Presidenti Meta: Asnjë pakt për detin në shkelje të Kushtetutës

606
Meta: Qartësi për paktin me Greqinë, të respektohet Kushtetuta
Presidenti i Republikës deklaron, se nuk mund të vihet përpara faktit të kryer, ndërsa kërkon një zgjidhje të drejtë, të qëndrueshme dhe përfundimtare
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, kërkoi qartësi nga qeveria për negociatat mbi ndarjen e kufirit detar me Greqinë, ndërsa deklaroi se askush nuk mund ta vërë Kreun e Shtetit përpara faktit të kryer. “Duke nënvizuar rëndësinë e jashtëzakonshme që i kushtoj forcimit të marrëdhënieve dhe rritjes së frymës së mirëbesimit me fqinjët në përgjithësi dhe me Greqinë në veçanti, jo vetëm në detyrën aktuale të Presidentit të Republikës, por edhe në vijimësi, në të gjitha detyrat shtetërore dhe politike të mëparshme, theksoj mbështetjen dhe angazhimin tim për një zgjidhje të drejtë, të qëndrueshme dhe përfundimtare të kësaj çështjeje të rëndësishme”, deklaroi Meta në një konferencë për shtyp. Kreu i Shtetit theksoi se sjellja dhe kontributi i tij ndaj kësaj çështjeje do të jetë i bazuar vetëm mbi Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili ka cilësuar dhe interpretuar qartë, për herë të parë, rolin dhe kompetencën e Presidentit të Republikës në lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe specifikisht të marrëveshjes mbi përcaktimin e hapësirave detare midis Shqipërisë dhe Greqisë. “Kushtetuta dhe Vendimi i Gjykatës Kushtetuese mbi këtë çështje janë, jo vetëm për Presidentin e Republikës, por për të gjitha institucionet shqiptare që përfshihen në këtë proces, vija e kuqe e detyrueshme për zbatim”, tha Meta.

A keni ju ambicie për ta drejtuar vet ekipin negociator në marrëdhëniet me Greqinë? A mund të dimë se cilat kanë qenë vendimet e përfaqësuesve të partive e opozitës në lidhje me përcaktimin e kufijve mes Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë?
“Kam pasur takime me gjithë kolegët e nderuar që kanë shërbyer si Presidentë përpara meje dhe me përfaqësuesen e mazhorancës, drejtueses së Komisionit të Jashtëm, znj. Kodheli dhe me përfaqësuesin e opozitës në Komisionin e Jashtëm, z. Shehu, për t’i njohur me këtë situatë dhe për të shkëmbyer mendime. Opozita mund të bëjë vet më të qartë qëndrimin e saj se sa unë, por qëndrimi i opozitës ose i përfaqësuesit ka qenë që, kjo çështje duhet të zgjidhet në Gjykatën Ndërkombëtare në mirëkuptim midis palëve. Sigurisht që kjo është një mundësi. Ndërkohë që, sikurse jeni në dijeni, qeveria ka synuar dhe synon që kjo çështje të zgjidhet përsëri përmes negociatave. Duke respektuar qëndrimin e opozitës, ajo ka të drejtën e saj, për të mbajtur këtë qëndrim. Njëkohësisht respektoj qëndrimin dhe iniciativën e qeverisë për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare kësaj çështjeje përmes negociatave të reja, por më duhet të theksoj se për këtë çështje ka një vendim të posaçëm të Gjykatës Kushtetuese, e cila është një ‘vijë e kuqe’ për të gjithë, duke filluar nga Presidenti i Republikës. Në këtë drejtim, është detyra e Presidentit që të respektojë këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese sepse, Presidenti është betuar për mbrojtjen e Kushtetutës. Do të doja të cilësoja vetëm tre momente nga përgjigja që Institucioni i Presidentit i ka kthyer Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme lidhur me këtë rol apo lidhur me disa përcaktime të rëndësishme që për herë të parë Gjykata Kushtetuese ka bërë për këtë çështje apo për çështje të tjera të ngjashme: “37. Gjykata çmon se qëllimi i plotfuqisë është dhënia e autorizimit nga organi kompetent për të biseduar me palën tjetër për çështje që caktohen shprehimisht në objektin e plotfuqisë. Përfaqësuesit e shtetit që pajisen me plotfuqi janë të autorizuar të bisedojnë vetëm për aq sa është përcaktuar në mandatin e dhënë për përfaqësim. Në çdo rast, negocimi dhe lidhja e marrëveshjes duhet të bëhet brenda kufijve të përcaktuar në plotfuqinë e dhënë nga organi kompetent. Në këtë mënyrë, për çdo ndryshim, shtesë apo zvogëlim të objektit të negocimeve, përfaqësuesit e shtetit shqiptar janë të detyruar të kërkojnë marrjen e një plotfuqie të re ose ndryshimin, shtesën apo zvogëlimin e objektit të plotfuqisë së dhënë, duke respektuar parimin e shtetit të së drejtës”. “c) në rastet e përmendura në shkronjat “a” dhe “b”, të kësaj pike, kërkesa për lëshimin e plotfuqisë i drejtohet autoritetit kompetent për lëshimin e autorizimit nga institucioni që ka iniciativën për lidhjen e marrëveshjes, të shoqëruar nga teksti i projektmarrëveshjes dhe një relacion shpjegues.” Kjo e fundit i referohet ligjit të vitit 2016. Përsa i takon rolit të Presidentit, Gjykata Kushtetuese ka arsyetuar dhe përcaktuar në mënyrë të qartë se cili është roli i Presidentit në këto lloj marrëveshjesh, dhe në mënyrë të veçantë për këtë marrëveshje: “36. Presidenti i Republikës është përfaqësuesi më i lartë i shtetit shqiptar në marrëdhëniet me jashtë, në kuptim të nenit 86/1 të Kushtetutës dhe ka autoritetin për të lidhur marrëveshje ndërkombëtare si përfaqësues legjitim i shtetit, sipas nenit 92/ë të Kushtetutës. Nga kjo rezulton se, ose ai vetë duhet të kishte marrë pjesë në lidhjen e marrëveshjes ose, nëpërmjet plotfuqisë, duhej të kishte autorizuar grupin negociator për këtë qëllim.” Presidenti nuk synon të bëjë edhe atë rol që i jep Gjykata Kushtetuese bazuar në normën kushtetuese, e cila nuk ka ndryshuar me ndryshimet kushtetuese, pra që të ulet dhe të drejtojë bisedimet sepse kjo nuk do të ishte e mirë as për Presidentin dhe as për shtetin sepse do të tregonte mungesë besimi tek cilido tjetër. Presidenti nuk është ekspert, por Presidenti ka për detyrë që të përmbushë të gjitha përcaktimet e këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese lidhur me titullin e qartë, objektin, kufijtë e asaj që dot ë negociohet, draftin e marrëveshjes, metodologjinë dhe pa dyshim dhe me ekipin negociator. Presidenti nuk ka nevojë të caktojë një njeri aty sepse të gjithë ata që do të marrin këtë besim, sepse qoftë autorizimi, qoftë plotfuqia është delegim i besimit të Presidentit të Republikës në emër të shtetit për të bërë një marrëveshje ndër-shtetërore. Të gjithë ata janë njerëz të besuar të shtetit dhe të Presidentit të Republikës. Por, Presidenti nuk mundet kurrsesi të firmosë një letër të bardhë dhe njëkohësisht edhe me disa probleme të cilat kanë nevojë të saktësohen sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese sikurse është bërë tashmë publike dhe letra dhe përgjigja që Institucioni i Presidentit i ka dërguar Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme”.

A po e përdorni ju këtë çështje për politikën e brendshme duke pasur parasysh faktin se ju keni dhe dy momente të tjera në dispozicion për ta kontrolluar marrëveshjen para se ajo të firmoset dhe momenti i dekretit? Qëndrimi juaj a rrezikon ta shtyjë arritjen e kësaj marrëveshjeje në kohë dhe në këtë sens, a ndiheni ju nën presion nga Ministri i Jashtëm Bushati dhe nga Kryeministri Rama?
“Në radhë të parë duhet t’ju bëj me dije se nuk do të doja kurrë të kisha dalë në një konferencë për shtyp për këtë çështje dhe për të hyrë në disa çështje që sjellin debate të panevojshme. Aq më tepër në marrëdhëniet me një vend fqinj dhe shumë të rëndësishëm, por e theksoj që jo për shkak të dëshirës sime, por për shkak të detyrës sime si President, dhe betimit tim për respektimin e Kushtetutës së Shqipërisë, jam i detyruar të marr të gjitha përgjegjësitë që përcakton Kushtetuta dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese vetëm për këtë çështje. Presidenti nuk mundet të anashkalojë këto detyrime kushtetuese sepse këto janë ‘vija të kuqe’ për Presidentin, dhe sigurisht dhe për mua personalisht, dhe e ka për detyrë që të ushtrojë të gjitha përgjegjësitë e tij nga fillimi dhe deri në fund në kurorëzimin e kësaj marrëveshje. Pyetjes suaj se, Presidenti ka dhe momente të tjera ku mund të shprehet, mund t’i përgjigjem shumë thjeshtë – Presidenti nuk mund të anashkalojë asnjë moment kur veprimet e tij janë të përcaktuara sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që do të ishte një shkelje e rëndë e Kushtetutës nga ana e Presidentit të Republikës dhe një President që bën një shkelje të tillë nuk meriton të rrijë as një sekondë në këtë Institucion dhe në krye të shtetit. Së dyti, kjo ka qenë çështja më e debatueshme në 10 vitet e fundit, por qëllimi i Presidentit nuk është, nuk ka qenë as përpara disa javësh apo që nga 24 korriku, kur ka hyrë në këtë Institucion dhe as nuk do të jetë në të ardhmen, të bëjë lojë politike në marrëdhënie me fqinjët, në marrëdhënie me Greqinë dhe aq më tepër në një çështje kaq serioze dhe delikate për të cilën ka dhe një sensibilitet të jashtëzakonshëm mediatik dhe qytetar. Presidenti nuk mund të vihet para fakteve të kryera. Presidenti nuk mund të reagojë në fund në rast se kjo marrëveshje nuk i plotëson këto kushte sepse do të thotë që nuk e ka bërë detyrën e tij dhe më pas të thotë se nuk jep besimin që të nënshkruhet marrëveshja sepse do të kontribuonte për thellimin e krizës dhe jo për zgjidhjen e problemit. Presidenti ka për detyrë nga fillimi deri në fund të bashkëpunojë siç përcakton Gjykata Kushtetuese në mënyrë të përgjegjshme, transparente, konstruktive me qeverinë dhe me gjithë institucionet dhe aktorët e tjerë që kanë detyrat e tyre për të konkluduar me sukses dhe mënyrë të drejtë Republikën e Shqipërisë, por edhe për Greqinë një marrëveshje, e cila do t’i qëndrojë kohës dhe nuk do të jetë e kontestueshme. Kjo është detyra e Presidentit. Njëkohësisht, meqenëse këto argumente që ju dhatë janë dhënë më parë dhe nga persona me detyrë të rëndësishme shtetërore dhe zyrtare. Është e vërtetë që në vitin 2016 është bërë një ndryshim ligji, por do të kemi parasysh që vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka bërë arsyetimin dhe interpretimin e përgjegjësive kushtetuese që ka Presidenti në këto marrëveshje ndërkombëtare, dhe ky vendim i Gjykatës Kushtetuese është Kushtetuta që duhet të respektojë Presidenti dhe kushdo për këtë çështje. Ashtu sikurse mund t’ju them se, edhe praktikat e më pasme, pas miratimit të këtij ligji për marrëveshje shumë më pak të rëndësishme, në kuptimin e rëndësisë së tyre, kanë qenë në vijim të kësaj logjike dhe të këtij përcaktimi që ka bërë Gjykata Kushtetuese vetëm për këtë çështje. Për shembull, Presidenti i mëparshëm, zoti Nishani, ka lëshuar një autorizim për lëshimin e plotëfuqisë për Ministrin e Punëve të Jashtme “Për negocimin dhe siglimin e Traktatit për themelimin e Komunitetit të Transportit”, e cila është diçka standarde. Dhe kërkesa dërguar Presidencës për këtë autorizim që i është lëshuar Ministrisë së Jashtme nga Ministria e Transportit, pra bëhet fjalë për vitin 2017 është shumë e qartë. Pasi ka informuar për këtë planifikim, pasi kanë bërë të qartë dhe delegacionin se cili është, kanë dërguar dhe draftin e këtij Traktati edhe relacionin, edhe gjithçka tjetër. Për të mos thënë që kemi edhe raste të tjera, ku më model është ai i Ministrisë së Brendshme që i drejtohet në dt.12.12.2017 Presidentit të Republikës, i cili , në këtë rast është zoti Ilir Meta, ka lëshuar autorizim për lëshimin e plotëfuqisë përsëri për Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme për negocimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe BE-së “Roja evropiane kufitare dhe bregdetare” dhe kjo është një marrëveshje standard. Para se të lëshohej ky autorizim për negocim, në mënyrën më perfekte Ministria e Brendshme ka dërguar këtu kërkesën për dhënie autorizimi, për lëshimin e plotëfuqisë për negocimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe BE-së dhe kanë vendosur të gjithë delegacionin në mënyrën më të qartë me emra, me titullarë, me funksione dhe në fund fare edhe relacionin dhe një kopje të projekt-marrëveshjes që do të negociohej. Ka dhe raste të tjera të cilat e përcaktojnë shumë qartë këtë praktikë. Kemi dhe nga Ministria e Financave për projektin e “Burimeve Ujore dhe Ujitjes” që nuk ka të njëjtën vlerë, të njëjtën peshë kushtetuese, sovraniteti, integriteti, politike, shtetërore, kombëtare siç është çështja e kufirit apo e hapësirës detare të Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Greqisë. Pra, asnjë nga këto çështje nuk qëndron. Më vjen keq për këtë debat dhe për këto sqarime që më duhet të jap përpara jush. Por, nuk mund të bëhem pjesë e asnjë cenimi të Kushtetutës, asnjë shkelje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe e asnjë bashkëfajësie, edhe pa dashje me cilindo, i cili nuk dëshiron, ose i lexon ndryshe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje”.

Letra e Metës për Bushatin: Kriteret dhe kërkesat që duhet të plotësohen
Në funksion të transparencës me opinionin publik, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, vlerësoi të bëjë publik qëndrimin e tij lidhur me “Kërkesën për autorizim negociatash me palën greke” dërguar Ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme, ditën e premte, datë 16 shkurt 2018.
Lënda: Mbi kërkesën nr. 2428 prot, datë 13.02.2018 “Kërkesë për autorizim negociatash me palën greke”.

Drejtuar: Zotit Ditmir BUSHATI, MINISTËR I EVROPËS DHE PUNËVE TË JASHTME
Për dijeni: Zotit Edi RAMA, KRYEMINISTËR
I nderuar Zoti Ministër,
Nëpërmjet shkresës suaj nr. 2428, datë 13.02.2018, u njoha me kërkesën për “Autorizim negociatash me palën greke”.
Presidenti i Republikës, vlerëson angazhimin e Ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme për të nisur negociatat për një marrëveshje të re ndërshtetërore për delimitimin e hapësirave detare me Greqinë. Bashkëpunimi i hapur dhe i ndërsjellët është në themel të parimit të fqinjësisë së mirë. Presidenti i Republikës, është i bindur se delimitimi i hapësirave detare me Greqinë, është në interesin më të mirë të vendit tonë në të gjitha aspektet, si në drejtim të ushtrimit të sovranitetit dhe juridiksionit kombëtar, ashtu edhe në drejtim të sigurisë, dobisë ekonomike, politike, sociale, etj. Në këtë kontekst, zgjidhja për ndarjen, përdorimin dhe shfrytëzimin racional, efektiv dhe në mënyrë sa më të drejtë e të barabartë të hapësirave detare dhe burimeve të tyre me Republikën e Greqisë, duhet të vijë përmes një emëruesi të përbashkët midis dy vendeve. Theksoj, se është e detyrueshme që çdo zgjidhje të respektojë parimet e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, detyrimet e vendosura për zbatim nga Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 15, datë 15.04.2010, kuadri ligjor i brendshëm, aktet ndërkombëtare ku Shqipëria është palë, si dhe duke pasur parësor interesin shtetëror.

Nga shqyrtimi i kërkesës së paraqitur, për Autorizim negociatash me palën Greke, konstatohet se;
1 – Kërkesa nuk përkufizon qartë objektin e negociatave për të cilin kërkohet Autorizim për Plotfuqi. Shkresa nr. 2428 prot, datë 13.02.2018, që në “Lëndë”, është e paqartë, pasi sipas saj objekti është “Përcillet kërkesë për autorizim negociatash me palën Greke” dhe ky përkufizim nuk parashikon, se cili është objekti konkret për të cilin kërkohet Autorizim për Plotfuqi dhe nuk reflekton detyrimet që rrjedhin nga Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 15, datë 10.04.2010.

Së pari, duhet evidentuar se kjo kërkesë është e përbërë gjithsej nga një kërkesë e vetme (gjithsej 4 – fletë) dhe nuk përmban asnjë dokument shoqërues apo shpjegues bashkëlidhur. Nga shqyrtimi tërësor i kërkesës rezulton se ajo nuk shpreh në mënyrë të qartë dhe eksplicite titullin e marrëveshjes dhe objektin konkret për të cilin shteti shqiptar kërkon të hyjë në negociata zyrtare me shtetin grek. Përcaktimi i saktë dhe pa asnjë ekuivok i titullit të marrëveshjes dhe objektit të negociatave, në proceset e diskutimeve negociuese ndërkombëtare me qëllim lidhjen e një marrëveshjeje të kësaj natyre është kushti themelor që duhet të plotësohet, dhe mbi të cilin lëshohet Autorizimi për Plotfuqi nga Presidenti i Republikës. Vetëm duke përcaktuar objektin e saktë të negocimit, grupi negociator legjitimohet për të zhvilluar diskutime brenda objektit të tij.

Në pjesën hyrëse të shkresës citohet se:
“Delitimimi i hapësirave detare me fqinjët nëpërmjet marrëveshjeve dypalëshe mbetet një çështje e rëndësisë prioritare për vendin tonë”.

Ndërkohë në faqen 3 të kërkesës suaj, parashtrohet se:
“Delitimimi i hapësirave detare është përfshirë dhe në paketën e çështjeve të hapura mes dy vendeve të diskutuara në kuadrin e mekanizmit dypalësh”…. “Nisur nga sa më sipër me palën greke është rënë në parim dakord për të negociuar një marrëveshje të re për të delitimuar hapësirat detare sipas një ndarjeje të drejtë për palët. Diskutimet e deritanishme për çështjen e delitimimi të hapësirave detare nevojitet të konkretizohen me negociata mes palëve”.

Në paragrafin e fundit të faqes 3 të kësaj kërkese parashtrohet se:
“Synimi i negociatave teknike me palën greke do të jetë: Negocimi dhe finalizimi i një marrëveshje të re për delitimimin e të gjitha hapësirave detare të përcaktuara për të Drejtën e Detit me koordinata gjeografike; Detin Territorial, Zonën Ekskluzive Ekonomike dhe Shelfin Kontinental”. Në lidhje me këtë që ju citoni, gjithçka që është vlerësuar nga qeveria se duhet të negociohet nuk mundet që t’i kërkohet autoritetit më të lartë, duke përdorur terma të tillë si “synim”, por qartësisht sipas Kushtetutës dhe ligjeve, kërkesa për Autorizim duhet të jetë e shprehur ekzaktësisht mbi titullin e marrëveshjes dhe objektin e saj. Për më tej në kërkesën për Autorizim për Negocim, do të duhej të përfshiheshin edhe hartat analoge dixhitale, si instrumente negociuese teknike parësore që pasqyrojnë realitetin gjeografik të hapësirës që delimitohet. Në paragrafin e parafundit të faqes 4 të kërkesës suaj, citohet edhe një fakt tjetër, ku ju parashtroni se: “Arritja e marrëveshjes do të shërbente paralelisht dhe për plotësimin e kuadrit ligjor ndërkufitar tokësor me lidhjen e Marrëveshjes për Piramidat Kufitare dhe Marrëveshjes për Zgjidhjen e Incidenteve Kufitare të cilat janë kërkuar për dekada me radhë nga pala jonë, por që nuk kanë pasur reagim pozitiv të palës Greke. Kjo paketë marrëveshjesh do të zgjidhte njëherë e mirë problematikat ndërkufitare mes dy vendeve dhe do të rrëzonte çdo lloj pretendimi territorial që mund të ekzistojnë në të dy vendet”. Lidhur me këtë paragraf të letrës suaj, të sqarohet qartë se për çfarë pretendimesh konkrete territoriale bëhet fjalë?, cila palë i ka shfaqur ato, në ç’mënyrë, në çfarë kohe, dhe a ka qenë kjo çështje objekti i diskutimit eksploratore diplomatike që janë realizuar përpara paraqitjes së kërkesës për negocim dhe kërkohet që nga ju me prioritet të vihet në dispozicion të Presidentit të Republikës, i gjithë informacioni që dispononi në lidhje me këtë çështje? Për më tepër, nga shqyrtimi tërësor dhe analitik i objektit të kërkesës, konstatohet se janë të paqartë elementët konkret të objektit të negocimit. Gjykata Kushtetuese në pikën 82.3, ka përcaktuar një detaj të rëndësishëm që ndikon në përcaktimin e objektit konkret të negocimit. Gjithashtu është i paqartë objekti i negocimit, edhe sa i takon pjesës ku puqen hapësirat detare ndërmjet tre shteteve (Itali-Greqi-Shqipëri), pasi kjo mund të kapërcente kufijtë e këtij autorizimi negocimi dypalësh. Si konkluzion, përcaktimi i qartë i objektit të negocimit dhe vënia në jetë e detyrës së marrë nga grupi negociator që formalizohet në aktin e Autorizimit për Plotfuqi që Presidenti i Republikës lëshon nëpërmjet delegimit është një kërkesë e qartë e neneve 3, 4, 7 dhe 92/ë, të cilat shpjegohen gjerësisht në mënyrë shteruese në Vendimin nr. 15/2010, të Gjykatës Kushtetuese ku ndër të tjera në pikën, 37, përcaktohet se: “37. Gjykata çmon se qëllimi i plotfuqisë është dhënia e autorizimit nga organi kompetent për të biseduar me palën tjetër për çështje që caktohen shprehimisht në objektin e plotfuqisë. Përfaqësuesit e shtetit që pajisen me plotfuqi janë të autorizuar të bisedojnë vetëm për aq sa është përcaktuar në mandatin e dhënë për përfaqësim. Në çdo rast, negocimi dhe lidhja e marrëveshjes duhet të bëhet brenda kufijve të përcaktuar në plotfuqinë e dhënë nga organi kompetent. Në këtë mënyrë, për çdo ndryshim, shtesë apo zvogëlim të objektit të negocimeve, përfaqësuesit e shtetit shqiptar janë të detyruar të kërkojnë marrjen e një plotfuqie të re ose ndryshimin, shtesën apo zvogëlimin e objektit të plotfuqisë së dhënë, duke respektuar parimin e shtetit të së drejtës”.
Në përfundim, duke iu referuar standardit Kushtetues, të hierarkisë së zbatimit të normës, parashikuar në nenin 4, dhe 116 pika 1 të Kushtetutës, dhe mbështetur në parashikimet e pjesës arsyetuese të Vendimit nr. 15/2010 të Gjykatës Kushtetuese, në krahasim me çfarë parashtrohen në kërkesën Tuaj, rezulton se nuk është përcaktuar qartë objekti i kërkimit për negocim për të cilin i kërkohet Presidentit i Republikës Autorizim për Plotfuqi. Objekti i saktë i tagrit të përfaqësimit që do të delegohet duhet të jetë i specifikuar në këtë akt që Presidenti i Republikës duhet të lëshojë, dhe mbi të cilin grupi negociator i mandatuar duhet të veprojë gjatë negociatave. Paqartësia e objektit konkret të negocimit për të cilin kërkohet Autorizim për Plotfuqi nga Presidenti, evidentohet edhe më tepër, pasi kërkesa e paraqitur nuk është e shoqëruar as me tekstin e projekt-marrëveshjes dhe as relacionin shoqërues, kërkesë kjo e nenit 6, pika 3, germa “c”, të ligjit nr.43/2016 “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, ku citohet se: “c) në rastet e përmendura në shkronjat “a” dhe “b”, të kësaj pike, kërkesa për lëshimin e plotfuqisë i drejtohet autoritetit kompetent për lëshimin e autorizimit nga institucioni që ka iniciativën për lidhjen e marrëveshjes, të shoqëruar nga teksti i projektmarrëveshjes dhe një relacion shpjegues.” Për më tepër, në kërkesën e paraqitur për autorizim negociatash me palën Greke, në faqen 3, citohet se: “Prej vitit 2014 e deri më sot janë zhvilluar disa diskutime eksploratore, në nivel diplomatik me palën greke për zgjidhjen e kësaj çështjeje…”. Në përgatitjen e qëndrimeve të palës sonë për këtë çështje janë mbajtur parasysh parimet e Konventës për të Drejtën e Detit, vendimi i Gjykatës Kushtetuese, legjislacioni ynë i brendshëm për kufijtë detar dhe analiza e brendshme”.

Nga sa më sipër, konstatohet aktivizimi edhe i instrumenteve të karakterit teknik përveçse politik në fazën përgatitore që i paraprijnë hyrjes në negociata, e për rrjedhojë dhe kërkesës për pajisjen me Autorizim për Plotfuqi. Ndaj, është e nevojshme që dokumentet që shoqërojnë kërkesën tuaj, të përcillen pranë institucionit të Presidentit dhe të përmbajnë edhe një informacion shterues mbi materialet apo minutat e diskutimeve eksploratore me palën greke si dhe në mënyrë të veçantë analiza e brendshme e bërë nga Ministria e Punëve të Jashtme lidhur me këtë çështje, si dhe personat dhe funksionet e tyre, që e kanë kryer këtë analizë. Si përfundim, nga sa konstatohet më sipër në lidhje me objektin e saktë të negocimit, Presidenti i Republikës, konkludon se:

– Të qartësohet në mënyrë të mirëpërcaktuar objekti i kërkesës për negocim, duke përmbushur të gjitha mangësitë e konstatuara, si dhe të paraqiten informacionet shtesë të kërkuara.

2 – Në kërkesën e paraqitur lidhur me përbërjen e grupit negociator referohet se: “Pas autorizimit Tuaj, do të ngrihet me Urdhër të Kryeministrit Grupi Negociator”, i cili do të negociojë marrëveshjen e re me palën Greke. Në këtë grup negociator të përfshihen përfaqësues nga Ministria e Mbrojtjes, Forca Detare, Institucioni i Gjeografisë dhe Infrastrukturës Ushtarake, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Infrastrukturës, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Brendshme”. Në lidhje me këtë çështje, Gjykata Kushtetuese në Vendimin nr. 15/2010, në pikën 36, ka përcaktuar qartë se: “36. Presidenti i Republikës është përfaqësuesi më i lartë i shtetit shqiptar në marrëdhëniet me jashtë, në kuptim të nenit 86/1 të Kushtetutës dhe ka autoritetin për të lidhur marrëveshje ndërkombëtare si përfaqësues legjitim i shtetit, sipas nenit 92/ë të Kushtetutës. Nga kjo rezulton se, ose ai vetë duhet të kishte marrë pjesë në lidhjen e marrëveshjes ose, nëpërmjet plotfuqisë, duhej të kishte autorizuar grupin negociator për këtë qëllim.” Mbështetur në parashikimet e nenit 92/ë, të Kushtetutës, dhe Vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr.15/2010, në të cilin është qartësuar mënyra se si Presidenti e ushtron të drejtën për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare konstatohet se : – Përbërja e grupit negociator sa i takon institucioneve të përfshira nuk është e plotë, dhe – Mungesa e përcaktimit nominal të delegacionit krijon hapësirë që të mos përmbushë standardet për nivelin e njohurive të kërkuara apo, nuk jep garancitë e nevojshme për integritetin moral dhe profesional për të marrë pjesë në negociata kaq të rëndësishme për shtetin shqiptar.

Nga sa më sipër, rezulton se; Së pari, grupi negociator që do të realizojë negociatat, duhet të përfaqësojë ekspertizën më të thelluar dhe më të mirë profesionale në të gjitha fushat në interes të negocimit, me qëllim që niveli i përfaqësimit të Shtetit Shqiptar dhe mbrojtja e interesave të tij të realizohet në lartësinë e kërkuar nga interesat e vendit. Në funksion të realizimit të objektivave të negocimit dhe të ekspertizës, do të duhet të merret në konsideratë dhe pjesëmarrja e përfaqësuesve të institucioneve të tjerë veç atyre të cituar në kërkesë të tilla si Akademisë së Shkencave, Agjencisë së Informacionit Gjeo-hapësinor (ASIG), Universitetit të Tiranës, Akademisë së Albanologjisë, Institutit të Arkeologjisë, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Kulturës, etj. Së dyti, kërkesa për dhënien e Autorizimit për Plotfuqi, siç rezulton nga kërkesat e Kushtetutës, Vendimit nr.15/2010 të Gjykatës Kushtetuese, ligjit nr. 43/2016, por edhe nga praktika tashmë e konsoliduar në këtë drejtim, duhet të përcaktojë qartë se cila do të jetë përbërja nominale e grupit negociator, pra jo vetëm me emërtesat e institucioneve, por dhe emrat konkret të personave dhe funksionet dhe profesionet që ata përfaqësojnë. Në kërkesë nuk përcaktohet se kush do të jetë personi që do të udhëheqë Grupin Negociator, gjë që është tepër e rëndësishme nisur nga përvoja jo pozitive në të kaluarën. Kërkesa për pajisjen me autorizim, duhet të shoqërohet detyrimisht me listën nominale të emrave konkret përbërjes të grupit negociator, shoqëruar me CV përkatëse, që do të krijonte mundësinë e vlerësimit të përmbushjes së kritereve të integritetit moral dhe profesional që krijojnë besimin tek Presidenti i Republikës, për t’i dhënë besimin që ta përfaqësojnë atë në këto negociata. Për nga rëndësia e kësaj marrëveshjeje dhe njohuritë e veçanta që kërkohen në këtë fushë, Presidenti i Republikës nuk është informuar nëse, deri në këto momente, është këshilluar ekspertizë e jashtme dhe nëse synohet të merret një e tillë gjatë procesit të negocimit për këtë marrëveshje. Për sa më sipër, në formën e paraqitur, kërkesa lidhur me grupin negociator dhe përbërjen e tij është jo e plotë dhe e pabazuar në Kushtetutë, Vendimin nr.15/2010 të Gjykatës Kushtetuese, praktikës së mëparshme. Plotësimi i mangësive të konstatuara në lidhje me grupin negociator dhe përbërjen e tij është kusht i domosdoshëm në vlerësimin e kërkesës për pajisjen me Autorizim për Plotfuqi.

3 – Çështja e standardeve dhe metodologjisë të përdorshme për negocim. Në kërkesë fq 2-3, parashtrohet se: Delimitimi i vitit 2009 ishte rezultati më minimal që mund të arrinte vendi ynë me Greqinë; Nevojitet lidhja e një marrëveshjeje të bazuar në një parim të ri delimitimi. Parimi i barazlargësisë shërben si pikënisje për korrektimin e vijës delimituese në favor të palës sonë. Për këtë qëllim nevojitet aplikimi i parimit barazlargësi me korrektim; Delimitimi i ri duhet të sjellë përfitim në hapësirat detare të Shqipërisë. Përfitimi në hapësirën e Detit Territorial, do të ishte më i favorshëm sepse në këtë hapësirë detare ushtrohet sovranitet i plotë në det, tabanin e detit dhe hapësirën ajrore mbi të, ndërsa në Shelfin Kontinental dhe ZEE vendi ynë do të përfitonte zgjerimin e të drejtave sovrane (shfrytëzim burimesh që ekzistojnë në këto hapësira, por jo sovranitet të plotë). Lidhur me sa më sipër, bazuar dhe në pikat 82.1, 82.2, 82.3, 82.4, 86, 90, 92, 95, 96 dhe 98 të Vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr.15/2010, kërkesa e paraqitur do të duhej të shoqërohej me përcaktimin e qartë se në cilën pjesë të hapësirës detare të vijës së delitimit do të përdoret parimi i barazlargësisë strikte dhe ku parimi i barazlargësisë me korrektim, duke saktësuar gjithashtu se cilat janë momentet konkrete që kërkojnë negocim dhe janë objekt i mosmarrëveshjeve ndërmjet palëve. Përmbushja e kësaj detyre do të qartësonte objektivat, metodologjinë dhe parimet që do të përdorte grupi negociator, për përcaktimi e një kufiri detar në përputhje me Konventën e OKB-së mbi të Drejtën e Detit, praktikën Ndërkombëtare, Kushtetutën, vendimin nr.15/2010 të Gjykatës Kushtetuese dhe mbi të gjitha në interesin më të mirë të Shqipërisë. Saktësimi i hapësirës konkrete detare të përdorimit të parimit të “Ekitesë”, është thelbësor për arritjen e një marrëveshje të drejtë siç ka arsyetuar Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj nr.15/2010. 

Presidenti i Republikës vlerëson se, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, detyrimeve të vendosura për zbatim nga Vendimi nr.15, datë 15.04.2010, të Gjykatës Kushtetuese, kuadrit të brendshëm ligjor, akteve ndërkombëtare ku Shqipëria është palë dhe në interes parësor shtetëror, përmbushja e kritereve, kërkesave, të parashtruara e të konstatuara më sipër, përbën domosdoshmëri kushtetuese për marrjen e vendimit për pajisjen me Autorizim për Plotfuqi, të kërkuar me shkresën nr. 2428 prot, datë 13.02.2018.

ILIR META
Sigal