Presidenti Meta: Banorët e prekur tek Unaza e Re meritojnë zgjidhje të drejtë

459
Sigal

Unë do ta ndjek këtë situatë. Pres një informacion sa më të plotë për të bërë një gjykim sa më objektiv, jo thjesht për të bërë një vlerësim në bazë të pamjeve, apo debateve që dëgjojmë nga ekranet dhe nga mediat. Natyrisht që do të bëj vlerësimin tim. Por ajo që është më e rëndësishme se çdo gjë është një inkurajim që unë i kam dhënë dhe i jap gjithmonë dialogut për çështje të tilla, për t’i tejkaluar këto situata që nuk i shërbejnë as paqes sociale, as një atmosferë më pozitive dhe bashkëpunuese. E gjithë atmosfera, me thënë të drejtën, mua nuk më pëlqen. Në kuptimin e një përpjekjeje për të imponuar një situatë konfliktuale, në vend të përpjekjeve për një dialog të qetë e të durueshëm. Pasi banorët mund të kenë edhe situata jo të njëjta apo të ndryshme të karakterit ligjor apo edhe social, të cilat mund të kërkojnë natyrisht zgjidhjet e duhura. Po them proporcionale në raport me statusin e tyre ligjor, flasim të tyre dhe të formave të tyre apo statusin e tyre social, pasi kjo pastaj sjell një gjë tepër të domosdoshme. Është një gjë ligjore, por është edhe një gjë njerëzore.

Presidenti Meta përshëndet ceremoninë e shpalljes së mësuesit Shkëlqim Gjergjani, “Qytetar Nderi” i Beratit

Presidenti i Republikës, Ilir Meta gjatë vizitës së djeshme të punës në Berat, ishte i pranishëm në ceremoninë e vlerësimit të mësuesit të shquar, Shkëlqim Gjergjani me titullin “Nderi i Qytetit” (pas vdekjes) nga Bashkia e Beratit, që u zhvillua në bibliotekën e qytetit. Duke përshëndetur ceremoninë e organizuar nga Bashkia e Beratit, Presidenti Meta u shpreh se: “Unë jam vetë fëmijë mësuesish dhe babai im gjithashtu ka mbaruar shkollën Pedagogjike të Beratit. Të gjithë kemi nostalgji për atë vend që ka pasur mësuesi në jetën tonë dhe të çdo familjeje në të kaluarën, por edhe në komunitet dhe në shoqëri. Vlerësim maksimal për misionin por edhe sakrificën e pasionin e mësuesve, edukatorëve, drejtuesve në fushën e arsimit, siç është dhe rasti i zotit Shkëlqim Gjergjani, të cilin ju sot po e nderoni.” – u shpreh Presidenti Meta.

Presidenti Meta në Berat, me “Aleancën për Dhurimin e Gjakut”

Presidenti Meta në Berat, me “Aleancën për Dhurimin e Gjakut”: Asnjë qytetari, asnjë fëmije apo të aksidentuari të mos i mungojë gjaku. Presidenti Meta së bashku me Kryebashkiakun e Beratit, zotin Petrit Sinaj morën pjesë në një seancë të dhurimit të gjakut nga dhjetëra qytetarë, por edhe punonjës të administratës së Bashkisë. Presidenti Meta duke falënderuar qytetarët beratas të cilët iu përgjigjën me vullnetarizëm apelit të “Aleancës për Dhurimin e Gjakut”, u shpreh se: “Dëshiroj të shpreh kënaqësinë për solidaritetin e qytetarëve të Beratit me këtë kauzë humane. Qarku i Beratit është ndër qarqet e veçanta për sa i përket kërkesës për dhurimin e gjakut, por konstatoj se ka arritur ta menaxhojë shumë mirë e me përgjegjësi këtë proces në saje të bashkëpunimit shumë të mirë mes institucioneve vendore dhe komunitetit.