PRESIDENTI MATTARELA PRET NË KALABRI PRESIDENTIN META

487
Sigal

Meta takon Presidentin italian, Sergio Mattarella

Arbëreshët në Kalabri i bëjnë Presidentëve  Meta dhe Mattarella pritje madhështore

Presidenti i Italisë pret Presidentin Meta, vizitojnë Kolegjin e “Shën Adrianit” vizitojnë Komunën e Lungros, ku u mikprit nga Ipeshkvi Donato Oliverio dhe autoritetet vendore të Akuaformozës

Gjatë qëndrimit në Kalabri, Kreu i Shtetit Ilir Meta u prit në një takim nga homologu italian, Sergio Mattarella. “Shumë i lumtur të jem sot mes komunitetit arbëresh së bashku me mikun e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, Presidentin Sergio Mattarella në Kolegjin e Shën Adrianit, në Shën Mitër Korona, në djepin e arsimit dhe kulturës arbëreshe.”- shkruan Presidenti Meta në një postim në facebook, shoqëruar me foto të takimit me homologun Italian. Presidenti Ilir Meta, nisi dje një vizitë zyrtarë në Kalabri, ku u prit nga shumë nga një grup të rinjsh arbëreshë, që kanë kërcyer vallet dhe këngët e trashëguara në shekuj.

Presidenti Meta në Shën Mitër Korona: Popujt tanë i bashkon historia jonë e hershme dhe moderne

Jemi pikërisht këtu në gjurmët dhe trashëgiminë e të madhit De Rada, i cili ishte mësuesi i parë i “Katedrës së Gjuhës Shqipe” dhe një nga themeluesit e “Rilindjes Shqiptare” këndej dhe andej Adriatikut. Popujt tanë nuk i bashkon vetëm deti, por historia jonë e hershme dhe moderne. Dëshmia më e gjallë dhe modeli më i mirë i kësaj bashkëjetese të përjetshme janë arbëreshët, për të cilët jemi gjithmonë krenarë dhe mirënjohës. Në udhëtimin e përbashkët historik mijëra vjeçar, kemi një moment kulmor të marrëdhënieve tona që përkon me “Epokën e Skënderbeut”, e cila ishte përcaktuese jo vetëm për fatin tonë si popull dhe komb, por edhe për vetë fatin e Evropës. Heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, për 25 vite me radhë, jo vetëm mbrojti lirinë e kombit tonë, por u bë dhe mburojë për mbarë krishterimin dhe qytetërimin evropian. Ky kontribut i mirënjohur është dokumentuar edhe në marrëdhëniet e tij diplomatike, ushtarake e miqësore me Mbretërinë e Napolit, me Papatin dhe me Republikën e Venedikut. Fatkeqësisht, me vdekjen e tij 550 vjet më parë, pushtimi otoman solli edhe “eksodin e madh” të arbëreshëve drejt brigjeve të Italisë. Gjithë dhimbja për largimin nga Arbëria, mëmëdheu i tyre i dashur, nga varret e të parëve, arratia nga pushtimi, braktisja e vatrave, shtëpive, ndarja nga të afërmit etj. janë shprehur më së bukuri në vargjet:

Atje kam unë zotin At

 atje kam unë zonjën Mëmë

atje kam dhe tim vëlla

të gjithë mbuluar nën dhe

Ah e bukura More…

Largimi ishte i dhimbshëm, malli dhe nostalgjia për mëmëdheun e lënë mbrapa, akoma më i madh. Ruajtja dhe kultivimi i identitetit kombëtar të arbëreshëve është në simbiozë unikale me integrimin e plotë të tyre me kulturën dhe shoqërinë italiane. Vargjet e ëmbla të Vincenzo Stratigò-it, fisnik arbëresh nga Lungro e pasqyrojnë këtë ndjenjë më së miri:

E dashur Itali, E bukura Itali

Ti më strehove si një motër

Në gjirin e ëmbël të të bukurit vend.

Jam Shqipëtar. Një fakt kuptimplotë i kësaj bashkëjetese shekullore është dhe kontributi i qenësishëm i komunitetit arbëresh në bashkimin e Italisë. Shumë prej patriotëve arbëresh dhanë jetën për të krijuar një Itali të bashkuar, një e të pandarë, duke u pagëzuar nga Garibaldi si “luanët e betejave”. Poetët arbëreshë edhe Garibaldin e quanin, Skënderbe

Këmishëkuqi ynë me flet

Skënderbeut tonë i ngjet!

Shumë prej tyre ishin iluministë dhe intelektualë me ide liberale dhe kulturë shtet-formuese. Ata ishin arsimuar në Kolegjin “Corsini” të San Benedetto Ullano dhe më pas këtu në Kolegjin e Shën Adrianit, të Shën Mitër Korona, duke krijuar kështu plejadën e elitës arbëreshe të Kalabrisë. Shumë shpejt Kolegji i Shën Adrianit u bë qendra e përqasjes së ideve të reja liberale dhe revolucionare, duke promovuar shumë mendje të ndritura të Rilindjes Italiane, si Domeniko Mauro e Paskuale Skura. Në këtë institucion u edukua dhe më pas dha mësim Jeronim de Rada, një rilindës dhe patriot i madh, i cili mes të tjerëve, pati nxënës edhe të riun Luigj Gurakuqi, atë që do të bëhej më pas njëri prej korifenjve të mëdhenj të pavarësisë sonë kombëtare. Mbi të gjitha, ne u jemi mirënjohës pafundësisht arbëreshëve për kontributin më të çmuar që kanë dhënë për kombin tonë: Përjetësimin e figurës së Gjergj Kastriot Skënderbeut ndër shekuj. Kur u larguan nga atdheu i tyre, arbëreshët morën me vete në shpirt e në zemër të gjithë mishërimin e figurës së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, të cilën po me aq dashuri e rikthyen gjatë periudhës së Rilindjes Shqiptare, si frymëzimin e bashkimit të të gjithë kombit tonë. Skënderbeu na bashkon të gjithë ne shqiptarëve kudo në botë! Shembja e diktaturës së egër komuniste në fillim të viteve 90-të provokoi një eksod tjetër masiv për shqiptarët. Dhjetëra mijëra qytetarë vërshuan me anije të mbingarkuara, në kërkim të lirisë, fatit dhe të një jete më të mirë në Italinë fqinje. Shteti dhe populli mik italian hapi dyert për t’i mirëpritur, ashtu siç kishte bërë 5 shekuj më parë me arbëreshët tanë. Italia mbetet mikpritësi i njërit prej komuniteteve më të mëdha e më të mirë-integruara të emigrantëve shqiptarë jashtë atdheut. Italia ka qenë pranë nesh në të gjitha momentet kyçe të historisë sonë. Edhe sot, ne vazhdojmë t’i jemi mirënjohëse Italisë për mbështetjen e gjithanshme që na ka dhënë e vazhdon të na jep në rrugëtimin tonë drejt integrimit evropian. Italia është partner strategjik i Shqipërisë, me një kontribut të jashtëzakonshëm politik, ekonomik, arsimor dhe kulturor në të gjitha proceset demokratizuese, në konsolidimin e shtetit ligjor dhe në zhvillimin ekonomiko-social të vendit. Arbëreshët dhe emigrantët shqiptarë të pas viteve 90-të kanë një kontribut të pamohueshëm edhe për vetë zhvillimin ekonomik dhe progresin e shoqërisë italiane. Ne jemi krenarë kur dëgjojmë histori dhe modele suksesi të arbëreshëve dhe shqiptarëve të njohur në Itali, qofshin këto në jetën akademike, në botën e biznesit, apo në fushën e artit, kulturës dhe sportit. Nga ana tjetër, nuk mund ta fshehim kënaqësinë që aktualisht janë mbi 25 mijë qytetarë italianë që kanë zgjedhur të studiojnë, të punojnë dhe të jetojnë në Shqipëri. Kjo ishte e paimagjinueshme 27 vite më parë! Jemi të vetëdijshëm që komuniteti Arbëresh meriton më shumë vëmendje dhe vlerësim nga Shqipëria, prandaj jam këtu me Ministrin e Diasporës Majko, me deputetë të mazhorancës dhe opozitës, dhe do të jemi te të gjitha komunat arbëreshes. Kemi nevojë që brezat e rinj të një gjaku, në dy anët e Adriatikut e të Jonit të njihen më shumë, të komunikojnë më tepër, të shkëmbejnë eksperienca dhe të ndajnë aspirata të përbashkëta si qytetarë evropianë. Do të bëjmë përpjekje maksimale jo vetëm në nivel qendror shtetëror, por edhe në nivel rajonal dhe lokal për binjakëzimin e komunave arbëreshe me bashkitë tona, në realizimin e projekteve ekonomike, sociale, kulturore dhe artistike, ndaj kemi rënë dakord me Presidentin e Rajonit të Kalabrisë dje për marrëveshje shumëplanëshe mes Shqipërisë dhe Kalabrisë . Po kështu jam i bindur se kjo vizitë e përbashkët me Presidentin Mattarella nuk shënon veçse një fillim të ri të angazhimit të përbashkët në emër të dy vendeve për ruajtjen e kësaj trashëgimie unike që ju përfaqësoni për të dy vendet tona dhe për Evropën. Shqipëria dhe shqiptarët do t’ju jenë mirënjohës për rolin tuaj të pazëvendësueshëm si faktor i identitetit tonë kombëtar. Ju na ruajtët emrin si popull i vjetër e i lavdishëm: Arbër Arbëresh, Arbanë, Arbën e Albani janë fjalë që ekzistojnë prej jush. Sepse ju jetuat me mitin e të parëve në shpirt dhe lavdinë e pavdekshme të Skënderbeut. Prandaj ideologjia jonë kombëtare lindi së pari këtu tek ju. Ndaj shqiptarët kudo që jetojnë sot e në të ardhmen nuk do të harrojnë se në momentet më kritike të përgjumjes së kombit tonë, nga këtu kumboi thirrja e De Radës, patriotit dhe rilindësit tonë të madh që zgjoi ëndrrën e fjetur. “Erdhi Dita e Arbrit!”

Presidenti Meta dhe Presidenti italian Mattarella vizitojnë Kolegjin e “Shën Adrianit” në Shën Mitër Korona

Presidenti i Republikës, Ilir Meta së bashku me Presidentin e Republikës së Italisë, Sergio Mattarella vizitoi Kolegjin “Shën Adriani” në Shën Mitër Korona ku u pritën ngrohtësisht dhe u takuan me studentë, pedagogë dhe drejtues vendorë e fetarë të bashkësive arbëreshe. Të dy krerët e shteteve, pas ceremonisë solemne, zhvilluan një takim kokë më kokë, ku biseduan për lidhjet e vjetra historike dhe të miqësisë, mbi partneritetin strategjik si dhe thellimin e bashkëpunimit të gjithanshëm mes dy vendeve dhe popujve tanë, dhe më pas iu drejtuan të pranishmëve në sallën e teatrit të Kolegjit. Në fjalën e tij, Presidenti Meta, me të tjerash theksoi se Shën Mitër Korona dhe Kolegji i “Shën Adrianit” është djepi i arsimit dhe kulturës arbëreshë, ku ka dhënë mësim De Rada, dhe njëri prej studentëve ka qenë Luigj Gurakuqi, figura frymëzuese dhe kontribuuese të Rilindjes sonë Kombëtare dhe shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. “Edhe pse larg mëmëdheut të tyre, komuniteti arbëresh krijoi dhe mbajti gjallë identitetin e vet kombëtar, i cili edhe sot pas 550 vitesh ruan me dashuri e fanatizëm gjuhën, kostumet, ritet, traditat dhe besimin. Ruajtja dhe kultivimi i identitetit kombëtar të arbëreshëve është një simbiozë unikale me integrimin e plotë të tyre me kulturën dhe shoqërinë italiane.” – vuri në duke Presidenti Meta dhe vlerësoi Kolegjin “Shën Adrianit” me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” “Në shenjë vlerësimi për veprimtarinë e çmuar akademike, për promovimin e gjuhës, letërsisë dhe kulturës arbëreshe, duke u kthyer në një vatër të rëndësishme të ruajtjes së trashëgimisë, të edukimit e formimit të të rinjve arbëresh. Me mirënjohje për kontributin e veçantë në forcimin e lidhjeve, veçanërisht kulturore, midis Shqipërisë dhe Italisë”. Presidenti Meta dhe Presidenti italian Mattarella përuruan pllakatin kushtuar Heroit tonë Kombëtar, në të cilën janë gdhendur fjalët: “Në 550-vjetorin e përkujtimit të Gjergj Kastriotit, Skënderbeut.”

Presidenti Meta viziton Komunën e Lungros, ku u mikprit nga Ipeshkvi Donato Oliverio dhe autoritetet vendore të Akuaformozës

Presidenti i Republikës,. Ilir Meta, në kuadër të vizitës zyrtare në Kalabri u takua me Ipeshkvin e Eparhias së Ungrës (Eparkia e Lungros), Hirësinë e Tij Donato Oliverio si dhe me autoritetet vendore e përfaqësues të bashkësisë arbëreshe, të cilët organizuan një pritje madhështore me shumë emocione, festime, këngë dhe valltarë të veshur me kostume tradicionale arbëreshe. Gjatë takimit të ngrohtë që zhvilloi me udhëheqësit fetarë të Eparhias së Ungrës, Presidenti Meta mirëpriti me kënaqësi propozimin e tyre për krijimin e një Këshilli që do të punojë për ruajtjen e zakoneve, tipareve dhe riteve identitare arbëreshe, duke premtuar mbështetjen personale e institucionale, sidomos në këtë Vit Mbarëkombëtar të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. “Arbëreshët janë një pasuri e vyer, madje edhe ndërkombëtare, sepse ata ruajtën të paprekur zakonet, ritet, traditat, kulturën dhe gjuhën e kohës së madhe historike të Arbërit. Pa arbëreshët nuk do të kishte Rilindje Kombëtare shqiptare, madje as Shqipëria, dhe as Kosova nuk do të ekzistonin sot e kësaj dite.” – vuri në dukje Presidenti i Republikës.

Somario

Jemi pikërisht këtu në gjurmët dhe trashëgiminë e të madhit De Rada, i cili ishte mësuesi i parë i “Katedrës së Gjuhës Shqipe” dhe një nga themeluesit e “Rilindjes Shqiptare” këndej dhe andej Adriatikut. Popujt tanë nuk i bashkon vetëm deti, por historia jonë e hershme dhe moderne

Presidenti Meta vlerësoi Imzot Donato Oliverio me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

Gjatë kësaj meshe të përshpirtshme Presidenti i Republikës vlerësoi Imzot Donato Oliverio me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” me motivacionin: “Me mirënjohje të thellë për veprimtarinë e çmuar dhe të pakursyer në mbështetje të bashkësisë arbëreshe në Itali. Për përpjekjet e tij të pareshtura në ruajtje dhe përcjellje të riteve dhe të traditave kishtare në gjuhën arbëreshe”.