Presidenti Meta flet për eksodin nga Kosova: Të vazhdojmë të jemi pranë njeri-tjetrit. Sfida jonë të mbajmë të rinjtë

565
Sigal

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka marrë pjesë duke përshëndetur me një fjalim Akademinë Solemne “Faleminderit Shqipëri”, të organizuar nga Ipeshkëvia e Dioqezës Prizren-Prishtinë, që po mbahet në Prishtinë në Qendrën “Bogdani Polis” pranë Katedrales “Shën Nënë Tereza”.

Në këtë aktivitet të organizuar në shenjë falënderimi ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë, për solidaritetin, mikpritjen dhe dashurinë vëllazërore të ofruar ndaj shqiptarëve të Kosovës të shpërngulur forcërisht nga trojet e tyre nga regjimi i Millosheviçit gjatë Luftës së Kosovës, Kreu i Shtetit solli eksperiencën e tij dhe kujtoi eksodin masiv dhe solidaritetin e shqiptarëve.

Meta tha se viti 1999 ishte një vit i jashtëzakonshëm në historinë e Ballkanit por sidomos të vendit tonë. Ai kujtoi se atë vit bënte 30 vjeç por pati mundësi të festonte pas lajmit për nisjen e ndërhyrjes së NATO-s.

“Në Shqipëri çdo 28 nëntor festojmë jo vetëm duke u përkulur me nderim para Ismail Qemalit dhe para të gjithë atyre personaliteteve që ngritën flamurin në Vlorë por në mënyrë të veçantë duke nderuar kontributin e jashtëzakonshëm të Isa Boletinit, Hasan Prishtinës dhe gjithë atyre udhëheqësve të Kosovës që patën një kontribut të jashtëzakonshëm për të krijuar shtetin shqiptar edhe pse gjysma e territoreve mbetën jashtë tij dhe pse Kosova sakrifikoi.

Jemi të lumtur që të krijojmë vitin 1999, një vit i jashtëzakonshëm në historinë e Ballkanit por sidomos të vendit tonë. Një vit prove, një test afirmues apo shkatërrues për një vend dhe një komb. Duke i uruar ditëlindjen imzot Dodë Gjergji, për ne 24 marsi është një ditë e veçantë.

Kisha 30-vjetorin atë ditë por nuk pata mundësi ta festoja për shkak të një lajmi akoma më të mirë për mua e çdo e shqiptar atë të nisjes së ndërhyrjes së NATO-s për t’i dhënë fund gjenocidit dhe barbarisë në Kosovë”, tha Meta.

Ai theksoi se falë Zotit dhe mbi të gjitha falë atij mobilizimi të jashtëzakonshëm të virtyteve më të mira të kombit tonë dhe atij solidariteti heroik të treguar në radhë të parë nga gjithë shqiptarët e thjeshtë e kudo tjetër arritëm ta kalonim me një sukses të jashtëzakonshëm atë provë.

Duke shprehur njëkohësisht dhe falënderimet e mia më të mira edhe për kryeministrin e asaj kohe në Shqipëri, zotin Majko, për Presidentin Mejdani për të gjitha forcat politike që edhe pse vinim nga një ndarje e thellë e ’97 u bënë si një trup i tërë për të pritur 1 milion vëllezër e motra nga Kosova. Ju me të drejtë thoni faleminderit Shqipëri edhe pse Shqipëria e kishte për detyrë të përballonte atë krizë humanitare që erdhi nga Kosova për shkak të gjenocidit të Millosheviçit.

Edhe kur takohemi me zotin Majko e kolegë të tjerë e kemi të vështirë ta kuptojmë si mund të përballohej një krizë e përmasave të jashtëzakonshme kur UNHCR që ishte lajmëruar për këtë krizë, nuk kishte më shumë se sa mijëra dyshekë në Shqipëri dhe kriza u përballua falë përkushtimit të çdo shqiptari të thjeshtë. Do të theksoja solidaritetin heroik të popullit të Kukësit.

Pata fatin të isha për disa javë atje kur kriza shpërtheu dhe padyshim që sot kemi miqësira të pafundme të krijuara në atë periudhë ku nga Tropoja deri në Sarandë të gjithë mirëpritën vëllezërit nga Kosova, po janë pafund familjet kuksiane që nuk i mbajnë mend të gjitha familjet që kanë pritur nga Kosova edhe pse në kushte mjaft të vështira ekonomike e sociale”, deklaroi Presidenti.

Meta tha se kanë qenë momente kur vërtet vetëm një komb i rrezikuar në ekzistencën e tij mund të reagojë në atë mënyrë të jashtëzakonshme dhe të triumfojë duke bërë të mundur që Shqipëria të përballonte këtë krizë humanitare dhe të mos destabilizohej siç ishte një objektiv tjetër i Millosheviçit.

“20 vite kanë kaluar dhe jemi vërtet shumë më mirë se 20 vite më parë. Por nuk jemi aq të lumtur sa do të donim. Duhet të jemi më të vëmendshëm për të ardhmen që të shohim çfarë duhet të bëjmë më mirë. E mbani mend se si ishte rruga nga Kukësi në Tiranë. Ata që e bënin atë rrugë e kanë të qartë se çfarë ka ndodhur falë ‘Rrugës së kombit’, që ka krijuar një afërsi të pabesueshme, të cilën duhet ta shfrytëzojmë akoma më mirë për të ardhmen. Shqetësimi ynë është të punojmë për të mbajtur të rinjtë. Kjo është sfida jonë më e madhe.

Do doja të shprehja falënderimin tim të përzemërt për të presidentin Thaçi, për institucionet, për FSK-në, qytetarët për atë reagim të jashtëzakonshëm pas tërmetit, pasi Kosova ishte e para që u gjend kudo në Thumanë në Durrës atje ku tërmeti i 26 nëntorit bëri dëmet më të mëdha. Reagimi i tyre profesional e i menjëhershëm ka lënë gjurmë të thella. Kështu duhet të vazhdojmë të jemi pranë njeri-tjetrit”, u shpreh Presidenti Meta.

LIVE – Fjala përshëndetëse në Akademinë Solemne “Faleminderit Shqipëri”, të organizuar nga Ipeshkvia e Dioqezës Prizren-Prishtinë

Gepostet von Ilir Meta am Samstag, 18. Januar 2020