Presidenti Meta çmon Fondacionin “Fundjavë Ndryshe” me Dekoratën “Nënë Tereza”

955
Sigal

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi sot me anë një ceremoni të veçantë Fondacionin bamirës “Fundjavë Ndryshe” me Dekoratën “Nënë Tereza”: “Në shenjë vlerësimi për kontributin e çmuar dhe të vazhdueshëm në ndihmë të familjeve të varfra, duke përmirësuar ndjeshëm jetesën e tyre. Kjo veprimtari humanitare është kthyer në shembull frymëzimi për të rinjtë dhe ka forcuar solidaritetin e shoqërisë ndaj shtresave në nevojë”.

Në fjalën e mbajtur në praninë e drejtuesve dhe përkrahësve të bordit themelues të Fondacionit, aktivistëve vullnetarë, krerëve e klerikëve të bashkësive të fetare shqiptare, pedagogëve, gazetarëve dhe artistëve të ftuar, Presidenti Meta vuri në dukje se ka kënaqësinë e veçantë, që të nderojë me Dekoratën e lartë ‘Nënë Tereza’, Fondacionin “Fundjavë Ndryshe”, një fondacion që mbledh brenda vetes një numër të madh të rinjsh e të rejash shumë aktiv, veçanërisht në fushën sociale.

“Ky vlerësim, që mban emrin e shenjtores sonë të madhe Nënë Tereza, merr vlerë të veçantë për faktin se këta të rinj e të reja, ashtu si Shën Nënë Tereza, i dedikohen bamirësisë duke ndihmuar me qindra e mijëra familje shqiptare në nevojë.

Nuk ka gjë më të bukur e emocionuese sesa të shikosh të rinjtë e të rejat e “Fundjavë Ndryshe” që me shumë dashuri e përkushtim, kohën e tyre të lirë, ia dedikojnë ndihmës për fëmijët e varfër, për familjet në nevojë, për njerëzit me aftësi të kufizuar apo për të sëmurët.

Kjo tregon një përgjegjshmëri të lartë sociale në mbrojtjen e shtresave më vulnerabël të shoqërisë, dhe forcimin e solidaritetit shoqëror dhe njerëzor.”, – nënvizoi Presidenti Meta

Presidenti i Republikës vuri në dukje aspektin e veçantë njerëzor dhe humanitar të Fondacionit, duke u shprehur: “Më kujtohet 3 vjet më parë kur fillova të dëgjoja emrin e ‘Fundjavë Ndryshe’. Më pëlqeu shumë fakti që një grup të rinjsh e të rejash, kryesisht studentë, për më shumë të drejtuar po nga një student shumë i ri në moshë, Arbër Hajdari, shkonin së bashku, derë më derë, në familjet e varfra duke çuar ndihma ushqimore e veshmbathje.

Natyrisht, që fillimet kanë qenë të vështira. Por, këmbëngulja dhe vendosmëria juaj për të bërë një vepër të mirë për njerëzit, vendin dhe shoqërinë, por edhe besimi që disa prej televizioneve dhe drejtuesve të disa prej emisioneve më të suksesshëm televizivë ju dhanë,  e fuqizoi aksionin tuaj dhe e bëri të pandalshëm.

Sot, pas 3 vitesh, bilanci juaj është mbresëlënës, me mbi 16.000 familje të ndihmuara, 190 ndërtesa të ngritura, 100.000 njerëz të angazhuar, 8000 flakone gjaku të dhuruar dhe shumë veprimtari të tjera që vazhdojnë çdo ditë të ndihmojnë me mijëra njerëz në 6 qarqet më të varfra të vendit.

Bashkëpunimi që keni me kompani private, spitale, shkolla, studio ligjore etj ka bërë që shumë familjeve t’u sigurohet kurimi falas, edukimi i fëmijëve përmes bursave, asistenca ligjore falas apo punësimi pranë kompanive të ndryshme.

Dëshiroj të theksoj se përveç se një veprimtari humanitare dhe bamirëse për shtresat në nevojë të shoqërisë shqiptare, modeli i punës dhe angazhimit social që japin të rinjtë dhe të rejat e “Fundjavë Ndryshe” shërben si frymëzim edhe për të rinjtë e tjerë shqiptar dhe njëkohësisht, forcon solidaritetin, vullnetarizmin dhe mbështetjen për këto shtresa.

Puna e deritanishme e Fondacionit ‘Fundjavë Ndryshe’ për familjet shqiptare më në nevojë dhe dedikimi për kauzën e tyre gjen shprehjen më të bukur në fjalët e Shën Nënë Terezës: ‘Ne e dimë mirë që kjo që bëjmë është vetëm një pikë në oqean, por pa këtë pikë, oqeani do të ishte më pak’”, – u shpreh Kreu i Shtetit.

Themeluesi dhe drejtuesi i Fondacionit, Arbër Hajdari, i shprehu mirënjohjen Presidentit Meta për vlerësimin dhe mbështetjen e pakursyer personale dhe institucionale, duke theksuar se e gjithë veprimtaria bamirëse bëhet për të ngjallur shpresën si dhe për t’u ardhur në ndihmë shqiptarëve, sidomos brezit të ri.

“Nuk ka gjë më të bukur dhe emocionuese se sa të shikosh të rinjtë e të rejat e Fondacionit që me shumë dashuri e përkushtim, kohën e tyre të lirë ia dedikojnë ndihmës për fëmijët e varfër, për njerëzit me aftësi të kufizuara apo të sëmurëve. Kjo tregon një përgjegjshmëri të lartë sociale në mbrojtje të shtresave më vulnerabël dhe forcimin e solidaritetit shoqëror dhe njerëzor.”, – theksoi zoti Hajdari në fjalën e tij falënderuese.