Presidenti Meta: Gjykata Kushtetuese, gardiani i përjetshëm i Kushtetutës së Shqipërisë

496
Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori sot pjesë në konferencën e organizuar me rastin e 25- vjetorit të krijimit të Gjykatës Kushtetuese.
Në fjalën e tij, Presidenti Meta vlerësoi Gjykatën Kushtetuese si modelin demokratik në respektim të të drejtave të njeriut dhe si një institucion i udhëhequr nga praktika e mirë e ndarjes së pushteteve.
“Fillimi i punës së Gjykatës Kushtetuese, 25 vite më parë ka qenë sfidues në një shtet që kërkohej të konsolidohej, pasi në demokraci pushtetet duhet të funksionojnë të ndara dhe në mënyrë të balancuar. Gjykata Kushtetuese qëndron në krye të sistemit të drejtësisë dhe si e tillë dhe misioni i saj është që të jetë gardiani i përjetshëm i Kushtetutës së Shqipërisë”, theksoi Meta.
Meta tha se Gjykata Kushtetuese ka shqyrtuar shumë çështje dhe në jo pak raste, ajo arsyeton qartë parimin e ndarjeve të pushteteve.
Po ashtu, Meta vlerësoi Gjykatën Kushtetuese në konsolidimin e shtetit të së drejtës. “Pikërisht vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese, jo vetëm ka zgjidhur konfliktet në aktivitetin e funksionimit të institucioneve, por ka ndihmuar në kulturën demokratike të ushtrimit të pushtetit me standardet më të mira europiane. Sot, Gjykata Kushtetuese mbush 25 vite që funksionon dhe dua të theksoj se kjo gjykatë është përballur jo rrallëherë me sfida të vështira, që më së shumti ia ka dalë”.
Po ashtu, Meta pohoi se Gjykata Kushtetuese ka fituar besimin edhe të gjykatave partnere të vendeve të tjera dhe organizmave ndërkombëtare.
“Gjykata Kushtetuese, si të gjitha institucionet e tjera përballet me sfidën e implementimit të reformës në drejtësi në drejtim të plotësimit të trupës gjyqësore kushtetuese dhe krijimin e institucioneve të reja, që kanë të bëjnë me qeverisjen në sistemin gjyqësor. Gjithashtu si të gjithë gjyqtarët e tjerë, edhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese do të jenë pjesë e vlerësimit e të verifikimit kalimtar, por më lejoni të them edhe një gjë të rëndësishme se, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese duhet të përmbushin ligjin me integritet”, tha Meta në fund të fjalës së tij.
Sigal