Presidenti Meta dhe Presidenti italian Mattarella vizitojnë Kolegjin e “Shën Adrianit” në Vitin Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit, Skënderbeut

542
Sigal

Presidenti i Republikës, Ilir Meta së bashku me Presidentin e Republikës së Italisë, Sergio Mattarella vizitoi Kolegjin “Shën Adrianit” në Shën Mitër Korona ku u pritën ngrohtësisht dhe u takuan me studentë, pedagogë dhe drejtues vendorë e fetarë të bashkësive arbëreshe.

Të dy krerët e shteteve, pas ceremonisë solemne, zhvilluan një takim kokë më kokë, ku biseduan për lidhjet e vjetra historike dhe të miqësisë, mbi partneritetin strategjik si dhe thellimin e bashkëunimit të gjithanshëm mes dy vendeve dhe popujve tanë, dhe më pas iu drejtuan të pranishmëve në sallën e teatrit të Kolegjit.

Në fjalën e tij, Presidenti Meta, me të tjerash theksoi se Shën Mitër Korona dhe Kolegji i “Shën Adrianit” është djepi i arsimit dhe kulturës arbëreshë, ku ka dhënë mësim De Rada, dhe njëri prej studentëve ka qenë Luigj Gurakuqi, figura frymëzues dhe kontribuuese të Rilindjes sonë Komëbtare dhe shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

“Edhe pse larg mëmëdheut të tyre, komuniteti arbëresh krijoi dhe mbajti gjallë identitetin e vet kombëtar, i cili edhe sot pas 550 vitesh ruan me dashuri e fanatizëm gjuhën, kostumet, ritet, traditat dhe besimin.

Ruajtja dhe kultivimi i identitetit kombëtar të arbëreshëve është një simbiozë unikale me integrimin e plotë të tyre me kulturën dhe shoqërinë italiane.” – vuri në duke Presidenti Meta.

“Ne u jemi mirënjohës pafundësisht arbëreshëve për kontributin e çmuar që kanë dhënë për kombin tonë: përjetësimin e figurës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut ndër shekuj.

Skënderbeu na bashkon të gjithëve ne shqiptarëve kudo në botë! Prandaj ne u jemi mirënjohës motrave dhe vëllezërve tanë arbëreshë që e ruajtën këtë figurë të lavdishme dhe bëmat e tij.

Komuniteti arbëresh mbetet sot ruajtësi i vetëm i gjuhës që Skënderbeu dhe bashkëluftëtarët e tij patën folur gjashtëqind vjet më parë.

Ky është një thesar i madh për kombin tonë, për Italinë dhe trashëgiminë botërore.

Është në interesin e dy popujve dhe vendeve tona të promovojmë këtë komunitet të vjetër e me vlera unikale si pjesë e pandashme e trashëgimisë historike shqiptare, italiane dhe europiane.” – u shpreh kreu i shtetit shqiptar.

Presidenti i Republikës vlerësoi Kolegjin “Shën Adrianit” me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” “Në shenjë vlerësimi për veprimtarinë e çmuar akademike, për promovimin e gjuhës, letërsisë dhe kulturës arbëreshe, duke u kthyer në një vatër të rëndësishme të ruajtjes së trashëgimisë, të edukimit e formimit të të rinjve arbëresh.

Me mirënjohje për kontributin e veçantë në forcimin e lidhjeve, veçanërisht kulturore, midis Shqipërisë dhe Italisë”.

Presidenti Meta dhe Presidenti italian Mattarella përuruan pllakatën kushtuar Heroit tonë Kombëtar, në të cilën janë gdhendur fjalët: “në 550-vjetorin e përkujtimit të Gjergj Kastriotit, Skënderbeut.”

Fjala e Presidentit Meta në Kalabri

I nderuar President i Republikës së Italisë, Serxhio Mattarella,

Të nderuara autoritete vendore,

Ministri Majko, deputetë,

Të dashur motra dhe vëllezër arbëresh,

Jam shumë i lumtur të jemi sot së bashku me mikun e shqiptarëve dhe të arbëreshëve, me Presidentin Mattarella, këtu në Kolegjin e Shën Adrianit, në Shën Mitër Korona, në djepin e arsimit dhe kulturës arbëreshe.

Faleminderit i dashur President Mattarella për vëmendjen e veçantë që ju i kushtoni këtij komuniteti dhe marrëdhënieve tona.

Jemi pikërisht këtu në gjurmët dhe trashëgiminë e të madhit De Rada, i ciliishte mësuesi i parë i “Katedrës së Gjuhës Shqipe” dhe një nga themeluesit e “Rilindjes Shqiptare” këndej dhe andej Adriatikut.

Popujt tanë nuk i bashkon vetëm deti, por historia jonë e hershme dhe moderne. Dëshmia më e gjallë dhe modeli mëi mirë i kësaj bashkëjetese të përjetshmejanë arbëreshët, për të cilët jemi gjithmonë krenarë dhe mirënjohës.

Në udhëtimin e përbashkët historik mijëra vjeçar, kemi një moment kulmor të marrëdhënieve tona qëpërkon me “Epokën e Skënderbeut”, e cila ishte përcaktuese jo vetëm për fatin tonë si popull dhe komb, por edhe për vetë fatin e Europës.

Heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, për 25 vite me radhë, jo vetëm mbrojti lirinë e kombit tonë, por u bë dhe mburojë për mbarë krishterimindhe qytetërimin europian.

Ky kontribut i mirënjohur është dokumentuar edhe në marrëdhëniet e tij diplomatike, ushtarake e miqësore me Mbretërinë e Napolit, me Papatin dhe me Republikën e Venedikut.

Fatkeqësisht, me vdekjen e tij 550 vjet më parë, pushtimi otoman solli edhe “eksodin e madh” të arbëreshëve drejt brigjeve të Italisë.

Gjithë dhimbja për largimin nga Arbëria, mëmëdheu i tyre i dashur, nga varret e të parëve, arratia nga pushtimi, braktisja e vatrave, shtëpive, ndarja nga të afërmit etj. janë shprehur më së bukuri në vargjet:

Atje kam unë zotin At/ atje kam unë zonjën Mëmë /atje kam dhe tim vëlla/ të gjithë mbuluar nën dhe/ Ah e bukura More…

Largimi ishte i dhimbshëm, malli dhe nostalgjia për mëmëdheun e lënë mbrapa, akoma më i madh.

Por, për fatin e tyre të mirë, atdheu i ri ku mbërritën, i mirëpriti duke ju dhënë mundësinë të krijonin fshatrat e tyre dhe komunitetin Arbëresh.

Edhe pse larg mëmëdheut të tyre, komuniteti Arbëresh krijoi dhe mbajti gjallë identitetin e vet kombëtar, i cili edhe sot pas 550 vitesh, ruan me dashuri e fanatizëm gjuhën, kostumet, ritet, traditat e besimin fetar.

Ruajtja dhe kultivimi i identitetit kombëtar tëarbëreshëve është në simbiozëunikale me integrimin e plotë të tyre me kulturën dhe shoqërinë italiane.

Vargjet e ëmbla të Vincenzo Stratigò-it, fisnik arbëresh nga Lungro e pasqyrojnë këtë ndjenjë më së miri:

E dashur Itali, E bukura Itali/Ti më strehove si një motër/ Në gjirin e ëmbël të të bukurit vend.

Jam Shqipëtar.

Një fakt kuptimplotë i kësaj bashkëjetese shekullore është dhe kontributi i qenësishëm i komunitetit arbëresh në bashkimin e Italisë. Shumë prej patriotëve arbëresh dhanë jetën për të krijuar një Itali të bashkuar, një e të pandarë, duke u pagëzuar nga Garibaldi si “luanët e betejave”.

Poetët arbëreshë edhe Garibaldin e quanin Skënderbe këmishëkuqi ynë me flet/ Skënderbeut tonë i ngjet!

Shumë prej tyre ishin iluministë dhe intelektualë me ide liberale dhe kulturë shtetformuese.

Ata ishin arsimuar në Kolegjin “Corsini” të San Benedetto Ullano dhe më pas këtu në Kolegjin e Shën Adrianit, të Shën Mitër Korona, duke krijuar kështu plejadën e elitës arbëreshe të Kalabrisë.

Shumë shpejt Kolegji i Shën Adrianit u bë qendra e përqasjes së ideve të reja liberale dhe revolucionare, duke promovuar shumë mendje të ndritura të Rilindjes Italiane, si Domeniko Mauro e Paskuale Skura.

Në këtë institucion u edukua dhe më pas dha mësim Jeronim De Rada, një rilindas dhe patriot i madh, i cili mes të tjerëve, pati nxënës edhe të riun Luigj Gurakuqi, atë që do të bëhej më pas njëri prej korifejve të mëdhenj të pavarësisë sonë kombëtare.

Ndërkohë që luftonin për bashkimin e atdheut të tyre të dytë, Italisë, arbëreshët filluan të mendonin sesi të mund të bënin të njëjtën gjë edhe me atdheun e tyre të origjinës, Shqipërinë.

Me në krye Jeronim De Radën, ata iu dedikuan gjuhës shqipe dhe mësimit të saj, ruajtjes dhe forcimit të trashëgimisë kulturore dhe të mendimit, si dhe nuk reshtën përpjekjet e tyre në luftën për pavarësinë e Shqipërisë.

Patriotët dhe intelektualët arbëresh kanë dhënë një kontribut të paçmuar në nivel politik dhe diplomatik për çështjen shqiptare dhe për shpalljen e pavarësisë.

Mbitë gjitha, ne u jemi mirënjohës pafundësisht arbëreshëve për kontributin më të çmuar që kanë dhënë për kombin tonë: përjetësimin e figurës së Gjergj Kastriot Skënderbeut ndër shekuj.

Kur u larguan nga atdheu i tyre, arbëreshët morën me vete në shpirt e në zemër të gjithë mishërimin e figurës së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, të cilën po me aq dashuri e rikthyen gjatë periudhës së Rilindjes Shqiptare,si frymëzimin e bashkimit të tëgjithë kombit tonë.

Skënderbeu na bashkon të gjithë ne shqiptarëve kudo në botë! Prandaj ne u jemi mirënjohje tëpakufishme ndaj motrave dhe vëllezërve tanë arbëreshë që e ruajtën për shekuj këtë figurë të lavdishme dhe bëmat e tij.

Komuniteti arbëresh mbetet sot ruajtësi i vetëm i gjuhës që Skënderbeu dhe bashkëluftëtarët e tij patën folur gjashtëqind vjet më parë.

Ky është një thesar i madh për kombin tonë, për Italinë dhe për trashëgiminëeuropiane dhe botërore.

Ndërkohë, një falënderim të madh ia kemi Italisë dhe popullit italian, për mikpritjen, por mbi të gjitha për mbështetjen e pakushtëzuar që ju ka dhënë dhe vazhdon t’u japë arbëreshëve të Italisë, për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditave të tyre.

Është në interesin e dy popujve dhe vendeve tona të promovojmë këtë komunitet të vjetër dhe me vlera unikale, si pjesë e pandashme e trashëgimisë historike shqiptare, italiane dhe europiane.

Të dashur miq,

Shembja e diktaturës së egër komuniste në fillim të viteve 90-të provokoinjë eksod tjetër masiv për shqiptarët.   Dhjetëra mijëra qytetarë vërshuan me anije tëmbingarkuara, në kërkim të lirisë, fatit dhe të një jete më të mirë në Italinë fqinje.

Shteti dhe populli mik italian hapi dyert për t’i mirëpritur, ashtu siç kishte bërë 5 shekuj më parë me arbëreshët tanë. Italia mbetet mikpritësi i njërit prej komuniteteve më të mëdha e më të mirëintegruara të emigrantëve shqiptarë jashtë atdheut.

Italia ka qenë pranë nesh në të gjitha momentet kyçe të historisë sonë.

Edhe sot, ne vazhdojmë t’i jemi mirënjohëse Italisë për mbështetjen e gjithanshme që na ka dhënë e vazhdon të na jep në rrugëtimin tonë drejt integrimit europian.

Italia është partner strategjiki Shqipërisë, me një kontribut të jashtëzakonshëm politik, ekonomik, arsimor dhe kulturor në të gjitha proceset demokratizuese, në konsolidimin e shtetit ligjor dhe në zhvillimin ekonomiko-social të vendit.

Arbëreshët dhe emigrantët shqiptarë të pas viteve 90-të kanë një kontribut të pamohueshëm edhe për vetëzhvillimin ekonomik dhe progresin eshoqërisë italiane.

Ne jemi krenarë kur dëgjojmë histori dhe modele suksesi të arbëreshëve dhe shqiptarëve të njohur në Itali, qofshin këto në jetën akademike, në botën e biznesit, apo në fushën e artit, kulturës dhe sportit.

Nga ana tjetër, nuk mund ta fshehim kënaqësinë që aktualisht janë mbi 25 mijë qytetarë italianë që kanë zgjedhur të studiojnë, të punojnë dhe të jetojnë në Shqipëri. Kjo ishte e paimagjinueshme 27 vite mëparë!

Jemi të vetëdijshëm që komuniteti Arbëresh meriton më shumë vëmendje dhe vlerësim nga Shqipëria, prandaj jam këtu me Ministrin e Diasporës Majko, me deputetë të mazhorancës dhe opozitës, dhe do të jemi te të gjitha komunat arbëreshes.

Kemi nevojë që brezat e rinj të një gjaku,në dy anët e Adriatikut e të Jonit të njihen më shumë, të komunikojnë më tepër, të shkëmbejnë eksperienca dhe të ndajnë aspirata të përbashkëta si qytetarë europianë.

Do të bëjmë përpjekje maksimale jo vetëm në nivel qëndror shtetëror, por edhe në nivel rajonal dhe lokal për binjakëzimin e komunave arbëreshe me bashkitë tona, në realizimin e projekteve ekonomike, sociale, kulturore dhe artistike, ndaj kemi rënë dakord me Presidentin e Rajonit të Kalabrisë dje për marrëveshje shumëplanëshe mes Shqipërisë dhe Kalabrisë .

Po kështu jam i bindur se kjo vizitë e përbashkët me Presidentin Mattarella nuk shënon veçse një fillim të ri të angazhimit të përbashkët në emër të dy vendeve për ruajtjen e kësaj trashëgimie  unike që ju përfaqësoni për të dy vendet tona dhe për Europën.

Të dashur motra dhe vëllezër Arbëreshë,

Shqipëria dhe shqiptarët do t’ju jenë mirënjohës për rolin tuaj të pazëvendësueshëm si faktor i identitetit tonë kombëtar.

Ju na ruajtët emrin si popull i vjetër e i lavdishëm: Arbër Arbëresh, Arbanë, Arbën e Albani janë fjalë që ekzistojnë prej jush.

Sepse ju jetuat me mitin e të parëve në shpirt dhe lavdinë e pavdekshme të Skënderbeut.

Prandaj ideologjia jonë kombëtare lindi së pari këtu tek ju.

Ndaj shqiptarët kudo që jetojnë sot e në të ardhmennuk do të harrojnë se në momentet më kritike të përgjumjes së kombit tonë, nga këtu kumboi thirrja e De Radës, patriotit dhe rilindasit tonë të madh që zgjoi ëndrrën e fjetur.

Erdhi Dita e Arbrit!

Lavdi të përjetshme kombit tonë dhe Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit, Skënderbeut!

Rroftë miqësia vëllazërore italo-shqiptare!

Rrofshin arbëreshët!