjedhjeve vendore, parlamentare dhe të Presidentit nga populli.

“I vetmi ilaç që shëron vendin nga kjo krizë e thellë përfaqësimi dhe legjitimiteti është vetëm respektimi i votës së lirë dhe direkte të të gjithë qytetarëve shqiptarë, dhe pranimi i verdiktit të tyre final nga të gjithe ne”, – u shpreh Kreu i Shtetit.

Gjithashtu Presidenti Meta e siguroi zotin Harris dhe delegacionin që e shoqëronte se miqësia mes shqiptarëve dhe komunitetit hebreo-amerikan do të vazhdojë të forcohet, dhe se bashkëpunimi ekonomik duhet të intesifikohet më tej.

Nga ana e tij, zoti Harris theksoi se: “Miqësia tradicionale e Shqipërisë dhe e kombit hebre është e skalitur në kujtesën tonë kombëtare jo vetëm për rolin fisnik të shqiptarëve në shpëtimin, mbrojtjen dhe strehimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, por dhe për historitë tona të ngjashme si dy popuj që kanë vuajtur përgjatë shekujve të ekzistencës së tyre”.