Presidenti Meta bën homazhe me rastin e 80-vjetorit të fillimit të rezistencës antifashiste

473
Sigal

Presidenti i Republikës, Ilir Meta bëri homazhe te busti i Heroit të Popullit, Mujo Ulqinaku në Durrës, me rastin e 80-vjetorit të nisjes së rezistencës antifashiste kundër pushtimit të Shqipërisë. Gjatë ceremonisë përkujtimore ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të institucioneve vendore e qendrore, Presidenti Meta vendosi një kurorë me lule dhe u përul me respekt para heroizmit dhe veprës atdhetare të Mujo Ulqinakut dhe të gjithë bashkëluftëtarëve, të cilët u ngritën me armë në dorë kundër pushtuesve fashistë. Presidenti i Republikës u shpreh para mediave të pranishme: “Edhe pse populli thotë ‘7 prill mos ardhsh kurrë!’ përsëri 7 prilli vjen çdo vit dhe ne jemi sot(dje) këtu në Durrës pikërisht në këtë 80-vjetor për të kujtuar me krenari të pafund Mujo Ulqinakun dhe të gjithë ata ushtarakë dhe vullnetarë, të cilët i qëndruan betimit ‘Për Atdhe e për Flamur’. Dhe të cilët me qëndresën e tyre heroike ndaj njërës prej fuqive më të mëdha të kohës bënë krenar çdo shqiptar njëherë e përgjithmonë dhe jo vetëm kaq, por e kthyen 7 Prillin në ditën e parë të rezistencës antifashiste të popullit shqiptar duke vendosur me sakrificën e me gjakun e tyre vendin tonë në anën e duhur të historisë, por edhe të qytetërimit. Ndaj edhe jam sot këtu për t’u përulur me nderim të jashtëzakonshëm përpara një ushtaraku aq të thjeshtë sa ç’ishte Mujo Ulqinaku, i cili me vetëdije të plotë i bëri një shërbim të jashtëzakonshëm historik Atdheut dhe kombit tonë, duke dhënë mesazhin e sakrificës më sublime në emër të dinjitetit kombëtar.”