Presidenti Meta: Brenda qershorit formalizohet Aleanca Kombëtare e Dhuruesve të Gjakut

112

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta, në kuadër të Ditës Botërore të Dhurimit të Gjakut, përshëndeti sot vullnetarët dhe drejtuesit e Kryqit të Kuq Shqiptar për solidaritetin dhe përkushtimin e tyre duke vizituar tendën e ngritur në lulishten e Parkut “Rinia”.

Me këtë rast Presidenti Meta u shpreh: “Është kënaqësi e veçantë të jem sot këtu, me vullnetarët rinj dhe drejtuesit e Kryqit të Kuq Shqiptar, në këtë ditë të rëndësishme Botërore të Dhurimit të Gjakut, në këtë demonstrim të solidaritet të shumë qytetarëve, sidomos të shumë të rinjve e të rejave, të cilët dhurojnë gjak për të shpëtuar jetë, për të ndihmuar bashkëqytetarët tanë, të cilët kanë nevoja të vazhdueshme apo të papritura”.

Presidenti Meta theksoi domosdoshmërinë e shtimit të angazhimit vullnetar për dhurimin e gjakut dhe paralajmëroi se brenda muajit qershor do të formalizohet për këtë qëllim edhe Aleanca Kombëtare e Dhuruesve të Gjakut.

“Sidomos në periudhën e verës është mjaft e rëndësishme të shtohet ky angazhim vullnetar i të gjithëve në mënyrë që të mos kemi mungesë gjaku dhe të jemi të aftë të përballojmë të gjitha nevojat e kërkesat e qytetarëve për gjak, nga ata të cilët kanë probleme të vazhdueshme, tek qytetarët që kanë probleme me talaseminë dhe gjithë të tjerët. Në këtë drejtim dua t’ju bëj të ditur se unë do të jem një anëtar i rregull i dhuruesve vullnetarë të gjakut dhe se brenda muajit qershor do të formalizojmë edhe Aleancën Kombëtare të Dhuruesve të Gjakut që do të jetë një forum gjithëpërfshirës, të cilin do ta drejtoj unë, së bashku me shumë përfaqësues të shumë institucioneve, organizatave dhe personaliteteve të fushës së shëndetësisë, në mënyrë që të zgjidhim në një kohë shumë të shpejtë këtë çështje dhe të kemi një demonstrim të qartë të humanizmit që ne e kemi si popull dhe si komb, i cili ka nxjerrë një figurë të jashtëzakonshme për njerëzimin, e cila ka dhuruar dashuri e përkujdesje në të gjithë botën, Nënë Tereza.

Jam i sigurt që do të arrijmë një sukses të shpejtë e të qëndrueshëm në mënyrë që t’i japim një zgjidhje përfundimtare dhe tërësisht vullnetare këtij problemi të dhurimit të gjakut.

Kam shumë besim te të rinjtë dhe të rejat në të gjithë Shqipërinë”, – u shpreh Presidenti Meta.