Presidenti, Ligjet konfirmojnë figurën e Metës: Plotëson kriteret

497
Komisoni i ligjeve bëri verifikimet formale për Ilir Metën, sa i takon pastërtisë së figurës së tij dhe detyrimeve kushtetuese, konkretisht ligjit të dekriminalizimit dhe kritereve që përcakton Kushtetuta për kreun e shtetit.
Pas shqyrtimit të dosjes së kandidatit, komisioni votoi unanimisht kandidaturën e Metës, duke e cilësuar kreun aktual të Kuvendit një figurë në përputhje me bazën ligjore. 
Relacioni zyrtar i dalë nga komisioni i ligjeve iu dërgua më pas sallës së Parlamentit, për t’u hedhur në votim nga deputetët atje.
“Kandidatura e Metës plotëson kriteret kushtetuese. Kuvendi i Shqipërisë duhet të vijojë me raundin e katërt me kandidaturën e tij”, ka thënë Hysi.
Më herët gjatë ditës Komisionit të ligjeve i mbërriti letra me firmëtarët që propozuan Metën si kandidatin e vetëm për president. 
23 emrat që e propozuan atë si kandidat për postin e kreut të shtetit ishin 17 deputetët e LSI dhe 6 deputetët e Partisë për Drejtësi, Intergrim dhe Unitet. 
Në dokumentin e paraqitur në Kuvend, deputetët argumentuan edhe formalisht si nënshkrues të këtij dokumenti, kandidatin e dakordësuar midis dy forcave më të mëdha të koalicionit qeverisës një ditë më parë në grupet parlamentare përkatëse.
Sigal